Pacolli në gjah deputetësh minoritarë PËR TË SHPËTUAR MINISTRIT

  • 24 March 2018 - 08:06
Pacolli në gjah deputetësh minoritarë PËR TË SHPËTUAR MINISTRIT

PARALAJMËROHET RIFORMATIM I QEVERISË, PAS LËVIZJEVE NË KUVEND

Ligjvënësit konfirmojnë aksionin e AKR-së me dy deputetë

Shpresojmë se bisedat tona do të përfundojnë me plotësimin e kërkesave tona dhe ato kryesisht kanë të bëjnë me punësimin e pjesëtarëve të komuniteteve tona në institucionet e shtetit të Kosovës", tha deputetja Emilija Rexhepi për "Kosova Sot"

Për momentin mbetet e paqartë se a do të iniciojë opozita kosovare rrëzimin e Qeverise "Haradinaj", siç ka kërkuar më herët apo tani pas rikthimit të deputetes që i ndërron fjalët dhe qëndrimet më shpesh se rrobat, Donika Kadajt në AAK do t'i merren 2 ministri zëvendëskryeministrit, Behgjet Pacolli, i cili aktualisht po udhëheq me 4 ministri në Qeverinë "Haradinaj", edhe pse AKR-ja numëron vetëm dy deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Burimet e gazetës, por edhe deputetët e analistët, ndërkaq, flasin për atë se si po tenton Behgjet Pacolli ta kërkojë shpëtimin nga deputetët pa grup parlamentar të minoriteteve. Ata theksojnë faktin se si po përpiqet Pacolli që dy deputetëve të tij t`ia shtojë edhe 4 deputetë pa grup të minoriteteve, duke e shtuar numrin e deputeteve në 6 sish me qëllim që të formojë grup parlamentar, për t'u faktorizuar edhe më shumë brenda Qeverisë, duke mbajtur të gjitha ministritë në Qeverinë "Haradinaj", që ekzistenca e koalicionit të varet nga këta deputetë të blerë të kreut të AKR-së.

Analistët, ndërkaq, flasin për atë se si po bëjnë pazar pushtetarët e të gjitha partive politike vetëm për interesa personale dhe të nëntokës kriminale të instaluar në institucionet e larta të shtetit, duke e lënë anash interesin e vendit.

Konfirmohen bisedimet me parlamentarët e minoriteteve joserbe

Deputeti i opozitës Ali Lajçi(LVV) tha për "Kosova Sot", se opozita së shpejti do të kërkojnë dorëheqjen e kësaj Qeverie, por janë duke pritur një moment më të favorshëm politik. Ai pohon se ka informacione për lëvizjen e re politike të Pacollit. "Tendencat e zëvendëskryeministrit Pacollit tashmë janë orientuar në rritjen e numrit të deputetëve në Kuvendin e Kosovës dhe ai është fokusuar tek deputetët e pakicave", u shpreh Lajçi.

Ndonëse gazeta është munduar që të marrë opinionet se çka thonë për këtë çështje deputetet e Kuvendit të Kosovës, Labinot Tahiri (AKR), Slobodan Petroviq nga Partia Liberale Serbe dhe Veton Berisha nga Partia Liberale e Egjiptasve, gazeta nuk ka marrë përgjigje, sepse deputetët nuk janë prononcuar për gazetën.

Ndërkaq, për gazetën kanë folur vetëm dy deputetë, Hetem Arifi nga PAI, si dhe deputetja Emilija Rexhepi nga NDS-ja, që kanë konfirmuar se kanë marrë ofertë nga z Pacolli që t'i bashkëngjiten grupit të deputetëve të kësaj partie që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Deputeti Hetem Arifi, për gazetën"Kosova Sot', tha shkurtazi se kanë marrë një ofertë konkrete nga Pacolli. "Deri më tash nuk ka asgjë konkrete, sepse jemi në fazën e bisedimeve fillestare", u shpreh ai. Ndërsa deputetja e komunitetit mysliman, Emilija Rexhepi, për " Kosova Sot ", tha se është e vërtetë se si një grup i pavarur parlamentar kanë një ofertë nga zëvendëskryeministri Pacolli që t'i bashkëngjitkemi grupit të tyre parlamentar. "Por, deri më tash nuk ka asgjë konkrete nga këto bisedime", theksoi ajo.

