Mal ankesash ndaj Komunës së Prizrenit

  • 16 May 2018 - 18:25
Mal ankesash ndaj Komunës së Prizrenit

NGA MUNGESA E UJIT E KANALIZIMIT DERI TË MOS DHËNIA E LEJEVE TË NDËRTIMIT

Tridhjetë familje të lagjes "Gurishta" kanë mbetur pa ujin e pijes 

Seancat e Kuvendit Komunal janë bërë bukur të gjata, sidomos ato që lidhen me kërkesat nga terreni. Në seancën e fundit kuvendari Skender Sallauka ka paraqitur rastin e lagjes "Gurishta" se ata banorë tani e sa kohë kanë kushte të dobëta. Ankesat e banorëve të rrugës "Janina", sidomos lagjes së kësaj rruge "Gurishta", janë nga ankesat jetike, të jesh ose të mos jesh. Janë jo më pak se 30 familje të kësaj lagje që ankesë me prioritet e kanë mungesën e ujit të pijes."Në këtë lagje tashmë për fat të keq ka shumë mungesa, por ajo që i trondit edhe i ka sjell para aktit të rëndë është fakti se atje s'ka as rrjet të ujësjellësit e as të kanalizimit .Tashmë ata banorë gjenden në hallin e madh të vapës dhe mungesës së ndriçimit publik të rrugës së paasfaltuar e as me zhavor nuk e kanë të shtruar. 

Kërkojnë ndërtim rrugësh nëpër fshatra

Kurse banorët e kësaj lagje, si Besim Kastrati, Idriz Sertolli etj., janë shprehur për mungesën e rrjetit të ujësjellësit, sepse kjo lagje me 30 familje e shumë banorë është e harruar qëmoti. "Kjo nuk është jetë. Kemi hapur puse, por ato nuk kanë ujë, shprehet Kastrati për"Kosova Sot". Nga "Hidroregjioni jugor", Lumni Sallahu tregon se në lagjen "Gurishta" e kanë për obligim shtrirjen e rrjetit komunal. "Pasi të shtrihet rrjeti, ne do të kemi mundësi pastaj të interesohemi për furnizim me ujë të pijes. Nazife Kokollari për rastin e fëmijëve me autizëm thotë se duhet të gjithë të punojmë në këtë drejtim që ata të socializohen. Antigona Krasniqi dhe Sulltan Badallaj kërkuan ndërtimet e rrugëve në fshatra dhe mundësinë e qasjes më të lehtë. Ilir Gashi ka kërkuar që me rastin e ditës së Lidhjes së Prizrenit që eshtrat e Ymer Prizrenit të varrosen në oborrin e xhamisë së Bajraklisë. Derisa kryetari Mytaher Haskuka theksoi se janë shtuar ankesat që qytetarët nuk po mund të pajisen me leje të ndërtimit. 

Pengesat e Gjykatës për ndërtim objektesh

Drejtori i Urbanizmit në këtë komunë, Fatmir Memaj, për "Kosova Sot" ka theksuar se është hendikep i madh një vendim nga ana e Gjykatës Themelore të Prishtinës për ndalimin e dhënieve të lejeve të ndërtimit të Prizrenit, për shkak të ankesave që ka bërë INFRAKOS lidhur me rastin e vijës hekurudhore. Mirëpo ai beson se së shpejti kjo gjykatë do të lejojë të jepen leje së paku jashtë kësaj zone. Edhe kryetari i Shoqatës së Afaristëve të Prizrenit, Liman Asllani, ankohet në mosfillimin e realizimit të projekteve në Prizren. Ai shton se është koha për realizim projektesh e jo neglizhencë në këtë drejtim."Jemi të vetëdijshëm se njerëzit kanë të drejtë të ndërtojnë në pronat e tyre. Por, jemi me shumë shpresë se shpejt do të fillojmë të japim leje ndërtimi dhe të në formën më transparente. E gjithë kjo që mos të krijohet mundësia e ndonjë korrupsioni", është shprehur kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

(Kosova Sot)