Katër grupet e LDK’së

  • 13 April 2018 - 18:25
Katër grupet e LDK’së

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës kanë shpërthyer ambiciet. Aktualisht janë katër grupe të forta dhe të konsoliduara; Grupi i Akademikëve, Garda e Vjetër, Grupi i Pejës dhe Vjosa Osmani, pa ndonjë influencë në struktura, por me një popullaritet të madh.

Isa Mustafa ateroi në Prishtinë pasditën e së shtunës, pas tre muajsh tretmanësh mjekësore në një klinikë në Gjermani.

Partia e tij, LDK-ja, ndodhet në një prej pozitiva më të favorshme, por shëndeti i luhatur i Liderit, ka trazuar një sërë figurash ambicioze në partinë me të vjetër në vend.

Ata kishin arritur ta kontrollojnë vetën gjatë kohës kur Mustafa ndodhej në Gjermani, por gjërat rrodhën ndryshe prej të shtunës e deri më sot.

Dikush nxitoi të fotografohej në krahët e Isa Mustafës të ulur në një kolltuk ngjyrë të kaltër në shtëpinë e tij. Të tjerë nxituan të paraqiten në studiot televizive. Dikush ishte më lakonik, si Kryetari i Pejës, bie fjala. Kurse Luta dhe Agimi ishin më enigmatikë.

Por, të gjithë, dhanë një mesazh të qartë dhe të fortë; Lufta ka filluar në LDK.

Ajo që mbetet e paqartë aktualisht është cila është forca e secilit grup dhe kush do ta dominojë garën. Dhe, kryesorja, a do të arrijë Isa Mustafa të kthehet shpejt në zyrën e tij në Qafë për ta marrë kontrollin e plotë mbi parti?

Aktualisht, duket se janë katër grupe kryesore në LDK.

“Grupi i Akademikëve”, “Garda e Vjetër”, “Grupi i Pejës” dhe Vjosa Osmani

Lufta për pushtetin e brendshëm në LDK nuk është e panjohur, megjithatë asnjëherë nuk ka qenë më e fuqishme dhe më engimatike. Kush nga Garda e Vjetër me kë është? Kë përkrah Isa Mustafa për kryetar të ardhshëm dhe si mbeti Vjosa Osmani edhe një herë gruaja e vetme, e kandidatja pa mbështetje për pozitën e të parit të partisë?  

Kur ka mbetur edhe një vit për t’u mbajtur zgjedhjet e brendshme në LDK, nuk po mungojnë deklaratat e përditshme me dëshira e ambicie për të marrë kreun e partisë.

Krejt këto kur kryetarit i LDK’së, Isa Mustafa, i ka mbetur edhe një vit, ndoshta edhe më pak, deri në përmbylljen e mandatit të tij të fundit në krye të partisë.

LDK do të dukej tamam një parti demokratike po të shohim se si për pozitën e të parit nuk ka një kandidat të vetëm, nuk ka as garë mes dy rivalëve, por ka katër grupe që do të luftojnë për të arritur te posti i kryetarit. Nuk dihet se si do t’i shpëtojë kësaj partia që më parë zgjedhjet i ka kurorëzuar luftë fizike të karrigeve.

“Grupi i Akademikëve”, me Avdullah Hotin dhe Isa Mustafën si mbështetës të tij; “Garda e Vjetër” me nënkryetarët historikë Agim Veliun dhe Lutfi Hazirin; Grupi i Pejës që përfshin Kujtim Shalën me kryetarin e kësaj komune Gazmend Muhaxherin; dhe, Vjosa Osmani pa përkrahje të brendshme, por me popullaritet të madh. Këto janë katër palët që priten të përballën në garën më interesante në zgjedhjet brenda një partie në Kosovë.

Afërsia me Mustafën, e ka kthyer shpejt Avduallah Hotin shpejt në një nga eksponentët e partisë, sa që iu dhurua edhe nominimi për kryeministër zgjedhjeve të kaluara. Tashmë dihet që kandidatura për kryeministër është po aq e rëndësishme të LDK sa edhe posti i kryetarit.

Kështu ndodhi mëngjesin e djeshëm kur papritmas dëgjuam të thotë kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxherin, se ka ambicie për të qenë kandidat për kryeministër, dhe të gjithë eksponentët e partisë i reaguan ashpër.

Mustafa, që akoma po vazhdon trajtimin shëndetësor e do Hotin pasardhës të tij në LDK.