Image

Zgjedhjet në dorën e PDK-së

Analisti Arsim Haziri, për gazetën " Kosova Sot ", tha se për krijimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë kërkohet mjaftueshëm masë parlamentare, po ashtu edhe një koordinim i ngushtë mes subjekteve opozitare. "E, në këtë çështje nuk e di sesa ekziston një klimë pozitive brenda subjekteve opozitare ( LVV dhe LDK ). LDK-ja gjithnjë ka bërë thirrje për rrëzimin e kësaj Qeverie. Sipas saj, Qeveria akoma nuk ka arritur të realizojë as minimalisht programin e saj dhe kësisoj nuk meriton të udhëheqë me vendin më tutje", u shpreh ai.

"Unë si qytetar, si zgjidhje të problemeve themelore në kuptimin e krijimit të qeverisjes si koalicione i shohë 'Vetëvendosjen' dhe LDK-në, duke mos përjashtuar edhe subjektin që do të formohet së shpejti. PDK-ja duhet të shkojë në opozitë për t'i krijuar vendit perspektivë të përgjithshme", theksoi Arsim Haziri për "Kosova Sot"

"Në këtë linjë Lëvizja 'Vetëvendosje' një kohë ka heshtur, meqë ishte duke u përballur me përçarjet e brendshme dhe realisht nga subjekti më i madh parlamentar kaloi në vendin e tretë. Tashmë edhe nga ky subjekt kemi përqafim të retorikës së LDK-së, për shkuarje të vendit drejt zgjedhjeve nacionale, çka sipas tyre vendi mund të pësojë ndryshime në të tria pushtetet", vlerësoi Haziri. " Në këtë linjë konsideroj se shkuarja e vendit në zgjedhje varet nga niveli opozitar po ashtu edhe nga partneri qeverisës (PDK), që me shumë gjasë do të jetë faktori relevant në këtë çështje, duke i njohur edhe ambiciet e Veselit",thotë analisti Haziri. Sipas tij, edhe Pacolli akoma vazhdon të ketë pushtet të konsiderueshëm, pavarësisht përqindjes zgjedhore që ka marrë. 

Ndërsa, analisti Ilir Fetahu, për gazetën"Kosova Sot", tha se në situatën e krijuar do të ishte më mirë të mbahen zgjedhjet e reja dhe të krijohet një Qeveri stabile. "Kosovës kjo Qeveri e tashme po i sjell vetëm dëme, sepse ata nuk janë njerëz kredibilë e profesionistë dhe me integritet si do të duhej të ishte Qeveria e Kosovës", vlerësoi Fetahu. 

"Sa më shpejt që të mbahen këto zgjedhje nacionale është në të mirë të Kosovës, sepse definitivisht këta njerëz nuk e meritojnë të jenë në jetën publike dhe në krye të Kosovës", tha Ilir Fetahu për "Kosova Sot"

 

Image

Kush ka më pak vota merr më tepër pushtet 

Eksperti i fushës së Integrimeve Evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën" Kosova Sot", tha se në shumë aspekte të tjera Kosova në veprimin politik po bëhet rast "sui generis", një rast i veçantë në politikën ndërkombëtare, sepse nuk ka vend në planet që ndodh që 6 për qind të minoritetit, siç është ai serb, të jenë të barabartë e mbase edhe më shumë të drejta sesa kanë 90 për qind e shqiptarëve.

"Vetë fakti se kemi një shef të diplomacisë si Behgjet Pacolli, kjo na tregon më së miri se kemi të bëjmë me një njeri shumë të dëmshëm për politikën vendore, sepse nuk solli asnjë të mirë për Kosovën që kur është në këtë post", theksoi Jeton Kelmendi për "Kosova Sot" 

"Kemi një kryeministër që kishte vetëm 8 -10 për qind të votave të marra nga populli e tash pasi doli në gjah dhe e bleu edhe një deputete, duke i bërë 11 deputetë, sërish i bie të jetë partia e 5-të në vend, ndërsa LDK-ja e para, PDK-ja e dyta, LVV e treta, Grupi i deputetëve të Pavarur i katërti dhe AAK-ja partia e kryeministrit, është partia e pestë në vend. AKR-ja, që është partia e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, është diku partia e 8 apo e 9 në vend dhe e tëra kjo tregon se sa absurde është politika dhe sa qesharake është demokracia në Kosovë", shpjegoi më tutje ai.

Ndërsa për lojën e Pacollit me grupet parlamentare, analisti Kelmendi thotë se sa më shumë të zgjatë kjo Qeveri dëmet për vendin do të jenë më të mëdha. Sipas Kelmendit, kreu i MPJ-së është duke bërë vazhdimisht skandale diplomatike, duke e përkeqësuar edhe më tej pozicionin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. 

 

(Kosova Sot)