PTK-ja NË KOLAPS, SHTETI HESHT!

  • 17 April 2018 - 08:09
PTK-ja NË KOLAPS, SHTETI HESHT!

Analisti Ragip Guraziu tha për "Kosova Sot" se, edhe çka tjetër duhet të ndodhë që Prokuroria Speciale e Kosovës të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për shkatërrimin dhe vjedhjen e PTK-së, përfshirë edhe oligarkun Blerim Devollit dhe të gjithë të apostrofuarit, Rexhë Gjonbalaj, Ekrem Hoxha,Genc Lami , ministrat, drejtorët etj., si të dyshuar në këtë krim 'makabër' e të pashembullt kundër shtetit dhe aseteve e fondeve të tij 

Bazuar në afarizmin e viteve të fundit, PTK-ja po shkon drejt falimentimit, andaj me të drejtë edhe shtrohet pyetja se përse nuk kërkohet përgjegjësi nga aksionari-Qeveria e Kosovës, ministrat dhe ish-ministrat përkatës, përgjegjësit e ARKEP-it dhe ishdrejtorët e PTK-së ndër vite për këtë falimentim që ia kanë përgatitur, duke e zhvatur e duke e shkatërruar kriminalisht. Analistët pyesin se si arritën vëllezërit Devolli që të kontrollojnë dhe ta vënë në funksion 100 për qind të tyre gati çdo institucion, përfshirë këtu edhe PTKnë, ART-në, madje edhe vetë ish-kryeministrin e ish-ministrat,por edhe këta aktualët, që kanë punuar dhe punojnë të gjithë për llogari të Blerim Devollit dhe "Z- Mobile", për shkak të cilëve PTK-ja kishte edhe Arbitrazhin ndërkombëtar me humbjen e mbi 30 milionë eurove shtesë, pas asaj që kishte vjedhur mbi 20 milionë euro përmes vjedhjes së impulseve "SIM 2 SIM"! Analistët pyesin se çka po pret Prokuroria Speciale që nuk sjellë para drejtësisë përgjegjësit për shkatërrimin dhe vjedhjen e PTK-së, përfshirë edhe oligarkun Blerim Devollit dhe të gjithë të apostrofuarit, Rexhë Gjonbalaj, Ekrem Hoxha,Genc Lami, ministrat, drejtorët etj., si të dyshuar në këtë krim të pashembullt kundër shtetit dhe aseteve e fondeve të tij. Veç saj, nga specialistë edhe shtrohet pyetja se kur do të zbardhet skema mafioze e politikanëve dhe mafio-oligarkëve të pas-pavarësisë, të cilët zhvatën qytetarët e buxhetin e asetet e shtetit pandërprerë, për ta kurorëzuar së fundmi me metoda më të sofistikuara, pra hajninë përmes letrave në Arbitrazh. Me gjithë pyetjet e dërguara nga ana e gazetës në adresë të PTK-së, MZHE-së dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në lidhje për skandalin e dekadës së fundit që ka ndodhur para hundeve të tyre, përkatësisht se deri ku kanë arritur hetimet dhe gjetjet, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën. Ndërkaq, përgjigje nuk ka dhënë as afaristi Blerim Devolli

ARKEP-i e pranon se duhet angazhim i shtuar në rastin "SIM2SIM" Në përgjigjen e dhënë nga ARKEP-i, për gazetën " Kosova Sot", thuhet se ARKEP-i rregullon tregun e komunikimeve elektronike bazuar në Ligjin për komunikime elektronike dhe aktet e tjera nënligjore (Rregullimi ex-ante). "Të gjitha veprimet e administruara deri më tani nga ARKEP-i kanë pasur për qëllim rregullimin e aktiviteteve të komunikimeve elektronike mbi bazën e Ligjit, respektivisht parimeve themelore, ku ndër të tjera është edhe sigurimi i konkurrencës efektive në tregun e komunikimeve elektronike, transparenca dhe trajtimi jodiskriminues i të gjithë operatorëve e komunikimeve elektronike. Bazuar në Kornizën për MVNO, operatorët janë të lirë që të negociojnë modelin, i cili më së miri ua plotëson interesat dhe strategjitë biznesore të tyre. Pra, çështja e bashkëpunimeve MNO dhe MVNO u takon vetë operatorëve, të cilët e zgjedhin marrëdhënien e tyre bazuar në interesat komerciale", vijon më tej përgjigjja. "Po ashtu, ARKEP-i me qëllim të ndalimit të dukurisë ilegale të devijimit të trafikut ndërkombëtar, e njohur ndryshe si dukuria 'SiM2SiM', ka ndërmarrë një numër të konsiderueshëm të veprimeve. Megjithatë, për luftimin adekuat të kësaj dukurie nevojitet një angazhim i shtuar i operatorëve, si dhe koordinimi i veprimeve edhe me institucionet e tjera të zbatimit të ligjit, duke aplikuar masat e nevojshme në secilin nivel, p.sh. krahas masave rregullatorë, secili operator duhet të aplikojë të gjitha masat e nevojshme teknike për mbrojtjen e rrjetit të tij nga terminimi ilegal i trafikut, si dhe aplikimi i masave nga institucionet e tjera të zbatimit të ligjit. Në dimensionin rregullator, ARKEP-i deri më tani ka ndërmarrë hapa të konsiderueshëm, siç janë: Hartimi i udhëzuesve të ndryshëm për operatorë dhe qytetarë, të cilët i ka publikuar edhe në ueb faqen e ARKEP-it, pastaj takime të shumta me operatorët ndryshimin e rregulloreve, inspektime të ndryshme, liberalizimin e tregut dhe eliminimin e barrierave për ofrimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike", thuhet në përgjigjen e ARKEP-it.

