KAPITI:DREJTËSIA KUSHTON SHUMË SHTRENJTË, SEPSE ËSHTË ASHPËR E KAPUR NGA POLITIKA

  • 22 March 2018 - 16:27
KAPITI:DREJTËSIA KUSHTON SHUMË SHTRENJTË, SEPSE ËSHTË ASHPËR E KAPUR NGA POLITIKA
Analisti Skënder Kapiti thotë se edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, po shihet që drejtësia kushton shumë shtrenjtë, sepse është ashpër e kapur nga politika."Pra, drejtësia është bërë treg ku ka oferta të mëdha, pasi pothuajse nga padrejtësia e madhe është detyruar që e gjithë popullsia t'u drejtohet gjykatave. Kjo u ka dhënë shansin e artë spekulatorëve dhe matrapazëve të politikës, të pushtetit dhe të drejtësisë që kërkesën dhe nevojën e imponuar qytetarëve nga ana e tyre për drejtësi të shfrytëzojnë si mall tregu ligjin dhe të drejtën, të cilat politika dhe drejtësia i kanë bërë pronë të veta dhe të cilat t'ua shet atyre të cilët paguajnë më shumë", vlerësoi ai."Për drejtësinë si oferta dhe kërkesa janë të mëdha, por çmimi i mallit drejtësi, që e shet drejtësia, është shumë i lartë, gjë e cila ka sjellë rrënimin e atyre që realisht kanë më shumë se kushdo nevojë për drejtësi, por nuk e marrin dhe nuk e fitojnë atë, sepse nuk kanë fuqi monetare për ta blerë! Por për ta blerë cilën...?! Për ta blerë atë që u takon, të drejtën e tyre, atë që është e tyre", tha Skënder Kapiti për "Kosova Sot". Sipas tij, të dobëtit humbasin gjithçka, humbasin të drejtën, pronën, dinjitetin, lirinë, shpresën dhe fitojnë varfërinë, mjerimin e rrënimin dhe pastaj si të tillë edhe prej kësaj gjendjeje marrin eksodin dhe arratinë."Kjo ka mundësuar kështu që të inkriminohen jo vetëm drejtësia dhe politika, por edhe të dobëtit dhe të pafuqishmit që ata të kapitullojnë dhe të pajtohen me realitetin, pasi nuk kanë shansin dhe as mundësinë për ta ndryshuar gjendjen për nga e drejta dhe drejtësia", ka potencuar Kapiti. "Në këtë realitet, kur përmenden ligji, drejtësia, përgjegjësia, politika, profesionalizmi e meritokracia, menjëherë të shkon mendja te frika dhe ankthi se nga çasti në çast mund ta humbasësh pronën, tokën, biznesin, dyqanin, shtëpinë, punën, paranë dhe të sulmohesh, të grabitësh e të rrënohesh nga pushteti, politika dhe gjyqtari e prokurori dhe të kërcënohesh nga padrejtësia e pushtetit dhe e drejtësisë, por edhe nga droga, krimi ordiner dhe nga pasiguria. Kjo ndodh kështu sidomos në Shqipëri", tha Skënder Kapiti për "Kosova Sot"