Mashtrimi me vizat DËSHPËRON KOSOVARËT

  • 24 March 2018 - 07:54
Mashtrimi me vizat DËSHPËRON KOSOVARËT

DEMARKACIONI NUK ISHTE KRITERI VENDIMTAR

Edhe pse u ratifikua marrëveshja e kufirit me Malin e Zi, liberalizimi nuk po ndodh

"Po del se deklarimet e qeveritarëve që Kosova mund të ketë liberalizim vizash deri në fund të këtij viti janë vetëm farsë dhe asgjë tjetër. Në Kosovë nuk ka sundim të ligjit dhe të rendit, nuk funksionojnë shteti i së drejtës dhe as drejtësia, të cilën e ka kapur mafio-politika dhe pushteti i inkriminuar, i cili kontrollon çdo sferë të jetës në këtë vend, e gjithashtu korrupsioni galopant vazhdon të arrijë majat e shtetit, si në pushtetin qendror ashtu edhe në atë lokal", tha Naim Kelmendi për "Kosova Sot"

Ekzaltimi i klasës politike në pushtet dhe mashtrimi i qytetarëve me premtimin se pas ratifikimit të marrëveshjes së Demarkimit të kufirit me Malin e Zi heqja e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës nga BE-ja do të jetë punë e kryer dhe vetëm çështje ditës, ka marrë fund brenda 24 orësh, duke dalë krejt e pavërtetë, ngase të gjitha reagimet ndërkombëtare i kanë rikujtuar kastës politike në pushtet që tani është në rend të parë dhe i vetëm, kriteri më i rëndë dhe më serioz për heqjen e vizave, e që është dëshmimi i rezultateve konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Në këtë rrafsh është deklaruar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, i cili ka uruar përfaqësuesit institucional të Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, por ka thënë se sa i përket liberalizimit të vizave ka ende punë për t'u bërë. Sipas analistëve politikë, angazhimi serioz i përfaqësuesve ndërkombëtarë në ushtrimin e presionit ndaj institucioneve të shtetit të Kosovës që tani të merren seriozisht me krimin e korrupsionin tregon më së miri se si i mashtruan dhe po i mashtrojnë akoma qytetarët, partitë politike në pushtet, se pas demarkacionit menjëherë do të ketë liberalizim vizash.

Analistët theksojnë se deklarimet e para të ambasadave të ndryshme nëKosovë pas ratifikimit të Demarkacionit, tërheqja e vërejtjes që luftimi i krimit dhe korrupsionit të bëhet me veprime e jo me fjalë, flet më së miri se sa fuqishëm është duke vëzhguar BE-ja Kosovën, për të parë dhe vlerësuar se sa janë në gjendje institucionet e Kosovës ta luftojnë korrupsionin e krimin e organizuar dhe të kapin ndonjë peshk të madh të tej kriminalizuar. Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, përmes një postimi në 'Twitter', ka bërë të ditur se ka takuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Siç ka bërë të ditur Hahn, presidenti Thaçi i ka konfirmuar atij përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar. "Kjo është mënyra më e mirë dhe më e shpejtë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës", ka shkruar tutje Hahn. 

Image

 

Farsa e pushtetit

Analisti politik Naim Kelmendi figurativisht thotë se tani po del që rrena i ka këmbët e shkurta dhe këtë më së miri po e zbulojnë reagimet e ambasadorëve dhe zyrtarëve të BE-së, të cilët tani e kanë drejtuar kërkesën e tyre serioze në një pikë të vetme, në sundim të ligjit dhe luftim të krimit të organizuar.

"Edhe pse u propagandua me pompozitet nga kjo klasë politike në pushtet për kalimin e Demarkacionit me retorikën e vazhdueshme "votim i Demarkacionit, ose izolim i Kosovës" dhe kështu u arrit që me 80 votat e turpit të përjetshëm të votohet Demarkacioni, në të vërtetë Marrëveshja e 26 gushtit 2015, që de fakto ia fal 8300 hektarë tokë të Rugovës, respektivisht të Kosovës, Malit të Zi, pa u bërë as plot 24 orë nga votimi i Demarkacionit me 80 votat e turpit dhe kundërkushtetuese, filluan deklarimet e para nga përfaqë- suesit e BE-së në Kosove dhe sikur e tha edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, se kushti tjetër i fundit për liberalizimin e vizave është krimi i organizuar dhe korrupsioni", u shpreh ai.