Situata në NP, alarmante Analisti Mustafë Kadriaj tha për " Kosova Sot ", se një kompani, siç është PTK-ja, të vijë para falimentimit është e pakuptimtë. "Por, këtu ka vetëm një qëllim, që të falimentojnë në mënyrë artificiale me letra, duke përgatitur opinionin që kjo kompani nuk po jep rezultate ekonomike dhe të shitet shumë lirë, duke e përgatitur për njerëzit e afërt me politikën ose sponsorizuesit e politikës. Pra, kjo elitë politike e degraduam edhe privatizimin dhe tranzicionin ekonomik me këto metoda të suksesshme të korrupsionit, duke i diktuar të gjitha privatizimet e Ndërmarrjeve Publike", u shpreh ai. "Është e papranueshme indiferenca e institucioneve të drejtësisë karshi këtyre krimeve ekonomike që ndodhin çdo ditë para syve tanë, ku çdo qytetar i sheh çdo ditë, ndërsa institucionet që janë të ngarkuara për parandalimin dhe ndjekjen, si dhe ndëshkimin e këtyre dukurive bëhen sikur nuk po ndodh asgjë", potencoi Kadriaj. "Institucionet tona po bëjnë dy shkelje, së pari duke mos arsyetuar pagat që i marrin dhe njëherësh duke lejuar që të lulëzojë korrupsioni para tyre", theksoi ai. Eksperti i ekonomisë Lulzim Beqiri, për gazetën" Kosova Sot", tha se shumicën e ndërmarrjeve publike, bordet e tyre i kanë dërguar buzë falimentimit, kurse 'Trainkos'-i veçse ka falimentuar, derisa PTK-ja dy vjetët e fundit nuk ka dhënë asnjë cent për shtetin, sepse është buzë falimentimit, kurse për shkaqe politike kombinati 'Trepça' ka probleme serioze, ndërsa KEK-u gjithashtu është në një katrahurë gjithandej. "Situata në NP është shumë e keqe dhe ende institucionet e shtetit nuk kanë marrë asnjë vendim të duhur, përderisa deputetët profiterë ngritin komisione pa vend, NP janë buzë falimentimit, e udhës do të ishte që deputetët të merren në përgjegjësi për falimentimin e këtyre bizneseve mjaft të rëndësishme për stabilitetin ekonomik. Jemi dëshmitarë se Gjykata e Arbitrazhit kishte dënuar PTKnë me mbi 30 milionë euro, duke i pamundësuar funksionim normal, falë menaxhimit të dobët të shtetit, kjo në marrëveshje nuk u pagua 30 milionë, por si shpërblim " Z-Mobile", fito hiç më pak se 100 mijë numra shtesë, andaj edhe ka ardhur në këtë gjendje", theksoi ai. 

