Vendimi historik i Hagës: Jo kanabis në qendër të qytetit

  • 17 April 2018 - 00:05
Vendimi historik i Hagës: Jo kanabis në qendër të qytetit

Duke sinjalizuar se mbase festës po i vjen fundi, Haga bëhet qyteti i parë holandez që ndalon tymosjen e kanabisit në qendrën e tij, në stacionet e metrosë dhe zonat kryesore tregtare, lëvizja më e fundit e autoriteve holandeze për të kufizuar politikën tradicionale të tolerancës.

Autoritetet lokale, gjatë dy javëve të ardhshme do të shpërndajnë postera, edhe në gjuhën angleze, në kafenetë dhe rrugët e qytetit, për të informuar banorët e turistët, e më pas për shkelësit do të ketë gjoba të forta.

Kanabisi shitet hapur në qindra kafene që operojnë në 103 nga 380 komunat e Holandës, përfshirë Hagën. Politika e tolerancës, pra e lejimit të kanabisit, u prezantua në vitet ’70, por shumëfishimi i efekteve dhe versioneve të kësaj droge ka bërë që autoritetet të shtrëngojnë masat.

Zyrtarë lokalë në Hagë thanë se, ankesat e shumta të banorëve dhe turistëve për erën e rëndë të kanabisit dhe zhurmën e përdoruesve të saj sollën këtë politikë ndalimi në disa zona të qytetit.

Në Amsterdam dhe Rotterdam, për arsye të ngjashme kanabisi është ndaluar të përdoret rreth shkolla dhe këndeve të lojërave, e këto qytete kanë marrë masa për reduktimin e kafeneve që e shesin atë.

Kafenetë në Holandë mund të shesin, por jo të prodhojnë kanabis, diçka që i krijon mundësi fitimi trafikantëve. Prandaj, qeveria holandeze ka nisur një projekt pilot në 10 komuna për kultivimin e bimës argëtuese nga fermerët lokalë.

(Kosova Sot)