Panairi i OEK-ut, një debakël i madh

  • 20 April 2018 - 07:47
Panairi i OEK-ut, një debakël i madh

OFENSIVA EKONOMIKE SERBE NË KOSOVË

Shqipëria mungoi, dominuan kompanitë serbe

Panairi ndërkombëtar i radhës i OEK-ut, që u hap ditë më parë, edhe një herë dëshmoi se Oda Ekonomike e Kosovës, në krye me Safet Gërxhaliun, realisht është bërë propaganduesi më i madh për produktet serbe, në një kohë kur realisht Serbia bllokon Kosovën në çdo gjë. Gjysma e kompanive pjesëmarrëse janë nga Serbia, ndërsa mbetet një mister i madh se përse kompanitë e Shqipërisë e bojkotuan panairin e OEK-ut. Njohësit e kësaj fushe pyesin se si është e mundur që të marrin pjesë 70 kompani nga Serbia në panair e pothuajse asnjë nga Shqipëria?Analistët edhe po pyesin se si mund të vazhdojë të mbetet edhe më tej kryetar i Odës Ekonomike Safet Gërxhaliu, i cili po punon ekskluzivisht për klanin 'Pronto' dhe vëllezërit e inkriminuar Devolli, si dhe klanet e tjera të nëntokës kriminale që janë të instaluara kriminalisht në OEK? Ata habiten se si mundet që kreu i një institucioni siç është Oda Ekonomike e Kosovës, me kaq traditë të gjatë, të vazhdojë që të mbetet një shërbyes i mafio-oligarkëve, i cili mbron vetëm monopolet antiligjore, antikushtetuese dhe kriminale të Devollëve dhe të tjerëve, mbron po ashtu ish-zv.kryeministrin Ramiz Kelmendi, të cilin në kohën kur ishte në garë me të për kryetar të OEK-ut e quante edhe kriminel, ndërkaq pasi që Kelmendi hyri në politikë, ai e shpalli Kelmendin edhe "hero të bizneseve", duke e shpërblyer. Analistët pyesin se si mund të arsyetohet Safet Gërxhaliu si kryetar i OEK-ut, që punon dhe mbron ekskluzivisht interesat e mafio-oligarkëve dhe nëntokës e politikës, të cilët në baza ditore shkelin ligjet dhe Kushtetutën, duke filluar me Devollët e shumë të tjerë, e duke vazhduar edhe me biznesmenë si ish-zëvendëskryeministri dhe deputeti aktual Ramiz Kelmendi, i cili po helmon qytetarët me mish të prishur në baza ditore, por edhe ishte akuzuar edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se gjatë vitit 2011 kishte kryer veprën penale "vjedhje e rëndë", ku ai akuzohej për vjedhje të energjisë elektrike. Ndonëse gazeta, përmes pyetjeve të dërguara në adresat e tyre elektronike, është përpjekur të mësojë se çka thonë Safet Gërxhaliu, Ramiz Kelmendi, Blerim dhe Shkëlqim Devolli, çka ambasadori i Shqipërisë dhe çka thotë MTI-ja, nuk ka marrë përgjigje.

Politika ekonomike, inferiore ndaj Serbisë

Analisti Lulzim Beqiri për "Kosova Sot" tha se nën organizimin e Odës Ekonomike të Kosovës, e mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës, dje është hapur panairi ndërkombëtar "Prishtina 2018", ku po marrin pjesë rreth 170 kompani nga vende të ndryshme, e 70 nga pjesëmarrësit janë nga Serbia, e për mirëseardhje një "cakërrim" të gotave me raki të ftoit të Serbisë si gjithherë zëvendëskryeministri i Kosovës i prin mikpritjes. "Ani pse Serbia kishte vrarë 12 mijë qytetarë të tij, prej tyre 1,741 femra, 1,396 fëmijë nën moshën 18-vjeçare, ndërsa në altarin e lirisë kanë rënë 2,261 dëshmorë, në mesin e tyre 68 dëshmorë e martirë nga Shqipëria, pastaj janë përdhunuar mbi 20 mijë gra kosovare, duke përzër 1 milion qytetar, duke djegur mbi 100 mijë shtëpi, shteti kriminal serb ende po e vazhdon luftën speciale ndaj Kosovës, si në aspektin politik, ekonomik e kulturor, pra ne po bëjmë tregti me armikun, një armik i keq dhe i pamëshirë, ne ende po i hapim zemrën kompanive serbe, e që parimisht nuk jam kundër përderisa shteti i tyre kërkon falje, mirëpo ky shtet kriminal nuk respekton asnjë ligj të Republikës sonë, madje ka edhe plane për trazira, aneksim, mosbindje ndaj shtetit të njohur tash nga shumica e vendeve demokratike", theksoi ai. Sipas Beqirit, thjesht Serbia për çdo vit shet rreth 500 milionë euro mallra në tregun e Kosovës, përderisa eksportet e Kosovës drejt shtetit fqinj nuk janë më të larta se 20 milionë euro."Gjithashtu edhe presidenti i Serbisë disa ditë më parë u kishte bërë thirrje kompanive serbe që të marrin pjesë sa më shumë në panairin e Prishtinës, ose në "tokën e shenjtë" sipas serbëve. Kosova dhe Shqipëria duhet urgjentisht të fillojnë t'i bashkojnë odat ekonomike dhe të kenë një strategji të përbashkët të zhvillimit të shqiptarëve kudo që ata jetojnë", potencoi ai.