Të paktën kështu duket.

Nuk dihet nëse të rinjtë e LDK’së, si Lumir Abdixhiku e Driton Selmanaj, përkrahin Hotin, por marrë parasysh se rrugëtimin e tyre në LDK e filluan vetëm para një viti dhe me kërkesë direkte të Isa Mustafës, atëherë përkrahja e tyre edhe mund të jetë e një vije me kryetarin.

Ky grup – kryesisht ekonomistësh - janë pasuesit më realë të Mustafës. Hoti, si ministër i Financave, ishte njeriu më i rëndësishëm i Qeverisë së tij. Para se të të udhëhiqte financat na Qeverinë Mustafa, Hoti ishte koleg i Mustafës në Fakultetin Ekonomik.

Pjesë e grupeve që garojnë nuk mungon pjesa e fundit e “Gardës së Vjetër” të LDK’së. Gjithsesi se nënkryetarët e partisë e synojnë pozitën e kryetarit të partisë.

Një nga njerëzit më të fuqishëm të LDK’së, që mban bastionin e Llapit është Agim Veliu. Ky së fundmi më shumë ka qëndruar si një gardian i rendit në parti, duke u munduar t’i këpusë shpresat kujtdo që ka deklaruar publikisht se ka vullnet për kandidaturë ose për vendimmarrje në parti.

I kishte reaguar ashpër njëherë Driton Selmanajt kur kishte folur për prurjen e Shpend Ahmetit, i reagoi edhe Gazemnd Muhaxherit dje kur ky tha se e meriton të jetë kandidat për kryeministër nga partia e tij.

Në një intervistë dhënë për Televizionin T7, që do të transmetohet sonte, Veliu kur është pyetur nëse do të kandidojë vet për kryetar të LDK’së, ka thënë se është akoma herët të diskutohet për këtë, megjithatë ai ka treguar se ka presion nga rrethi për të kandiduar.

E gjatë intervistës ai ka thumbuar secilin që ka shprehur ambicie, përveç gardistit tjetër, Lutfi Hazirit.

Haziri nga ana tjetër nuk fsheh asnjëherë dëshirën e tij për të marrë kreun e partisë. Në emisionin Pressing të televizionit 7, kryetari i Gjilanit edhe zyrtarisht deklaroi se do të kandidojë për kryetar të partisë në zgjedhjet parashihen të mbahen vitin tjetër.

Ndërsa, e pashmangshme duket kandidatura e Vjosa Osmanit, marrë parasysh se ajo kishte shprehur dëshirën që edhe para katër vjetëve të sfidonte Mustafën për pozitën e kryetarit, por këtë ia kishin pamundësuar, duke e cilësuar kandidaturën e saj si jolegjitime.

Vjosa Osmanin, deri më tani, nuk ka dalë askush që ta përkrah në këtë pozitë, por Osmani niset në këtë rrugëtim me mbi 60 mijë votat duke qenë kështu numri dy më i votuar në LDK dhe gruaja më e votuar në nivel vendi.

Gazmend Muhaxherin që po vazhdon forcimin e LDK’së në Dukagjin, i cili përkrah ka anëtarin e kryesisë së partisë, Kujtim Shalën.

Muhaxherin së fundmi madje e kemi parë duke specifikuar dëshirat e tij. Ai në një emision televiziv mëngjesin e së enjtes tha se meriton të kandidohet nga partia e tij për kryeministër. Në vazhdim të ditës, shpërthyen deklaratat për fjalët e thëna publikisht sepse vetë zyrtarët e LDK’së po kujdesën që zjarrin e garës ta mbajnë brenda, duke pretenduar për të paraqitur unitet te elektorati.

LDK, sipas statutit të saj mban zgjedhjet çdo katër vjet. Kryetari Mustafa u kthye në Prishtinë dhe po vazhdon rehabilitimin e tij shëndetësor. Ai ka vendosur që të shtyjë edhe muajt e mbetur të mandatit në krye të LDK’së. Pra, viti 2019 pritet të përballë kandidatët, kushdo që do të jenë ata.

Lutfi Haziri pati thënë para më shumë se një muaj për Gazetën Express, se është jonjerëzore të pyetët për zëvendësimin e Mustafës, përderisa kryetari po trajtohej në Gjermani, për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore. Shkuan vetëm pak javë, kur ajo që quhej e panjerëzishme nga Haziri u tha publikisht. Ambiciet për kandidatura u bënë publike.


(Kosova Sot)