Hertica: Tradhti dhe padrejtësi

  • 24 March 2018 - 19:44
Hertica: Tradhti dhe padrejtësi

Analisti Ali Hertica thotë se, pavarësisht kalimit të demarkacionit në Kuvend, pas tre vjetësh loje politike, kushti më i rëndë dhe ndër më seriozët është testi me sundimin e ligjit. "Bashkimi Evropian është i palëkundur drejt realizimit të qëllimit kur është çështja e Republikës së Kosovës për ta pranuar atë nën ombrellën e vet, e ku tani do ta ketë kushtin tjetër që duhet të dëshmohet pa lojë e pa hile, luftën kundër korrupsionit dhe klaneve të bandave oligarkike që e kanë tjetërsuar pasurinë e shtetit dhe degradimin e sistemit demokratik.

Kjo kërkesë ishte e sinkronizuar shumë mirë e shumë qartë edhe në paralajmërimin e ambasadorit gjerman në Kosovë, Christian Heldt", u shpreh ai. "Tani, pas ratifikimi të demarkacionit, tek një pjesë e madhe e qytetarëve po shihet si një tradhti dhe padrejtësi që i është bërë Prishtinës nga ana e Brukselit, për ta detyruar atë që të blejë viza me dhënie të tokës palës malazeze. Kjo po jep një sinjal jo të mirë për Republikën e Kosovës, duke e detyruar tani kastën politike dhe duke e kërcënuar seriozisht se kriteri më i rëndë është sundimi i ligjit", vijoi më tutje Hertica.

"Janë edhe shumë struktura të BE-së që kanë shpjeguar se qytetarët e Kosovës nuk mund të fitojnë liberalizim të vizave përderisa Qeveria nuk do të fillojë të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta të shtetit dhe t'i eliminojë grupet e oligarkëve politikë e ekonomikë", potencoi ai për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)