Ryshfeti nënshtron edhe Qeverinë 'Haradinaj'

  • 23 March 2018 - 20:05
Ryshfeti nënshtron edhe Qeverinë 'Haradinaj'

INVESTIMET, TË BLLOKUARA NGA HARAÇI DHE SHANTAZHET

Mitoja me vlera të larta është bërë pengesë investimesh

"Mitoja e ryshfeti me vlera e përqindje të larta në Kosovë janë bërë të pashmangshme nëpër të gjitha qeveritë komunale, sikur edhe në të gjitha ministritë qeveritare dhe deri në majat e saj. Andaj, e them lirshëm se edhe me Qeverinë 'Haradinaj' nuk ka asnjë shpresë që biznesi të çlirohet nga tutela e pushtetit të inkriminuar dhe nëntoka, që janë të lidhur me pushtetin, si atë qendror ashtu edhe atë lokal, që i ka shantazhuar, reketuar e bllokuar për të mos u zhvilluar deri tani", potencoi deputeti Salih Salihu për "Kosova Sot"

Askush nga njohësit e kësaj fushe nuk është në dijeni se kur do t'u hapet rruga investimeve vendore dhe të huaja dhe kur do të largohen dhe eliminohen pengesat, bllokadat dhe barrierat e qëllimshme, për motive korruptive e të inkriminuara, deri në krim të organizuar. Sipas analistëve, mitoja me vlera të larta është bërë e pashmangshme nëpër të gjitha qeveritë komunale, sikur edhe në të gjitha ministritë qeveritare dhe deri në majat e saj. Andaj, për momentin mbetet një enigmë e madhe se a ka shpresë biznesi që të çlirohet nga tutela e pushtetit të inkriminuar dhe nëntoka e lidhur me pushtetin, si atë qendror ashtu edhe atë lokal, që i ka shantazhuar, reketuar e bllokuar për të mos u zhvilluar deri tani.

Së këndejmi nga analistët edhe po shtrohet pyetja se për çfarë motivesh korruptive prokuroria e gjykatat dështuan që t'u japin "mësim e leksionin e duhur" të shumë inkriminuarve e kriminelëve të instaluar në pozita të larta në pushtetin qendror dhe në pushtetin lokal, por edhe të "nëntokës" kriminale e mafioze, të lidhur me ta, për frikësimin e bllokimin e investitorëve të huaj, sikur edhe të investitorëve të brendshëm, përmes shantazheve, përmes bllokimit e refuzimit të licencave me ligj e Kushtetutë, të bllokimit e refuzimit të lejeve të ndërtimit dhe të investimeve të të gjithë atyre që nuk janë të lidhur kriminalisht me pushtetarët e inkriminuar, duke kërkuar e kushtëzuar me dhënie të ryshfeteve milionëshe dhe formave të tjera të paligjshme. Analistët vlerësojnë se nëse prokuroria e gjyqësia do t'i fuste në burg disa prej tyre, atëherë do të kishim frenim të kësaj dukurie kriminale dhe një ambient pak më të pastër e më të lehtë e sigurt për investime, e jo siç jemi bërë për shumë kohë dhe tani një "shtet i haraçit" dhe po nuk patën përqindje politikanët e pushtetshëm, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, bllokojnë çfarëdo iniciative për investime e zhvillim dhe punësim e mirëqenie ekonomike tani e më shumë se 10 vjet rresht. 

Image

Legjislacioni jo i favorshëm 

Analistët alarmojnë duke pyetur se si po dëmtohen jo vetëm investitorët që nuk janë pjesë e nëntokës kriminale të klanit 'Pronto', por edhe qytetarët dhe mirëqenia e tyre në mungesë punësimi, sikur edhe buxheti i shtetit. Analisti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për gazetën "Kosova Sot" tha se investitorët e huaj kanë perceptim negativ për Kosovën, e janë shumë faktorë që kanë ndikuar te krijimi i këtij perceptimi. "Perceptimi negativ krijon vështirësi të mëdha në investime, sepse askush nuk investon dhjetëra apo qindra miliona në një vend ku nuk ka siguri të plotë", u shpreh ai.

