Të braktisur në spital (Video)

  • 21 March 2018 - 00:16
Të braktisur në spital (Video)

Artan Muçodani, 58 vjeç ka mbërritur në shërbimin e e neurologjisë me ishemi cerebrale, por pasi është mjekuar e ka kthyer spitalin si një vend strehimi, pasi familjarët e kanë braktisur.

Prej dy muajsh, 58-vjeçari vazhdon të qëndrojë në dhomën e pavionit.

“Aktualisht gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar. Arrin të ecë vetë. Normalisht në këto raste duhet të kishte dalë për 1-2 javë”, deklaron mjeku neurolog, Genci Cakçiri.

Por ky fenomen është kthyer në shqetësim serioz në shërbimet e Qendrës Spitalore Univeristare pasi ka me dhjetëra pacientë, të cilët pasi marrin trajtim mjekësor, braktisen nga familjarët dhe lihen për një kohë të gjatë atje, ose se kanë kushte të rënda ekonomike dhe në spital kanë të garantuar ushqim dhe fjetjen, ose në raste të tjera kur për shkak të moshës dhe rëndimit nga sëmundjet nuk mund t’u ofrojnë shërbim në shtëpi.

“Është problem, sepse ky është shërbim terziar dhe vijnë jo vetëm nga Tirana, por dhe nga rrethet dhe ka radhë të gjata për t’u hospitalizuar, ndërkohë
që zihet një shtrat me raste të tilla”, shton Cakçiri. 

Burime nga Qendra Spitalore Universitare thonë se për këto raste shpesh kanë negociuar me bashkinë dhe disa pacientë janë tërhequr nga qendrat sociale.

(Kosova Sot)