Thaçi bëhet i gjallë, e konfirmon vetë që është në Amerikë

  • 22 March 2018 - 16:49
Thaçi bëhet i gjallë, e konfirmon vetë që është në Amerikë

Një ditë pasi ka folur Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se ndodhet në SHBA për shkak të Kosovës, këtë e ka bërë edhe Presidenti Hashim Thaçi. Ai ka thënë se ndodhet në SHBA për t'u koordinuar me Washingtonin për bisedimet me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas raportimeve se ai po zhvillonte një vizitë të fshehtë në SHBA, ku gjendej edhe Aleksander Vuçiq, ka konfirmuar edhe vetë se po qëndron në Washington. Për Radion Evropa e Lirë, Thaçi ka thënë se ka shkuar atje për të vazhduar bisedimet më ndihmëssekretarin amerikan të shtetit, Wess Mitchell, i cili javë më parë vizitoi Prishtinën.

President Thaçi, a mund të na tregoni paraprakisht se ku gjendeni momentalisht?

Hashim Thaçi: Në kuadër të parapërgatitjeve për vazhdimin e dialogut me Serbinë, që do të ndodhë nesër (të premten), jam në Uashington për të bashkë-koordinuar aktivitetet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi që do të hyjmë në një fazë të re, të rëndësishme dhe i tërë përkushtimi duhet të jetë i koordinuar mirë dhe natyrisht i qartë për sot, por edhe për të ardhmen. Pra, do të jetë një proces që do të hap periudhën e arritjes finale të marrëveshjes për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Natyrisht që kjo çështje është e ndjeshme dhe kërkon koordinim me të gjithë partnerët dhe miqtë, por adresa kryesore për Kosovën mbetet Uashingtoni, raporton REL.

Me kë do të takoheni në Uashington, a mund ta dimë?

Hashim Thaçi: Unë do të vazhdoj takimet edhe sot me Ëess Mitchell (ndihmëssekretarit amerikan i shtetit) me të cilin do të diskutoj për aktualitetin që e kemi sot, por edhe hapat e mëtutjeshëm.

Çka mund të pritet nga ana e juaj nga ky takim me Ëess Mitchell. Keni ndonjë kërkesë në lidhje me vazhdimin e dialogut në Bruksel?

Hashim Thaçi: Nuk është çështje e kërkesës, kjo është një domosdoshmëri që është shtruar nga të gjithë akterët ndërkombëtarë sepse shteti i Kosovës ka nevojë për t’u konsoliduar në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Ka nevojë për më shumë njohje, por në të njëjtën kohë, ajo që neve na duhet është fqinjësia e mirë mes Kosovës dhe Serbisë, një raport evropian që do të rezultojë me njohje reciproke, me paqe e stabilitet në rajon. Natyrisht edhe një të ardhme evropiane, që të jemi pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian.

(Kosova Sot)