Qarri:Veprimet e dyshimta të Thaçit

  • 22 March 2018 - 16:29
Qarri:Veprimet e dyshimta të Thaçit
Analisti politik Gani Qarri tha për "Kosova Sot" se ka disa vite që pasojat e veprimeve të dyshimta të Hashim Thaçit po i vuajnë drejtpërsëdrejti qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe problemin e demarkimit të kufirit jotransparent dhe të paqartë me Malin e Zi, i cili tanimë të gjithë jemi dëshmitarë se edhe po keqpërdoret për përfitime të poenëve politikë nga disa parti vendore dhe për të larguar vëmendjen nga krimi i organizuar dhe korrupsioni galopant në vend."Demarkacioni ishte vërtet një sfidë tejet e rëndë për të gjithë deputetët e Kosovës, ndaj megjithëse kanë kaluar pothuajse rreth tre vjet qëkur është nënshkruar kjo marrëveshje kontroverse dhe disa muaj të procedimit të saj nga Qeveria e Kosovës në Kuvend, problemi i demarkimit të kufirit me Malin e Zi, pavarësisht kësaj mbeti pezull, për shkak të mungesës së numrit të nevojshëm të votave. Fatkeqësisht, përveç frikës së natyrshme të aprovimit të një marrëveshje në dëm të Kosovës dhe të dyshimtë demarkimi për vendin tonë, votimi i Demarkacionit me votën e një deputeti "goran" nga përbërja e "Zajednicës" serbe, sjell pasoja të mëdha dhe të atilla saqë të prodhojë edhe një komunë gorane, e cila shkon vetëm në favor të Serbisë", potencoi ai."Kosova nuk mund dhe as nuk duhet që edhe më tej të humbë territor e për pasojë të pësojë edhe tkurrje të reja, ndaj të deleguarit e popullit duhet të jenë të kujdesshëm e të ruajnë tërësinë territoriale të vendit dhe kjo formë e demarkacionit, në vend se të votohej, paraprakisht do të duhej rrëzuar dhe të arrihet një marrëveshje e re me Malin e Zi, pasi që edhe komisioni i ri ka konstatuar se me projektin e vitit 2015 të Murat Mehës vendi ynë humb mbi 8200 hektarë tokë", tha Gani Qarri për "Kosova Sot". Sipas tij, qytetarët e Kosovës as që e kanë merituar t'i humbin gjithë këto vite kot për çështjen e demarkacionit, në vend që nga qeveritë përkatëse pikësëpari të luftohej në mënyrë të dinjitetshme, krimi i organizuar dhe nëntoka kriminale, të cilat kanë kapur shtetin dhe vënë nën kontroll çdo institucion të vendit dhe në të gjitha nivelet e pushtetit."Nuk duhet lënë mundësi për konflikte të hapura në të ardhmen, as gabime të cilat mund të shkaktojnë probleme qoftë edhe vetëm ndërmjet banorëve të pjesës kufitare, me Malin e Zi, kështu që versioni i dyshimtë e aspak transparent nga z. Meha, edhe nuk do të duhej të merrte mbështetjen e institucionit me të lartë legjislativ të vendit", vlerësoi Qarri për "Kosova Sot". Sipas tij, i gjithë ky cirkus i padenjë për popullin e Kosovës është një tallje e partive politike vendore me qytetarët e vendit, të cilat qysh në momentin kur marrin pushtetin, në vend se ta bëjnë si duhet detyrën për të cilën janë zgjedhur dhe kanë marrë besimin e votuesit, vrapojnë ekskluzivisht pas zhvatjes se qindra miliona eurove, keqpërdorimit të detyrës zyrtare, korrupsionit e deri tek inkriminimi i thellë në krimin e organizuar