Shkatërrimi kriminal i ndërmarrjes

Ekonomisti Dardan Grapci, për ' Kosova Sot ", tha se PTK-ja po falimenton, sepse Prokuroria Speciale nuk po punon dhe po heziton që t'i sjellë para drejtësisë përgjegjësit kryesorë për shkatërrimin dhe vjedhjen e PTK-së. "Andaj, ka ardhur koha që doemos aksionarët, ministrat, ish-ministrat, ARKEP-i i mëhershëm, por edhe ish-drejtorët e PTK-së që të japin llogari në lidhje me këtë krim dhe me këtë skandal publik që i ka ndodhur PTK-së. Kjo, sepse që nga pas lufta, dihet botërisht se PTK-ja ka qenë në shërbim të individëve, të cilët e kanë pasur për qëllim shkatërrimin e PTK-së", theksoi ai. "Në këtë institucion publik ka pasur ndërhyrje kriminale nga partitë politike, ku i kanë punësuar vetëm anë- tarët e tyre politikë kudo në Kosovë, një pjesë e madhe e të cilëve madje nuk kanë pasur të përfunduar as shkollën e mesme, por edhe as dituri në lidhje me punën që e kanë ushtruar. Ndaj, me këtë problem thuajse afro 18-vjeçar, PTK-ja edhe përkundër faktit nuk është dorëzuar, janë politikanët dhe biznesmenët ata që i kanë futur hundët aty ku nuk duhet, saqë PTK-në e kanë bërë një viktimë të këtij skandali ", u shpreh më tutje Grapci. "Është afaristi Blerim Devolli dhe kompania " Z-Mobile", ato që e kanë fituar Arbitrazhin në mënyrë joligjore, duke i vënë kushte pastaj PTKsë për t'i dhënë mbi 100 mijë numra shtesë si dhe lejen për aktivizimin e platformës 4G, e cila në fakt menjëherë pas disa muajve "Z-MOBILE" i ka shpërblyer klientët e saj me këtë rrjet të shpejtë", shpjegoi ai. Analisti Ragip Guraziu tha për "Kosova Sot", se edhe çka tjetër duhet të ndodhë që Prokuroria Speciale e Kosovës të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për shkatërrimin dhe vjedhjen e PTK-së, përfshirë edhe oligarkun Blerim Devollit dhe të gjithë të apostrofuarit, Rexhë Gjonbalaj, Ekrem Hoxha,Genc Lami, ministrat, drejtorët etj., si të dyshuar në këtë krim 'makabër' e të pashembullt kundër shtetit dhe aseteve e fondeve të tij. Sipas tij, është për keqardhje që dora e zezë depërtoi edhe në PTK, për ta falimentuar dhe për ta shkatërruar edhe kriminalisht e mizorisht PTK-në, derisa Prokuroria ka dështuar totalisht sa i përket rastit, pa kurrfarë padie. 

Opozita akuzon Prokurorinë se është e kapur

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga opozita, Ali Lajçi (LVV),për "Kosova Sot", tha se kjo gjendja e rëndë erdhi si pasojë e keqmenaxhimit të kësaj kompanie, të cilën fatkeqësisht për shkak të keqmenaxhimit e sollën buzë falimentimit, ngase ishte një kompani që e mbushte buxhetin e Kosovës. "Madje, ka gjasa që shumë shpejt në këtë kompani nuk do të ketë as paga për punëtorë. Por, ndërkohë këtu janë futur në marrëdhënie pune shumë veta që nuk kanë se çfarë të punojnë, por vetëm sillen korridoreve", u shpreh ai. "Veç saj, nuk është investuar fare në këtë kompani, qoftë në rrjetin e saj apo diku tjetër, në mënyrë që të jetë mirë financiarisht dhe të ishte konkurrentja e parë në vend. Pra, kjo është bërë qëllimisht, që kompania të sillet në këtë gjendje, në mënyrë që më pas këtë kompani ta blejë ndonjë kompani e kësaj fushe, që është e afërt me pushtetin, sikurse që është kompania "Z - Mobile", apo ndonjë kompani tjetër", vlerësoi Lajçi. Ndërsa për heshtjen e Prokurorisë, deputeti Lajçi tha se edhe Prokuroria dhe drejtësia është pjesë e segmentit të shtetit që është kapur nga politika dhe si po duket edhe Prokuroria janë njëra nga ndihmesat e falimentimit të kësaj kompanie, por edhe njëri ndër shkaktarët e rritjes së korrupsionit. Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Salih Salihu,për gazetën " Kosova Sot", tha se e tëra kjo është bërë qëllimisht, sepse edhe shërbimet e tashme që janë shumë të dobë- ta dhe që po i ofron kjo kompani e kanë një synim shkatërrimin e kësaj kompanie. "Nuk duhet të çuditemi se përse Qeveria po hesht, ndonëse e menaxhon vetë dhe nga heshtja e saj po shihet se Qeveria e ka për qëllim falimentimin e saj", theksoi më tej ai. Ndërsa sa i përket heshtjes së Prokurorisë së Shtetit, deputeti Salihu tha se Prokuroria për punë ose mospunë i raporton qeveritarëve, andaj ajo po hesht, sepse janë pjesë e sistemit mafioz të Qeverisë dhe Prokurorisë dhe e tëra kjo bëhet qëllimisht, që t'i ulet vlera e më pas ta privatizojë ndonjë kompani e afërt me pushtetarët, si janë "Z- Mobile" apo dikush tjetër. Gazetari ka provuar të kontaktojë të gjithë të apostrofuarit por nuk ka marrë përgjigje. Gazeta mbetet e hapur për prononcimet e të gjitha palëve.