Kelmendi:Fatkeqësisht prokurorët po i mbrojnë politikanët e korruptuar

  • 19 April 2018 - 15:42
Kelmendi:Fatkeqësisht prokurorët po i mbrojnë politikanët e korruptuar

Analisti politik dhe publicisti Naim Kelmendi thotë se të gjeturat e Raportit të Progresit, për të gjitha nivelet e institucioneve ku hasen dobësi, është i saktë edhe kur flet për të gjeturat dhe dështimin e sistemit të drejtësisë. "Fatkeqësisht prokurorët po i mbrojnë politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar në krim të organizuar dhe korrupsion së bashku me mafiooligarkët, e që këta mafio- oligarkë janë shefa në hije të të gjitha institucioneve në Kosovë, qoftë në nivelin qendror apo qoftë në nivelin lokal. Mbase edhe duke qenë e kundërligjshme si veprim, ndodh që prokurorët e lidhur me këto rrjete në Kosovë, në shumicën e rasteve të kallëzimeve penale i hartojnë dobët dhe më pastaj ato i hedhin poshtë gjykatat, ose zvarriten dhe hidhen poshtë pas heshtjes së gjatë e mosndërmarrjes së veprimeve ligjore. Madje ka raste kur edhe pa asnjë argument të arsyeshëm këto lëndë lihen të parashkruhen nëpër sirtarët e gjykatave apo prokurorive të vendit", u shpreh ai."Në fakt kjo neglizhencë e qëllimshme profesionale atakon drejtpërdrejt funksionin e drejtësisë dhe në anën tjetër nxjerr në pah faktin se drejtësia në Kosovë ka nevojë imanente për reformim substancial dhe për pasurim me prokurorë dhe gjyqtarë të mirëfilltë e me etikë, me integritet që nuk e shesin dhe nuk e trafikojnë drejtësinë", theksoi Naim Kelmendi.

(Kosova Sot)