Preteni:Raporti i Progresit shumë më pozitiv sesa që e meritojnë institucionet

  • 19 April 2018 - 15:08
Preteni:Raporti i Progresit shumë më pozitiv sesa që e meritojnë institucionet

Ish-kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, thotë se shikuar realisht Raporti i Progresit është shumë më pozitiv sesa që e meritojnë institucionet e vendit. "Janë miqtë ndërkombëtarë që po tentojnë të na nxjerrin nga baltosja e "çlirimtarëve" tanë. Isha komandant i njësitit më kontribuues në Luftën e UÇK-së në zonën e Shalës, 13 dëshmorë dhe më shumë se 20 invalidë, pa asnjë problem ndërnjerëzor, asnjë pasuri e tjetërsuar. Listat e veteranëve dhe dëshmorëve e njëjtë si në vitin 1999 ashtu edhe në 2015, asnjë ndryshim. Isha krenar, i vetmi epror i lindur në qytet, me dy përgatitje universitare, ballëhapur para qytetarit. Por si u menaxhua tutje liria, komandantë fals, të pangopur, të papërjetuar, të etshëm për para dhe pasuri. E shkelën amanetin, e gllabëritën vendin, ia morën qytetarit perspektivën. Bisedon me qytetarë dhe ata e kërkojnë robërinë vetëm të mos i shohin "çlirimtarët". Kosova kështu po rrëshqet në mjerim, komandantë të pa shkollë, analfabetë dhe dështakë që na e vodhën perspektivën, na e okupuan shkollimin dhe shëndetësinë", theksoi ai. "Shtiren se humbëm territor nga jashtë, kurse të gjithë pasurinë shtetërore të brendshme e përvetësuan vetë, 300 hektarë tokë blihen me 70,000 euro! Nuk kam nostalgji aspak për sistemin e kaluar, por e gjithë pasuria e ish-udhëheqësve komunistë për 40 vjet është më e vogël se pasuria e vetëm një komandanti të pasluftës. Nuk kemi shkollim, nuk kemi shëndetësi, nuk kemi ekonomi të lirë, nuk kemi veteranë të mirëfilltë, nuk kemi inteligjencë të mirëfilltë. I kemi vetëm komandantët që na zaptuan lirinë dhe perspektivën, prandaj Raporti i Progresit të gjitha shtetet në regjion i vlerësoj më mirë, pasi në ato shtete komandantët nuk janë në pushtet", vlerësoi Hasan Preteni për "Kosova Sot".

 

(Kosova Sot)