Milionat e tenderomanisë mbushin gushën e pushtetarëve (Video)

  • 16 May 2018 - 11:09
Milionat e tenderomanisë mbushin gushën e pushtetarëve (Video)

ZERO TRANSPARENCË PËR FONDET BUXHETORE

"Një kryeministër pa asnjë njohuri për asgjë për ekonominë, punësimin, por edhe pa asnjë njohuri për asgjë tjetër , andaj edhe nuk ka tash çka të pritet prej këtij mandatari, prej ministrave që nuk kanë përvojë, me përjashtim të dy a tre vetave… Këto parti marrin para për fushata apo edhe donacione të ndryshme, kurse auditorët dhe auditimet e tyre janë të kota dhe askujt nuk i përgjigjen, nuk i paguajnë gjobat dhe më pas e marrin pushtetin dhe qeverisin paranë publike", tha Blerim Burjani për "Kosova Sot" 

Në shumicën rasteve, në Kosovën e pasluftës milionat e taksapaguesve kosovarë po përfundojnë në xhepat e pushtetarëve tanë të korruptuar që janë të lidhur me bizneset mafioze e këto me qeveritarët. Analistët thonë se paratë e tatimpaguesve kosovarë po abuzohen me shpenzime nga më të ndryshmet, shpesh të mbuluara nga dyshime serioze për korrupsion dhe të gjitha bëhen hapur nga një armatë zyrtarësh shpërdorues që e kanë mbipopulluar administratën shtetërore, kabinetet e ministrave dhe zëvendësve të tyre të panumërt. Ata pyesin se përse derisa përfitimet e paligjshme po shtohen në xhirollogaritë e mafio-oligarkëve dhe rrjeteve të tyre kriminale, institucionet kompetente për të verifikuar këtë zhvatje masive të buxhetit vetëm sodisin të qetë këtë grabitje të djersës së qytetarëve. Sipas analistëve të politikës, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) doemos nevojitet dhe duhet që urgjentisht të shtojë volumin e punës së saj dhe të auditojë secilin cent të buxhetit të shtetit se ku po përfundon. Veç saj, sipas njohësve të kësaj fushe, edhe Kuvendi i Kosovës duhet që t'ia shtojë kompetencat ZAP-it, në mënyrë që raportet, të cilat i bën kjo zyrë, të mos mbesin vetëm dekor, por të shërbejnë si nxitje për hetime nga organet e drejtësisë (prokurorisë dhe policisë hetuese) dhe shkarkim të zyrtarëve përgjegjës për t'u përballur me drejtësinë në mënyrë meritore. Prandaj analistët thonë se pa e instaluar mekanizmin e ndëshkimit në organet shtetërore, ku abuzohet me paranë publike, nuk mund të disiplinohen zyrtarët që hapur po zhvatin sa po munden e pandalshëm, edhe atë si në nivelin e pushtetit qendror po ashtu edhe në atë lokal. Me gjithë pyetjet e gazetës dërguar në adresën elektronike të ZAP-it, zyrtarët e tyre nuk kanë kthyer të martën përgjigje, duke premtuar se këtë do ta bëjnë të mërkurën. Veç saj, gazeta u ka dërguar pyetje edhe në adresën elektronike, si dhe ka bërë telefonata me shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës, por të njëjtit, sikurse edhe ZAP-i, nuk kanë kthyer përgjigje.

Paraja publike po keqpërdoret

Analisti politik, Arsim Haziri, tha për "Kosova Sot" se buxheti është faktori më relevant për zhvillimin, respektivisht konsolidimin e vendit, mirëpo zyra dhe gjithë mekanizmi verifikues dhe ndëshkues, fatkeqësisht, është në një lloj gjumi artificial. "Paraja e qytetarëve është duke u keqpërdorur në masë enorme, kjo fillon prej mosdeklarimit të shpenzimeve gjatë aktiviteteve elektorale e deri te shtimi i madh i dikastereve qeveritare. Ky shtim më shumë shërben për rehatinë e militantëve partiak sesa që mund njëmendë të shtyjmë fuqimisht agjendën qeveritare", theksoi ai. "Mjafton t'ia hedhim një sy qeverisë së tanishme, ku ajo pjesën më të madhe të buxhetit e shpenzon për paga dhe në këtë kuptim vërehet se sa rigoroz është pushteti ynë në relacion më këtë çështje. Shkarje e madhe zhvillohet edhe në dimension tjetër, mirëpo këtu mungon së funksionuari rrjeti i gjykatave, të cilat asnjëherë nuk e marrin mundin të shtyjnë më tej detyrimin e tyre, për një shtet demokratik dhe ligjor", vlerësoi Haziri. Ndërsa eksperti i integrimeve evropiane në fushën e drejtësisë, Ali Hertica, tha për "Kosova Sot", se kjo armatë e keqpërdoruesve po i degradon shtetin dhe shoqërinë kosovare, duke përfituar dhe grabitur djersën e qytetarit të përvuajtur. "Tani i vetmi shpëtim i shoqërisë kosovare është që Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP-i) të shtojë volumin e punës së saj dhe të auditojë secilin cent të buxhetit të shtetit se ku po përfundon për çdo cent që shpenzohet pa mbulesë nga keqpërdoruesit matrapazë të shtetit", vlerësoi ai. 

