Fshati me vetëm 1 nxënës

  • 24 March 2018 - 20:59
Fshati me vetëm 1 nxënës

NË LESKOVEC (ARBËRI) KANË MBETUR VETËM TRI FAMILJE 

Falë investimeve, po rikthehet shpresa për të jetuar në këtë fshat me bukuri të rralla

F shati Arbëri ish-Leskovec ndoshta është ndoshta i vetmi në Kosovë që ka vetëm një nxënës dhe një mësues dhe ka tri familje. Dikur fshati Leskovec tani Arbëri sipas prof. Ilami Berishë, ishte fshati më i zhvilluar në këtë pjesë të Vërrinit. Zhvillimi i këtij fshati ishte i përqendruar në zhvillimin sidomos të blegtorisë. Tufat e deleve, pastaj dhive të këtij fshati, thuhet se ishin të njohura në gjithë komunën e Prizrenit e më gjerë. Por, ajo që banorët e këtushëm i dallonte ishte kultivimi i dredhëzave dhe qershive me të cilat Berisha shpjegon se njiheshin këta banorë edhe përtej Kosovës. Lufta dogji të thuash 95 për qind të fshatit. Përgjegjësi i këtij fshati Hajredin Berisha shpjegon se deri para dy vitesh këtu ishte lemeri. Por, falë investimeve nga komuna e Prizrenit arritën të rikthejnë shpresën se edhe këtu do të rikthehet jeta. 

Shpërnguljet e mëdha në Turqi

Shkodran Berisha,veprimtar i këtij fshati, tani banor në Prizren, thekson për "Kosova Sot" se gëzon lajmi se janë 50 familje që kanë marrë vendim të rikthehen atje në Leskovec , ku presin të merren me blegtori. Ai shton se në Leskovec po mendojnë të bëjnë një pikë turistike e cila do të jetë urë lidhëse deri në kala dhe mendojnë që të ardhmen do ta lidhim këtë rrugë me "Cvilenin". Prof. Ilami Berisha tregon se Katundi kishte familje të njohura, si Berisha, Krasniqi, Xhemaj, Shoshaj, Shala dhe Kryeziu. Katundi supozohet të ketë gjurmë mjaft të lashta. "Këtë e tregojnë edhe varrezat shumë të vjetra me gurë në formë të zgjatur, të mëdhenj e pa simbole. Lidhur me Leskovecin si vendbanim, janë gjetur dokumente që dëshmojnë lashtësinë. Banorët e Leskovecit, thuhet se janë banorë të ardhur nga vendi i quajtur "Ara e Gjeqit", është shprehur ai. Ai thotë se banorët nga Leskoveci, për shkak të terrorit të vazhdueshëm hegjemonist serb, një numër i banorëve janë shpërngulur edhe jashtë Kosovës, si në Turqi, Junon (Greqi). "Mund të përmendim familjen e Yzyr Berishës, i cili nga presionet serbe është detyruar ta lëshojë Kosovën dhe është shpërngulur në Turqi", është shprehur ai. Shton se në qytetin Izmir, kjo familje përbën një lagje të tërë shqiptarësh, të gjithë nga Leskoveci, përkatësisht Arbëria e sotshme. "Shumë të rinj nga Leskoveci kanë qenë jeniçerë, (ushtarë të Turqisë), si Salla Krasniqi, Hamëz Berisha, ndërsa disa edhe komandantë shumë të suksesshëm të ushtrisë turke, si Etem (Shala) Çaushi, Liman (Xhemaj) Çaushi, Rrahman (Krasniqi) Çaushi. Pas përfundimit të luftërave ruso-turke, këta komandantë turk, me origjinë shqiptarë nga Leskoveci, kthehen në vendlindje, tashmë me meritën e luftës si komandantë, dhe me gradat ushtarake të fituara në Turqi. Pas largimit të Turqisë, d.m.th. pas shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë, meqë një pjesë e madhe e territorit shqiptar padrejtësisht mbeti nën okupimin e Serbisë e të disa shteteve fqinje, ndaj shqiptarëve në përgjithësi të mbetur nën okupim, ushtrohej dhunë brutale, madje me synimin edhe të një shfarosjeje totale të një popullsie masive shqiptare. Edhe popullata e Vërrinit, etnikisht e banuar me shqiptarë, me të madhe e ka përjetuar golgotën e këtillë", është shprehur ai. 

Më shumë gërmadha sesa shtëpi

Si pasojë e luftës, fshati Arbëri gati është në zhdukje për shkak se është djegur tërësisht nga forcat serbe dhe meqë nuk është investuar me qëllim të parandalimit të migrimit në qytet, fshati është boshatisur dhe sot mund të vërehen më shumë gërmadha sesa shtëpi. Berisha thotë se vitet e fundit nga pushteti aktual është investuar në asfaltimin e rrugës, mirëpo ky infuzion për të shpëtuar migrimin, pak duket sikur i vonshëm, sepse tashmë pjesa dërmuese e banorëve veç kanë migruar në qytet. Megjithatë, ka mendime dhe përpjekje nga qytetarë të këtij fshati, të cilët mendojnë se duhet t'i kthehet perspektiva e vjetër, sepse në këtë fshat, falë natyrës dhe bukurisë përrallore, mund të jetohet. Fshati ka diçka të veçantë, që nuk mund të hasen në vendbanime tjera. Uji është aq i ftohtë e i pastër, sa shumë qytetarë nga Prizreni, shkojnë dhe marrin ujë për qejf. Po ashtu, në vendin "Kabue" ndodhet edhe një varr i panjohur, i gjatë dy metra e gjysmë dhe atë varr, banorët e kanë shfrytëzuar, për heqjen e të ligave që ka mundur të ketë ndonjë i ri. Nga drunjtë, rriten gati të gjitha llojet, por brenda në fshat, shtëpitë kryesisht janë të mbuluara nga lulet e bagremit, por ka edhe verra, krekëza dhe plepa. 

(Kosova Sot)