Pas 3 vjetësh tallje me popullin, votohet Demarkacioni

  • 22 March 2018 - 07:42
Pas 3 vjetësh tallje me popullin, votohet Demarkacioni

MARRËVESHJA E DEMARKACIONIT RATIFIKOHET NËN PRESIONIN E SHTUAR DIPLOMATIK

Me 80 vota për, 11 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar dje Marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes u zhvillua nën tensione e masa të shtuara të sigurisë. Hedhja e gazit lotsjellës dhe ndërprerja e seancës në katër rastet kur është provuar të votohet për ratifikimin e demarkacionit, ka sjellë si rezultat largimin e deputetëve të Lëvizjes 'Vetëvendosje' nga salla e Kuvendit nga Policia e Kosovës. Sidoqoftë, vetëm pesë prej tyre u është ndaluar pjesëmarrja në vazhdimin e seancës, kurse të tjerët janë lejuar të kthehen në sallë. Pesë nga deputetët e 'Vetëvendosjes': Liburn Aliu, Salih Zyba, Xhelal Sveçla, Fitore Pacolli - Dalipi dhe Drita Millaku janë shoqëruar në polici për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës.Ndërkohë, Policia e Kosovës me anë të një komunikate ka njoftuar mediat se është detyruar të shoqërojë në stacionin policor edhe një deputet tjetër për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës, si dhe një tjetër për posedim të gazit lotsjellës. Policia po ashtu ka njoftuar se përderisa janë zhvilluar aktivitete brenda në Kuvendin e Kosovës, diku rreth orës 17:10 disa persona dyshohet se kanë hedhur gurë në drejtim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku si pasojë janë thyer dy xhama të objektit të Kuvendit të RKS-së. Lidhur me ketë rast policia ka ndaluar tre persona të dyshuar, të cilët i kanë shoqëruar në stacion policor për procedura të mëtejme. Ambasadori amerikan, Greg Delawie, ka përshëndetur ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi. Delawie ka thënë se ky është një lajm i mrekullueshëm ."Ky është një lajm i mrekullueshëm. Kuvendi e ka bërë punën e duhur dhe i falënderoj deputetët që në mënyrë demokratike kanë votuar pro kësaj marrëveshje", tha Delawie. Kuvendi i Kosovës u shndërrua edhe në këtë mandat në një ambient eksperimentimi të përdorimit të gazit lotsjellës nga deputetët e opozitës. Këtë herë opozita e izoluar vetëm nga deputetët e 'Vetëvendosjes', në përpjekjen e tyre për ndalimin e votimit të Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Analistët politikë theksojnë se edhe kjo lojë joserioze e kësaj kaste politike është një lojë e pandershme, për të cilën duhet të ndëshkohet politika, e cila e paralizoi për tre vjet rresht Kosovën dhe perspektivën e saj evropiane si shtet. Madje krejt kjo lojë dyshohet se po bëhet jo vetëm me qëllim të përfitimit të poenëve politikë, por për më tepër edhe për të larguar fokusin prej krimit të organizuar dhe korrupsionit galopant në vend. Analistët konsiderojnë se qytetarët e Kosovës nuk e kanë merituar që tri vite rresht të humbin kot për çështjen e demarkacionit, përderisa krimi i organizuar dhe nëntoka kriminale kanë e kapur dhe e kanë në dorë çdo institucion të shtetit në Kosovë, edhe atë në të gjitha nivelet e pushtetit, e ku pothuajse bëjnë pjesë të gjitha partitë që po tallen me popullin, pasi që në momentin kur e marrin pushtetin po vrapojnë ekskluzivisht pas zhvatjes së qindra milionave, keqpërdorimit të detyrës zyrtare, korrupsionit e deri te inkriminimi i thellë në krimin e organizuar. Në këtë lojë iu zbardhën fytyrat e vërteta të gjitha partive politike, pa dallim, duke përfshirë gjithsesi edhe të korruptuarit e VV-së, që në momentin kur po e marrin pushtetin, e që do thotë se në momentin kur po e nuhasin paranë publike, privilegjet, përparësitë, pasurimin, po harrojnë çdo gjë tjetër që i takon popullit e sovranit, për t'iu përkushtuar vetëm zhvatjes, hajnisë dhe krimit të organizuar. 