Nuk ka sens të shpresohet se pikërisht nga të inkriminuarit në krim e korrupsion të luftohet krimi i organizuar e korrupsioni, pra që i bie se këta duhet ta luftojnë vetveten, kështu që fatkeqësisht mbetet pak për të shpresuar, prandaj edhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës duket ende shumë i largët në horizont", tha Naim Kelmendi për "Kosova Sot"

"Pra, po del se deklarimet e qeveritarëve që Kosova mund të ketë liberalizim vizash deri në fund të këtij viti është vetëm farsë dhe asgjë tjetër. Në Kosovë nuk ka sundim të ligjit dhe të rendit, nuk funksionojnë shteti i së drejtës dhe as drejtësia, të cilën e ka kapur mafio-politika dhe pushteti i inkriminuar, i cili kontrollon çdo sferë të jetës në këtë vend, e gjithashtu korrupsioni galopant vazhdon të arrijë majat e shtetit, si në pushtetin qendror ashtu edhe në atë lokal. Në këtë vend vazhdojnë të jenë të mbrojtura kokat e krimit bashkë me mafio-oligarkët e korruptuar e të kriminalizuar dhe ato defakto e de-jure qëndrojnë mbi ligjin dhe qeverisin apo kontrollojnë shtetin duke ia vrarë ardhmërinë qytetarit të këtij vendi", potencoi Kelmendi për "Kosova Sot".

Oligarkët nuk e luftojnë veten

Të tej mashtruar i sheh qytetarët e Kosovës nga kjo kastë politike me premtimin e lëvizjes së lirë pa viza, pas ratifikimit të demarkacionit, edhe analisti Ragip Guraziu. "Ky ishte vetëm mashtrimi i radhës së qytetarëve nga partitë politike se pas demarkacionit menjëherë do të ketë liberalizim vizash, ndonëse të gjithë tani po e dimë dhe po e shohim që kjo nuk ka shanse të ndodhë, sidomos kur po varet nga vendorët, por do të bëhet realitet veçse nëse ndodh ndonjë mrekulli nga ndërkombë- tarët. Po e them këtë sepse po të kishin një vullnet të tillë, partitë politike nuk do na kishin sjellë deri tani në këtë gjendje ku jemi. Dhe derisa nuk e kanë pasur një vullnet tillë deri tani, nuk besoj që do të ndryshojnë tash e tutje dhe nuk do e kenë edhe tani atë vullnet, sidomos në këtë vit, sepse nuk dinë, apo më mirë të themi më qartë nuk duan që t'i përshpejtojnë veprimet që po na kërkohen nga të tjerët", u shpreh ai.

"E vërteta është se tani zyrtarët e BE-së janë duke vëzhguar seriozisht Kosovën, se sa këta janë në gjendje që institucionet e Kosovës të luftojnë korrupsionin e krimin e organizuar dhe të kapin ndonjë peshk të madh të tej kriminalizuar", tha Ragip Guraziu për "Kosova Sot"

"E vetmja mrekulli për këtë vit mund të jetë, në rast se kanë një vullnet të mirë ndaj qytetarëve të Kosovës, vetë ndërkombëtarët që të na e sigurojnë lëvizjen e lirë, e këtyre partive politike t'ua caktojë një afat se kur duhet përmbushur këto premtime ose t'i izolojnë ato, se ndryshe nuk ka viza për këtë vit për fajin e politikanëve tanë, jo për fajin e qytetarëve. Për këtë arsye edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, uroi përfaqësuesit institucionalë të Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, por i porositi seriozisht ata, ua tërhoqi vërejtjen kur u tha se sa i përket liberalizimit të vizave ka ende punë për t'u bërë. E ka thënë këtë shumë qartë, duke pasur parasysh se ai është në dijeni të plotë se si po i mashtrojnë qytetarët e Kosovës të gjitha partitë politike se pas demarkacionit menjëherë do të ketë liberalizim vizash", potencoi Guraziu. "Ata janë në dijeni se nuk mund t'i luftojnë mafio-oligarkët e korruptuar, veten, prandaj edhe tërheqin vërejtjen se është e pamundshme që të pritet të përmbushet edhe kriteri i vetëm i mbetur për të përfituar liberalizimin e vizave, me këtë kastë politike të korruptuar deri në palcë", tha Guraziu për "Kosova Sot".

Image

 

Demarkacioni nuk ishte kryesori

Edhe profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, tha për "Kosova Sot" se tash me vite dihet se për liberalizimin e vizave kanë qenë dy kushte dhe ka mbetur edhe një kusht për t'u përmbushur që të fillojë procedura për liberalizimin e vizave."Kushti i demarkacionit kaloi, por ky kusht nuk ishte kryesori dhe më i domosdoshmi për liberalizim. Më shumë kjo çështje është futur në kushtet e liberalizimit të vizave si rezultat e konflikteve të brendshme midis partive politike, gjendjes së krijuar dhe qëllimit të klanit "PRONTO" për të bërë problem me këtë, në mënyrë që të vonohet dhe kështu të amnistohen shumë nga kërkesat dhe veprimet e faktorit të jashtëm ndaj tyre, sidomos klikës që tash e mbi një decenie është në pushtet. \

Dhe, kjo pjekuri kriminale korri sukses. U vazhdua me konflikte të mëdha, të cilat e bënë jetën e klanit "PRONTO" shumë të qetë dhe tejet të suksesshme", theksoi ai. "Kushti i dytë, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, ishte kusht shumë më themelor dhe çdokush që merr vesh nga politika e BE-së e ka ditur gjendjen e tillë.

