Prokuroria të hetojë oligarkun e tregtisë, KELMENDI, PËR AFERËN E MISHIT

  • 12 April 2018 - 07:59
Prokuroria të hetojë oligarkun e tregtisë, KELMENDI, PËR AFERËN E MISHIT

Kadriaj: "ELKOS"-i po e dëmton ekonominë e Kosovës dhe qytetarin

"Pretendimet e deputetes Halimi duhet të merren seriozisht dhe normal që Prokuroria tashmë është dashur të intervistojë deputeten në fjalë lidhur me pretendimet e saj se nuk duhet blerë produkte në marketet e njërit nga deputetët e Kosovës. Jeta është më e shtrenjtë dhe jam shumë skeptik si po lejohet rrezikimi i shëndetit të qytetarëve, e inspektorët të mos bëjnë asgjë në detyrim të ligjit, diçka e pakapshme, kjo është ekonomi e tregut dhe ai që shkel ligjin duhet të përgjigjet, nuk ka kurrfarë justifikimi", theksoi eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri për " Kosova Sot" 

Askush nuk e di se përse po lejohet edhe më tutje kompania " ELKOS"- i, që të rrezikojë shëndetin e qytetarëve me mishin e prishur që u gjet në marketet e kësaj kompanie, ndërsa ka dyshime se mish të prishur kjo kompani po shet që nga paslufta. "ELKOS"-i është në pronësi të afaristit Ramiz Kelmendi, deputet i Kuvendit të Kosovës, që në Qeverinë e kaluar të Isa Mustafës e kishte edhe pozitën e zëvendëskryeministrit të Kosovës. Ditë më parë, deputetja e " Nismës", Albulena Balaj-Halimi ka bërë thirrje publike që konsumatorët ta bojkotojnë kompaninë " ELKOS"-i, pasi, sipas saj, ka shumë parregullsi në këtë operator ekonomik me produkte të mishit. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të drejtuesve të MTI-së lidhur me këtë çështje, se përse nuk po merren masa, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën. Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri tha për " Kosova Sot" se nuk duhet lejuar asnjë individ që të rrezikojë shëndetin e konsumatorit, aq më tepër që kjo është edhe vepër penale, e sanksionuar me ligjet në fuqi. "Pretendimet e deputetes së Kuvendit duhet të merren seriozisht dhe normal që Prokuroria tashmë është dashur të intervistojë deputetin në fjalë lidhur me pretendimet e saj se nuk duhet blerë produkte në marketet e njërit nga deputetet e Kosovës", theksoi ai. "Jeta është më e shtrenjtë dhe jam shumë skeptik si po lejohet rrezikimi i shëndetit të qytetarëve, e inspektorët të mos bëjnë asgjë në detyrim të ligjit, diçka e pakapshme, kjo është ekonomi e tregut dhe ai që shkel ligjin duhet të përgjigjet, nuk ka kurrfarë justifikimi", vijoi më tutje Beqiri.

Pushteti pengon zbatimin e ligjit

Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për gazetën "Kosova Sot", tha se dështimi i drejtësisë dhe i inspektorateve pikërisht ka ndodhur duke i trajtuar aferat korruptive nën prizmin që këtu duhet t'i mbyllim sytë, sepse është biznes i njerëzve të politikës ose të lidhur me politikën dhe kjo praktikë ka ndodhur dhe po vazhdon të ndodhë. "Rasti i aferës së mishit nuk duhet të trajtohet politikisht, por këtu ka punë drejtësia që duhet të japë verdikt kapital konform ligjit dhe dëmit që ka mundur të shkaktojë në shëndetin e qytetarit", potencoi ai. "Mishi i prishur dhe pa afat nuk ka ndodhur pa dijeninë e menaxhmentit të bizneseve dhe njëherësh edhe pronarëve, kështu që këtu nuk ka vend për mëshirë, por vetëm drejtësi", tha më tutje Kadriaj. "Ekonomia e Kosovës ka nevojë për biznese, por jo këso biznese që e rritin kapitalin, duke dëmtuar qytetarin e vet. Dhe, si rezultat i po këtyre produkteve të mishit, sot kemi sëmundjen e kancerit shumë të përhapur në popullatën tonë, diçka që më herët ka qenë me raste të rralla. Mendoj që 'ELKOS'-i po e dëmton ekonominë e Kosovës dhe qytetarin. Pra, me importet nga shteti serb po e dëmton ekonominë e Kosovës dhe njëherësh është importuesi më i madh nga Serbia dhe më e rënda është që këto produkte vijnë nga një shtet që me çdo mënyrë mundohet të kontestojë shtetin e Kosovës, duke mos hequr dorë nga ambiciet për aneksim të Kosovës", shpjegoi ai.