Image

Skenar i matrapazëve

Një gjykim shumë kritik për këtë lojë trevjeçare e ka analisti Ali Hertica."Për tre vjet subjektet politike nuk arritën të gjejnë formulën e zgjidhjes së çështjes së demarkacionit të kufirit më Malin e Zi, ku i lanë qytetarët e Republikës së Kosovës të izoluar në një getoizim të thellë, pa liberalizim të vizave, vetëm e vetëm nga patriotizmi dhe folklorizmat e tyre politikë që për mendimin dhe vlerësimin tim janë krejtësisht të rrejshëm", u shpreh ai."E gjithë kjo lojë e humbjes së kohës ishte vetëm për qëllime të matrapazëve politikë dhe atyre grupeve të krimeve ekonomike dhe politike. E gjithë kjo situatë është e pakuptimtë ku për liderizmin e tyre politik e kanë lënë qytetarin në pritje për të qenë pjesë e lëvizjes së lirë", potencoi Hertica."Kjo situatë vërehet së është e kontrolluar nga nëntoka e krimit, duke përdorur pushtetin që është kapur pikërisht nga nëntoka e bandave kriminale për qëllimet e tyre që t'i zhvatin dhe tjetërsojnë milionat e qytetarisë së përvuajtur. Koha po i dëshmon dhe po i zbulon fytyrat e vërteta të populistëve të rrejshëm dhe dinakë për ta mbajtur shtetin në këtë situatë vetëm për t'i realizuar privilegjet e tyre për t'u pasuruar në kurriz të qytetarit", tha Ali Hertica për "Kosova Sot".

Image

Humbje kohe kot

Analisti politik Ragip Guraziu, thotë për gazetën "Kosova Sot" se kundërshtimi demokratik i kësaj marrëveshje ka tejkaluar të gjitha caqet normale dhe tani përveçqë u përdor ky kundërshtim për poenë politikë, e keqja akoma më e madhe është se po dalin akuza publike dhe informacione të paverifikuara, sipas së cilave ka gisht në këtë lojë edhe shërbimi sekret serb BIA. BIA serbe kishte paralajmëruar gazin lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe kjo doli e vërtetë. Në momentin kur po pritej votimi i marrëveshjes së Demarkacionit, deputeti i 'Vetëvendosjes', Xhelal Sveçla, ka hedhur gaz lotsjellës në Kuvend. Është e ditur që Kosova dhe qytetarët e saj po përjetojnë terr e tym për tre vjet reshtë, nga të zgjedhurit e tyre, si nga pozita po ashtu edhe nga opozita dhe tani për të vlerësuar atë se sa kanë qenë konkretë e korrektë në votën e tyre të shenjtë mbetet të shihet nga kjo që po ju kthehet bumerang, pasi Kuvendi i Kosovës edhe kësaj radhe u tymos", theksoi ai."Kosova dhe qytetarët e saj nuk kanë merituar këtë paralizim për tri vjet rresht nga politika me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Kjo kauzë u përdor vetëm për përfitime të poenëve politikë dhe për të larguar fokusin prej krimit të organizuar dhe korrupsionit galopant në vend, përderisa krimi i organizuar dhe nëntoka kriminale kanë kapur dhe kanë në dorë çdo institucion të shtetit në Kosovë edhe atë në të gjitha nivelet e pushtetit, nuk e kanë merituar as Kosova e as qytetarët e saj, por gabimet e njëpasnjëshme nga kjo strukturë politike po na kushtojnë vazhdimisht, si në të kaluarën edhe tani", tha Guraziu për "Kosova Sot". Ai shton se është e vërtetë që me qytetarin e Kosovës po tallen të gjitha partitë politike, pasi që në momentin kur po e marrin pushtetin po vrapojnë ekskluzivisht pas zhvatjes së qindra milionave, keqpërdorimit të detyrës zyrtare, korrupsionit e deri te inkriminimi i thellë në krimin e organizuar.