"Sipas ekspertëve të ekonomisë, Kosova ka probleme të mëdha, duke përfshirë ato ligjore e burokratike, për të siguruar investime të huaja, ndërsa kriza politike krijon një imazh edhe më të keq, pasi investitorët seriozë nuk i rrezikojnë paratë e tyre në një vend ku ka kriza politike dhe paqëndrueshmëri institucionale", tha Lulzim Beqiri për "Kosova Sot"

"Ligji aktual për investime nuk është i favorshëm për investitorët e huaj, andaj institucionet përkatëse duhet që shumë shpejt të hartojnë politika të përshtatshme për investime. Pastaj mungesa e sundimit të ligjit, korrupsioni, mungesa e energjisë elektrike, mungesa e mbështetjes institucionale, kamatat e larta, burokracia e tmerrshme shtetërore, politikat e pafavorshme fiskale, janë disa prej pengesave që kanë bërë që investitorët ose të largohen nga vendi, ose të mos vijnë fare", potencoi Beqiri. "Investimet e huaja direkte janë shumë pozitive, sepse krijojnë mundësinë për rritjen e punësimit dhe rritjen e GDP-së në ekonominë e Kosovës. Po ashtu, krijojnë mundësinë që ta zvogëlojnë importin dhe ta rrisin eksportin, gjë që do të ndikonte në zhvillimin ekonomik të Kosovës", ka shtuar më tutje ai. 

Mitoja, e zakonshme në çdo nivel pushteti

Analisti Mustafë Kadriaj tha për "Kosova Sot" se korrupsioni dhe krimi i organizuar ekonomik për fat të keq nuk janë më lajm, pra diçka e re për opinionin. "Është bërë sistem i qeverisjes dhe të dy nivelet, si qendrore dhe lokale, e sidomos në ato qytete ku lëshohen lejet e ndërtimit, si kundërvlerë të lejes qeveritarët bëhen pronarë të banesave dhe lokaleve pa derdhur asnjë pikë djersë, po ashtu edhe me rastin e tenderëve qeveritarët përveç mitës si dhuratë (por jo të ligjshme kuptohet) i kanë edhe pushimet verore, ndonjë telefon të serisë së fundit e për dreka e darka ato janë më se normale", u shpreh ai."Kjo katrahurë e keqqeverisjes në të dy nivelet do të marrë fund, sepse Ligji i demarkacionit me shtetin e Malit të Zi i ka hapur rrugë që Bashkimi Evropian të jetë edhe më këmbëngulës që krimi i organizuar dhe ata qeveritarë që kanë grumbulluar pasuri që nuk mund të arsyetojnë sipas të hyrave reale të tyre duhet të arrestohen dhe të dalin para drejtësisë, sepse përndryshe Kosova do të mbetet pikë e zezë e Evropës që edhe vetë Bashkimi Evropian nuk është i interesuar", vijoi më tej analisti Kadriaj."Duke u bazuar në praktika të Kroacisë dhe të Serbisë, duke arrestuar nivele më të larta qeverisëse, mendoj që edhe Kosova duhet të kalojë po nga kjo rrugë, sepse Bashkimi Evropian është shumë këmbëngulës në kritere, sidomos ndaj Kosovës", tha ai.

Liberalizimi krijon mundësi të reja

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, për "Kosova Sot" tha se rruga do t'u hapet investimeve vendore dhe të huaja në momentin kur liberalizohen vizat, ngase këto 3 vitet e fundit kanë qenë shumë dëshpëruese për qytetarët, nga viti 2015 e deri më sot mbi 70 mijë qytetarë kanë ikur ilegalisht nga Kosova duke shkuar në shtetet e BE-së. "Me votimin e demarkacionit, që është pritur shumë kohë, bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat kanë qenë të ngujuara, së shpejti do të kenë një dritë shprese për mbijetesë", tha ai.