"Nga i gjithë ky historik i keqpërdorimeve të shtetit del se as një institucion ligjor nuk po ka guxim të marrë hapa drejt shtrirjes së ligjit dhe ndjekjen penale ndaj kësaj kaste degraduese politike", tha Ali Hertica për "Kosova Sot" 

"Auditori nuk auditon keqpërdorimet e kabineteve të ministrave, por në përgjithësi merret me shpenzimet, ndërkohë që siç dihet me shpenzimet e paligjshme duhet që të merret Prokuroria e Shtetit e jo Auditori", tha Blerim Burjani për "Kosova Sot" 

Pushtetarëve u intereson zhvatja, jo qytetari

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Burjani, tha për 'Kosova Sot" se është e kotë që ka auditorë, sepse ata nuk bëjnë vërejtje përse shpenzohen për 76 zëvendësministra anonimë, pa profesion, pa kurrgjë, veç marrin paga kot, bëjnë zhvatje buxheti. "Një kryeministër pa asnjë njohuri për asgjë për ekonominë, punësimin, por edhe pa asnjë njohuri për asgjë tjetër , andaj edhe nuk ka tash çka të pritet prej këtij mandatari, prej ministrave që nuk kanë përvojë me përjashtim të dy a tre vetave që vijnë nga PDK-ja, të tjerët janë anonimë për fushat, atëherë edhe nuk ka se çka të pretë qytetari ", theksoi ai."Këto parti marrin para për fushata apo edhe donacione të ndryshme, kurse auditorët dhe auditimet e tyre janë të kota dhe askujt nuk i përgjigjen, nuk i paguajnë gjobat dhe më pas e marrin pushtetin dhe qeverisin me paranë publike", vijoi më tutje ai."Që nga paslufta në Kosovë është luftë për të qeverisur me paranë publike e jo për të plotësuar kërkesat që dalin nga qytetarët, pra prioritet është paraja publike për këta njerëz të paedukuar e jo qytetari, ngase qytetari nuk është qendra për interesim, por është paraja publike dhe punësimi partiak e familjar", theksoi Burjani. Sipas tij, auditorët merren me disa gjëra themelore të shpenzimeve të buxhetit, kurse ata në esencë bëjnë raporte të përgjithshme dhe rekomandimet e tyre nuk zbatohen.

Populli i lodhur nga keqpërdorimet

Qytetarët janë të mendimit se përmes korrupsionit po shpërdoren me të madhe tenderët. Rrahman Rrahmani tha për "Kosova Sot" se nëse paratë bien në duart të njerëzve jo të ndershëm, ato do të keqpërdoren nga ana e tyre në tenderët milionësh të shtetit. "Dhe kjo situatë është një mjerim për qytetarët, kurse ata që po i keqpërdorin këto mjete nuk po mendojnë fare për popullin që është në këtë gjendje aq të rëndë nga papunësia e madhe që po vjen si pasojë e korrupsionit dhe hajnisë që po i bëhet buxhetit të shtetit përmes tenderëve publikë, andaj edhe zhgënjimi i qytetarëve nuk ka të ndalur", potencoi ai. Kurse qytetari Hilmi Hyseni për "Kosova Sot" tha se nuk ka asnjë dyshim se tenderët publikë që nga paslufta janë bërë forma më e shpejtë e pasurimit pa djersë të pushtetarëve tanë, ndaj edhe po luftohet me të madhe nga partitë që të futen në qeveri, sepse me një rrogë të vetme askush nuk mund të pasurohet aq shpejt. "Kjo po bëhet përmes keqpërdorimeve të mjeteve nga tenderët publikë. Duhet të jem realë se unë personalisht fakte nuk kam, por në opinion po dyshohet se kur po bëhen marrëveshjet për tenderët në mes tyre, pra punëmarrësi dhe punëdhënësi e bëjnë një çmim në dokumente, kurse çmimi tjetër i rritur bëhet përmes dallavereve, sepse këtu ka përfitime marramendëse. Andaj edhe e them lirshëm se nëpër tenderët publikë që po shpërdorohen me të madhe janë forma më e shpejtë e pasurimit dhe keqpërdorimit të parave të buxhetit të shtetit. Mirëpo e tërë kjo lojë e pistë po bëhet në mes të pushtetarëve tanë që janë të lidhur me ndërkombëtarët që po i lejojnë këto punë të pista", vlerësoi ai. Ndërsa qytetari Jakup Bekteshi për gazetën "Kosova Sot" tha se gjithmonë janë keqpërdorur paratë nëpër tenderët publikë. "Të gjitha grupet politike janë të lidhura me fatin e tenderëve publik dhe përmes tyre ata po i pasurojnë pushtetarët tanë", potencoi ai. Sipas Bekteshit, BE-ja nuk po na jep liberalizimin e vizave shkaku i pushtetarëve tanë që nuk po e luftojnë krimin dhe korrupsionin.

(Kosova Sot)