Image

Veprimet e dyshimta të Thaçit

Analisti politik Gani Qarri tha për "Kosova Sot" se ka disa vite që pasojat e veprimeve të dyshimta të Hashim Thaçit po i vuajnë drejtpërsëdrejti qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe problemin e demarkimit të kufirit jotransparent dhe të paqartë me Malin e Zi, i cili tanimë të gjithë jemi dëshmitarë se edhe po keqpërdoret për përfitime të poenëve politikë nga disa parti vendore dhe për të larguar vëmendjen nga krimi i organizuar dhe korrupsioni galopant në vend."Demarkacioni ishte vërtet një sfidë tejet e rëndë për të gjithë deputetët e Kosovës, ndaj megjithëse kanë kaluar pothuajse rreth tre vjet qëkur është nënshkruar kjo marrëveshje kontroverse dhe disa muaj të procedimit të saj nga Qeveria e Kosovës në Kuvend, problemi i demarkimit të kufirit me Malin e Zi, pavarësisht kësaj mbeti pezull, për shkak të mungesës së numrit të nevojshëm të votave. Fatkeqësisht, përveç frikës së natyrshme të aprovimit të një marrëveshje në dëm të Kosovës dhe të dyshimtë demarkimi për vendin tonë, votimi i Demarkacionit me votën e një deputeti "goran" nga përbërja e "Zajednicës" serbe, sjell pasoja të mëdha dhe të atilla saqë të prodhojë edhe një komunë gorane, e cila shkon vetëm në favor të Serbisë", potencoi ai."Kosova nuk mund dhe as nuk duhet që edhe më tej të humbë territor e për pasojë të pësojë edhe tkurrje të reja, ndaj të deleguarit e popullit duhet të jenë të kujdesshëm e të ruajnë tërësinë territoriale të vendit dhe kjo formë e demarkacionit, në vend se të votohej, paraprakisht do të duhej rrëzuar dhe të arrihet një marrëveshje e re me Malin e Zi, pasi që edhe komisioni i ri ka konstatuar se me projektin e vitit 2015 të Murat Mehës vendi ynë humb mbi 8200 hektarë tokë", tha Gani Qarri për "Kosova Sot". Sipas tij, qytetarët e Kosovës as që e kanë merituar t'i humbin gjithë këto vite kot për çështjen e demarkacionit, në vend që nga qeveritë përkatëse pikësëpari të luftohej në mënyrë të dinjitetshme, krimi i organizuar dhe nëntoka kriminale, të cilat kanë kapur shtetin dhe vënë nën kontroll çdo institucion të vendit dhe në të gjitha nivelet e pushtetit."Nuk duhet lënë mundësi për konflikte të hapura në të ardhmen, as gabime të cilat mund të shkaktojnë probleme qoftë edhe vetëm ndërmjet banorëve të pjesës kufitare, me Malin e Zi, kështu që versioni i dyshimtë e aspak transparent nga z. Meha, edhe nuk do të duhej të merrte mbështetjen e institucionit me të lartë legjislativ të vendit", vlerësoi Qarri për "Kosova Sot". Sipas tij, i gjithë ky cirkus i padenjë për popullin e Kosovës është një tallje e partive politike vendore me qytetarët e vendit, të cilat qysh në momentin kur marrin pushtetin, në vend se ta bëjnë si duhet detyrën për të cilën janë zgjedhur dhe kanë marrë besimin e votuesit, vrapojnë ekskluzivisht pas zhvatjes se qindra miliona eurove, keqpërdorimit të detyrës zyrtare, korrupsionit e deri tek inkriminimi i thellë në krimin e organizuar.

(Kosova Sot)