"Politikanëve me prapavijë mafioze shumë shpejt do t'u vijë fundi, biznesmenët e korruptuar dhe të dirigjuar nga mafia së shpejti do të arrestohen, kjo do të ndodhë për shkak se ka ardhur koha që të zbatohet ligji me përpikëri, 100 për qind", u shpreh Dardan Grapci për "Kosova Sot" 

Afaristi Ramadan Maloku thotë për "Kosova Sot" se pa një qeverisje me duar të pastra dhe me një drejtësi të vendosur që të luftojë krimin e korrupsionin nuk ka investime nga jashtë."Kjo do të ndodhë vetëm atëherë kur prokuroria dhe gjyqësia do të fusin në burg disa prej këtyre kapove të krimit, atëherë do të kishim frenim të kësaj dukurie kriminale dhe një ambient pak më të pastër e më të lehtë e të sigurt për investime", tha ai.

"Me këtë formë të qeverisjes së deritashme po dëmtohen jo vetëm investitorët vendorë e të huaj që nuk janë pjesë e nëntokës kriminale të klanit 'Pronto', por edhe qytetarët dhe mirëqenia e tyre, në mungesë punësimi, sikur edhe buxheti i shtetit", tha Ramadan Maloku për "Kosova Sot"

"Nuk do të ketë investime siç janë bërë për shumë kohë dhe tani një 'shtet i haraçit' dhe po nuk patën përqindje politikanët e pushtetshëm, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, bllokojnë çfarëdo iniciative për investime, zhvillim dhe punësim e mirëqenie ekonomike tani e më shumë se 10 vjet rresht", ka thënë Maloku. 

Image

Ngërçi vazhdon edhe më tutje

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sali Salihu (deputet i pavarur), tha se është shumë e vështirë që me këtë qeveri t'u hapet rruga investimeve vendore dhe të huaja dhe se do të largohen dhe eliminohen pengesat, bllokadat dhe barrierat e qëllimshme për motive korruptive e të inkriminuara deri në krim të organizuar. "Mitoja e ryshfeti me vlera e përqindje të larta në Kosovë janë bërë të pashmangshëm nëpër të gjitha qeveritë komunale, sikur edhe në të gjitha ministritë qeveritare dhe deri në majat e saj. Andaj e them lirshëm se edhe me Qeverinë 'Haradinaj' nuk ka asnjë shpresë që biznesi do të çlirohet nga tutela e pushtetit të inkriminuar dhe nëntoka që janë të lidhur me pushtetin, si atë qendror ashtu edhe atë lokal që i ka shantazhuar, reketuar e bllokuar për të mos u zhvilluar deri tani", potencoi ai.

"Është për keqardhje se përse asnjë qeveri deri më tash nuk qe e vendosur që bashkë me një prokurori e gjykatë të gjitha këto dështuan që t'u japin "mësim e leksionin e duhur" të shumë-inkriminuarve e kriminelëve të instaluar në pozita të larta në pushtetin qendror dhe në pushtetin lokal, por edhe të 'nëntokës' kriminale e mafioze, të lidhur me ta, për frikësimin e bllokimin e investitorëve të huaj sikur edhe të investitorëve të brendshëm, përmes shantazheve, përmes bllokimit e refuzimit të licencave me ligj e Kushtetutë, të bllokimit e refuzimit të lejeve të ndërtimit dhe të investimeve të të gjithë atyre që nuk janë të lidhur kriminalisht me pushtetarët e inkriminuar, duke kërkuar e kushtëzuar me dhënie të ryshfeteve milionëshe dhe formave të tjera të paligjshme", ka vlerësuar deputeti Salihu.

(Kosova Sot)