Manipulimi i Odës Ekonomike

Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për "Kosova Sot" tha se pa u ngarkuar me dyshimet konspirative, sipas tij, Panairi i Bizneseve në Prishtinë e ka dhënë efektin e vet pozitivisht për Kosovën, sepse pjesëmarrja e 70 bizneseve nga Serbia dhe t'i pranojnë kushtet e nikoqirit, në këtë rast të Republikës së Kosovës, në njëfarë mënyre e kanë pranuar Kosovën si realitet të ri."Kosova si nikoqir e ka kryer punën, detyrat, si një anëtar i CEFTA-s dhe nënshkruese e MSA-së dhe panairi ka qenë i hapur për të gjitha shtetet, kështu që mosinteresimi i bizneseve shqiptare është problem i tyre dhe fajin duhet ta kërkojnë te shteti shqiptar që po e zbeh çdo ditë e më shumë bashkëpunimin tregtar me Kosovën", theksoi ai."Ashtu siç është vlerësuar nga faktori ndërkombëtar dhe mediat e huaja, mendoj që panairi i bizneseve ka qenë një test pozitiv për Republikën e Kosovës, duke dëshmuar që mendon nga e ardhmja dhe perspektiva ekonomike. Negative do ta vlerësoja importin e madh që e kemi nga Serbia e ku dihen edhe bizneset që importojnë, sepse investimi në Kosovë është i mirëseardhur nga cilido vend që është investitori dhe vlen t'ia kujtojmë opinionit që pjesë- marrësit e bizneseve nga Serbia i kanë vlerësuar lart panairin dhe bizneset kosovare", potencoi Kadriaj. Ndërsa analisti Ragip Guraziu thotë për "Kosova Sot" se nuk ka asnjë dyshim se Safet Gërxhaliu është një sundues që e përqafoi krimin dhe po e sundon ekonominë kosovare, duke e dëmtuar rëndë imazhin e Odës Ekonomike dhe duke qenë një vegël e tillë e krimit."Dëshmi e gjithë kësaj është panairi i hapur ditë më parë i OEK-ut që na tregon se OEK-u në krye me Safet Gërxhaliun, realisht është bërë propaganduesi më i madh për produktet serbe, kur dihet që realisht Serbia po e bllokon Kosovën në çdo gjë dhe në çdo fushë ku mundet", vijoi më tej ai. "Doemos duhet pyetur se si mund të vazhdojë që të mbetet edhe më tej kryetar i Odës Ekonomike Safet Gerxhaliu, i cili po punon ekskluzivisht për klanin 'Pronto' dhe vëllezërit e inkriminuar Devolli, si dhe klanet e tjera të nëntokës kriminale që janë të instaluara kriminalisht në OEK", u shpreh Guraziu. 

Prokuroria duhet të hetojë lidhjet kriminale

Ndërsa eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, tha për "Kosova Sot" se si mund të arsyetohet Safet Gërxhaliu, si kryetar i OEK-ut, që punon dhe mbron ekskluzivisht interesat e mafiooligarkëve dhe nëntokës e politikës, të cilët në baza ditore shkelin ligjet dhe Kushtetutën, duke filluar me Devollët e shumë të tjerë, duke vazhduar edhe me biznesmenë si ish-zëvendëskryeministri dhe deputeti aktual Ramiz Kelmendi, i cili po helmon qytetarët me mish të prishur në baza ditore, por edhe ishte akuzuar edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se gjatë vitit 2011 kishte kryer veprën penale "vjedhje e rëndë", ku ai akuzohej për vjedhje të energjisë elektrike. "Prokuroria dhe shteti duhet hetuar Safet Gërxhaliun se si motivohet për të mbrojtur interesat e mafio-oligarkëve të inkriminuar, të cilët në baza ditore shkelin ligjet dhe Kushtetutën, por për shkak se ia "lagin fytin" politikanëve të inkriminuar shpëtojnë "pa një ferrë në këmbë", vlerësoi Grapci. Ndërsa afaristi Ramadan Maloku për "Kosova Sot" shkurtimisht tha se është për keqardhje që në saje të drejtuesve të OEK-ut po i bie se ata po propagandojnë për palën serbe dhe tregu kosovar mbetet i varur nga Serbia dhe kjo sjellje e drejtuesve të OEK-ut ka bërë që të marrin pjesë 70 kompani nga Serbia në panair e pothuajse asnjë nga Shqipëria. "Kjo vërtet nuk do asnjë koment më tepër se për kë po punon lidershipi i tashëm i OEK-ut, për Kosovën dhe shqiptarët apo për Serbinë, që ka synim të pushtojë ekonomikisht me mallrat e veta viset shqiptare", ka theksuar ai.

(Kosova Sot)