Prokuroria Speciale të merret me skandalin e mishit

Ekonomisti Dardan Grapci, për "Kosova Sot', tha se afaristi Ramiz Kelmendi, si deputet i Kosovës, tani po e keqpërdor detyrën e tij, sepse e di se Policia e Kosovës nuk mund ta arrestojë. "Ndaj, në këtë rast duhet që të marrë masa Prokuroria dhe Gjykata Speciale e Kosovës dhe me një urdhër të rreptë të mbyllet përkohësisht " ELKOS"-i, derisa të përfundojnë hetimet dhe gjykimi ndaj atyre që qëndrojnë prapa këtyre mashtrimeve dhe shitjes së mishit të prishur tek qytetarët", vijoi më tej ai. "Përgjegjës për shitjen e mishit në kompaninë " ELKOS"-i është menaxheri dhe personi i autorizuar për pranimin e produkteve të mishit. Aty luajnë rol edhe personat që i shesin këto produkte dhe jam i bindur se nëse një punëtor i kësaj kompanie do të kishte refuzuar shitjen e atij mishit dhe i njëjti po të ishte ankuar tek inspektorati përgjegjës, ky skandal i shitjes së mishit të prishur nuk kishte për të ndodhur dhe personat përgjegjës do të kishin dalë para drejtësisë", ka potencuar Grapci. Lidhur me çështjen ka folur edhe Sherif Fejzullahu, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, që është themeluar tre muaj më parë nga ana e MTI-së. Zyrtari Fejzullahu, për gazetën " Kosova Sot", tha se duhet të marrin informata të sakta për të gjitha këto raste, sepse shëndeti i qytetarëve tanë është mbi të gjitha. "Neve do të kërkojmë nga deputeti i zonës qoftë ai nga Gjilani, Peja apo gjetiu dhe të njëjtin do ta ftojmë publikisht që të deklarohet para zyrtarëve tanë dhe këtë rol si Këshill i Konsumatorëve do ta kemi ne, andaj nga ai do të kërkojmë përgjegjësi, sepse fundja misioni ynë është ky", potencoi ai. 

Kërkohen masa ndëshkimore

Ndërsa, Lumnije Ajdini, nga AKB-ja, që po ashtu është edhe anëtare e këtij Këshilli për gazetën " Kosova Sot " tha se sa u përket tregtarëve apo importuesve të mishit dhe nënproduktet e tij Këshilli i konsumatorëve e ka ngritur zërin së bashku edhe me AKB-në. "Kushdo qoftë ai individ dhe cilado qoftë pozita e tij, ne do të reagojmë, ngase duhet që të mendojmë për qytetarët e Kosovës, duke pasur parasysh se ka mungesë të numrit të inspektorëve fitosanitarë në kufijtë tanë, andaj edhe kemi kërkuar rritjen e këtij numri të inspektorëve nëpër kufijtë tanë, në mënyrë që të kemi një kontroll më të madh të ushqimit. Kemi rekomanduar që të kemi edhe laboratorë, sepse nuk e dimë se çfarë produktesh po konsumojmë. Pra, të gjithë ata persona apo individë që e kanë keqpërdorur apo e kanë keqinterpretuar ligjin, përgjegjësia duhet që të zbatohet nga organet kompetente", theksoi ajo. Kurse, njohësi i kësaj fushe nga shoqëria civile, Selatin Kaçaniku ('Konsumatori'), për "Kosova Sot" tha se në mbledhjen e Komisionit të Kuvendit unë nuk kam parë ndonjë seriozitet. "Duhet që ta zbatojmë ligjin. Dhe, arsyetimet e mekanizmave se nuk janë teknikisht, kadrovikisht dhe financiarisht e materialisht të motivuara nuk pinë ujë, sepse neve si qytetarë taksapagues dhe gjenerues të buxhetit të shtetit po japim para të mjaftueshme", tha ai. Sipas Kaçanikut, duhet të aplikohen dënimet.