SHBA-JA NUK MUND TË MBROHET NGA KJO ARMË "E PAMPOSHTUR" RUSE

  • 17 May 2018 - 19:19
SHBA-JA NUK MUND TË MBROHET NGA KJO ARMË

E GATSHME NGA VITI 2020

Arma "Avangard" është dizajnuar ashtu që të vendoset në majë të një rakete balistike ndërkontinentale

Arma hipersonike ruse, e llojit glider (fluturake pa motor), e cila mund të përdoret për të bërë sulme në çdo pikë të botës, pritet që të jetë e gatshme deri në vitin 2020. Këtë e bën me dije një burim anonim, i cili thotë të ketë qasje në informatat amerikane të inteligjencës në lidhje me këtë armë, të quajtur "Avangard". "Avangard", arma ruse kundër së cilës SHBA-ja aktualisht nuk është e aftë që të mbrohet, thuhet se udhë- ton me një shpejtësi sa 20 herë shpejtësia e dritës. Rusia me sukses e ka testuar dy herë armën "Avangard", në vitin 2016, bën me dije i njëjti burim. Një test i tretë, në tetor të vitit 2017, dështoi, pasi që platforma shpërtheu pak sekonda para se ta godiste cakun, thotë burimi i njëjtë. Por Moska, e cila është duke e zhvilluar këtë armë për tri dekada, thotë se ajo do të jetë e gatshme që të përdoret në luftë pas vetëm dy vjetësh. Ky lajm vjen pak muaj pasi që presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se arsenali i tij hipersonik ishte 'i pamposhtur'. 

Koka artificiale bërthamore

Arma "Avangard" është dizajnuar ashtu që të vendoset në majë të një rakete balistike ndërkontinentale. Pasi që të lansohet, ajo përdorë aerodinamikën që të ngjitet në shtresat e epërme të atmosferës. Është në gjendje që të bëjë kthesa të mprehta dhe ta ndjekë cakun e sulmit, gjë që e bën atë rezistente ndaj çdo sistemi të mbrojtjes antiraketore. Duke folur për CNBC, burimi bën me dije se, në një raport të inteligjencës, është thënë se, gjatë testimeve, "Avangard" ishte montuar në raketat ndërkontinentale balistike të prodhuara në Rusi, të quajtura SS-19. Njëri prej 'gliderëve' testues përmbante një kokë artificiale bërthamore edhe pse nuk dihet ende nëse këto armë do të bartin eksplozivë, pasi që të jenë të gatshme për t'u përdorë. Rusët janë duke planifikuar që ta bëjnë një test të katërt, dikur gjatë verës së sivjetme. 

Godet si një meteor

'Armët e këtij lloji shfrytëzojnë mangësitë e sistemit tonë të mbrojtjes antiraketore', thotë Thomas Karako, drejtor i Projektit raketor të mbrojtjes, në Qendrën për studime strategjike dhe ndërkombëtare. Ai shton se është momenti i fundit që të modifikohet mbrojtja aktuale antiraketore amerikane. Putin e përshkroi si 'të pamposhtur' arsenalin e tij hipersonik, gjatë një fjalimi, të mbajtur në prill. Ai tha se "Avangard" do të fluturojë deri te caku i vet me një shpejtësi 20 herë më të madhe sesa ajo e dritës, duke e goditur cakun sikur meteor, sikur top i zjarrtë. Me këtë rast, ky ish agjent i KGB-së, tani president, kishte thënë se "Avangard" tanimë ka hyrë në prodhim serik, transmeton "Kosova Sot Online". 'Dua t'iu them të gjithë atyre që kanë nxitur garën në armatim, gjatë 15 viteve të fundit, e që donin ta mposhtnin Rusinë, me anë të sanksioneve të paligjshme: Keni dështuar në pengimin e Rusisë', kishte thënë Putin. Komandanti kryesor bërthamor i Amerikës, tha se forcat amerikane nuk janë në gjendje që të mbrohen nga një armë hipersonike. 'Ne nuk kemi asnjë mbrojtje e cila do të mund ta pengonte një armë të tillë', tha gjenerali i forcës ajrore, John Hyten, komandant i Komandës strategjike të SHBA-së, para ligjvënësve në Komitetin e shërbimeve të armatosura të Senatit. 'Si Rusia, po ashtu edhe Kina janë duke zhvilluar në mënyrë agresive armët hipersonike, derisa SHBA-ja ka përcjellë testimin e tyre', kishte shtuar ai. 

(Kosova Sot)