Ambasadori gjerman nuk bëri gjë tjetër veçqë solli edhe një herë në vetëdijen e qytetarëve faktin se liberalizim pa sukses në fushën e krimit dhe të korrupsionit, të mafisë oligarkike, kuptohet të nivelit të lartë, nuk bëhet liberalizimi. Me deklaratën e ambasadorit gjerman, z. Christian Held, u pa qartë se nuk ishte demarkacioni kushti themelor, krahas krimit dhe korrupsionit. Ndërsa tani dihet se me forcat e tashmë në pushtet, me gjendjen në polici, në prokurori dhe në gjykata, thjesht është shumë larg Kosova që të korrë suksese në luftën e tillë", tha profesori Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

Tradhti dhe padrejtësi 

Edhe analisti Ali Hertica thotë se, pavarësisht kalimit të demarkacionit në Kuvend, pas tre vjetësh loje politike, kushti më i rëndë dhe ndër më seriozët është testi me sundimin e ligjit. "Bashkimi Evropian është i palëkundur drejt realizimit të qëllimit kur është çështja e Republikës së Kosovës për ta pranuar atë nën ombrellën e vet, e ku tani do ta ketë kushtin tjetër që duhet të dëshmohet pa lojë e pa hile, luftën kundër korrupsionit dhe klaneve të bandave oligarkike që e kanë tjetërsuar pasurinë e shtetit dhe degradimin e sistemit demokratik. Kjo kërkesë ishte e sinkronizuar shumë mirë e shumë qartë edhe në paralajmërimin e ambasadorit gjerman në Kosovë, Christian Heldt", u shpreh ai.

"Bashkimi Evropian edhe një herë ka ripërsëritur se Kosovës i mbesin edhe dy kritere të papërmbushura për liberalizimin e vizave, lufta e korrupsioni dhe fillon çështja e asociacionit të komunave serbe, prandaj akoma Kosova do të jetë goxha larg pikës së qëllimit që qytetarët e saj të lëvizin lirshëm", tha Ali Hertica për "Kosova Sot"

"Tani, pas ratifikimi të demarkacionit, tek një pjesë e madhe e qytetarëve po shihet si një tradhti dhe padrejtësi që i është bërë Prishtinës nga ana e Brukselit, për ta detyruar atë që të blejë viza me dhënie të tokës palës malazeze. Kjo po jep një sinjal jo të mirë për Republikën e Kosovës, duke e detyruar tani kastën politike dhe duke e kërcënuar seriozisht se kriteri më i rëndë është sundimi i ligjit", vijoi më tutje Hertica. "Janë edhe shumë struktura të BE-së që kanë shpjeguar se qytetarët e Kosovës nuk mund të fitojnë liberalizim të vizave përderisa Qeveria nuk do të fillojë të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta të shtetit dhe t'i eliminojë grupet e oligarkëve politikë e ekonomikë", potencoi ai për "Kosova Sot".

Mashtrim të madh e vlerëson premtimin e politikës kosovare, për heqjen e shpejtë të vizave pas ratifikimit të demarkacionit, edhe analisti Reshat Badallaj. "Të pafytyrët që janë në pushtet nuk kanë gajle që mashtrojnë, rrejnë popullin. Më besoni se kur i kam parë në Kuvend vagabondët se si përqafoheshin ishin të padurueshëm dhe në stilin e banditëve, se si i shtrëngonin duart dhe me pas pa fije turpi uronin kinse qytetarët thuajse mori fund ky marifet. Kur jemi këtu, që tani njerëzit më të pafytyrë për mua personalisht janë: Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj", u shpreh ai. Sipas tij, kot e kanë këta "banditë", sepse njerëzit do të vetëdijesohen

Tani do fillojë lufta më e ashpër. Lufta kundër hajnave. Hajnat nuk janë në rrugë. Hajnat janë këta që e shkatërruan vendin. Edhe faktori ndërkombëtar e di se hajnat dhe banditët janë në pushtet, në Qeveri, në Kuvend, në sistemin gjyqësor. Pa më të voglin dyshim po e them këtë. Këtu nuk lypset për të hetuar thellë. Këta i njeh dhe i di çdokush", tha Reshat Badallaj për 'Kosova Sot' 

(Kosova Sot)