Mitrovica Veriore çon 9 mijë euro në telefona

  • 20 April 2018 - 10:36
Mitrovica Veriore çon 9 mijë euro në telefona

Komuna e Mitrovicës së Veriut ka shpenzuar 9 mijë e 100 euro për blerjen e telefonave mobilë.

Blerjen e telefonave mobilë Komuna e ka arsyetuar me nevojën për komunikim më të mirë në mes të zyrtarëve të saj dhe rritjen e produktivitetit në punë.

“Ky prokurim është i domosdoshëm për të mundësuar komunikim më të mirë midis zyrtarëve komunalë në mënyrë që të arrihet një produktivitet më i madh”, thuhet në njoftimin për nënshkrimin e kontratës.

Në njoftimin e publikuar, komuna bën të ditur për publikun se blerjen e telefonave ia ka besuar kompanisë “Nikola Bakic I.B” në vlerë të kontratës prej 9 mijë e 100 eurove.

Për këtë aktivitet të prokurimit, Mitrovica Veriore kishte përdorur procedurën e kuotimit në prokurim me kriter çmimin më të ulët.

Bazuar në thirrjen për kontratë, mësohet se komuna planifikoi blerjen e gjithsej 24 telefonave mobilë.

Në vlerën e kontratës së nënshkruar prej 9 mijë e 100 eurove dhe numrit prej 24 telefonave, mesatarja e thjeshtë tregon se Komuna pagoi rreth 380 euro për një telefon celular.

Komuna ishte e gatshme të paguante deri në 10 mijë euro për t’u pajisur me telefona mobilë, pasi sipas njoftimit kaq ishte vlera e paraparë për këtë aktivitet të prokurimit

(Kosova Sot)