Një dekadë heshtje kriminale përballë devollizimit të homologimit

  • 23 May 2018 - 07:54
Një dekadë heshtje kriminale përballë devollizimit të homologimit

Kontrata antiligjore dhe antikushtetuese ende në fuqi edhe me qeverinë 'Haradinaj'

"Si është e mundur që Autoriteti i Konkurrencës të mbyllë sytë dhe të mos e dërgojë rastin urgjentisht në Gjykatën Kushtetuese dhe përse i janë dashur këtij autoriteti, me përbërje tjetër, pothuajse 10 vjet për të konstatuar se homologimi është monopol, kundërkushtetues dhe joligjor?… Ligji janë Devollët, prandaj as Prokuroria Speciale dhe as ajo Themelore nuk i sjellin para drejtësisë personat zyrtarë të shtetit që e kanë nënshkruar kontratën kriminale monopoliste për homologim, sikur edhe përfaqësuesit që kanë nënshkruar në anën e Devollëve të inkriminuar", shprehet analisti Ragip Guraziu për "Kosova Sot" 

Për momentin ende nuk dihet se përse nuk po ndalet monopoli kriminal i homologimit të Shkëlqim Devollit, ndonëse ka qenë kreu i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës që ka deklaruar se homologimi është monopoli më i pastër 100 % që është në Kosovë. Valon Prestreshi ka thënë se kompania 'EuroLab' ka fituar nga ky proces për dhjetë vjet, duke shërbyer si e vetme dhe pa konkurrencë për homologimin. Analistët dhe deputetët me të drejtë po pyesin se përse Autoriteti i Konkurrencës nuk po e dërgon rastin urgjentisht në Gjykatën Kushtetuese dhe përse i janë dashur këtij autoriteti, edhe pse me përbërje tjetër, pothuajse 10 vjet për të konstatuar se homologimi është monopol dhe është kundërkushtetues dhe joligjor. Veç saj, nga njohësit e kësaj fushe edhe shtrohet çështja se përse Prokuroria Speciale dhe ajo Themelore nuk i sjellin para drejtësisë personat zyrtarë të shtetit, që kanë nënshkruar kontratën kriminale monopoliste për homologim, sikur edhe përfaqësuesit që kanë nënshkruar në anën e Devollëve të inkriminuar. Analistët janë të interesuar të dinë se çka thotë Ministria e Infrastrukturës, se përse po vazhdon të lejohet të "trashet" e të rritet monopoli kriminal përmes homologimit për Devollët, cili ishtedhe është motivi i tyre. Analistët pyesin se a është kontrata e homologimit, që është në fuqi që 10 vjet dhe që i ka zhvatur nga xhepat e qytetarëve, mbi 20 milionë euro për diçka që nuk ka nevojë fare, një krim i organizuar dhe të cilin krim sistemi i drejtësisë, i kontrolluar nga politika e inkriminuar dhe nëntoka e mafio-oligarkëve nuk ka guxim ta hapë, pasi që përfshin pushtetarë të majave e niveleve më të larta të këtij shteti të kapur e të nëpërkëmbur nga krimi i organizuar e korrupsioni. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresat elektronike të Ministrisë së Infrastrukturës, Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë së Shtetit dhe Prokurorisë Themelore të Prishtinës, si dhe afaristit Shkëlqim Devolli dhe QAK 'Eurolab', zyrtarët e tyre nuk kanë kthyer përgjigje për gazetën.

AKK-ja në pritje të takimit me ministrin Lekaj

Njeriu i dytë i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ahmet Krasniqi, për gazetën "Kosova Sot" tha lidhur me bisedat me zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, në takimin në fjalë të dyja palët janë pajtuar që të kenë edhe një takim pune, por kësaj radhe me ministrin Pal Lekaj në mënyrë që Autoriteti i Konkurrencës dhe Ministria e Infrastrukturës ta harmonizojmë Urdhëresën e re Administrative të kësaj ministrie konform me kërkesën e AKK-së."Siç dihet, Urdhëresa e re Administrative e kësaj ministrie qartazi e pengon konkurrencën e lirë në tregun e lirë, që është i garantuar edhe me Kushtetutën dhe ligjet e vendit", potencoi ai."Me gjithë kërkesat tona, deri më tani takimi i premtuar nuk është mbajtur ende dhe kemi shpresë se kjo do të bëhet deri në fund të kësaj jave dhe me këtë rast edhe do të harmonizohen qëndrimet tona", theksoi më tej Krasniqi. "Nëse Ministria e Infrastrukturës nuk tërhiqet nga vendimi i tyre, ne si agjenci e pavarur nuk na mbetet tjetër vetëm që të shfrytëzojnë të gjitha rrugët ligjore dhe të këmbëngulim që të anulohet Urdhëresa e Administrative e ministrisë", u shpreh ai.

"Sa i përket homologimit të parë të automjeteve që importohen në Kosovë dhe të cilat vijnë të prodhuara apo të regjistruara në shtete të BEsë, vërtet nuk di profesionalisht çfarë ka nevojë të inspektohet, kontrollohet dhe certifikohet nëse nuk ka pësuar ndryshime pas prodhimit apo vënies në përdorim në shtetin përkatës të BE-së", tha Ahmet Shala për "Kosova Sot"

"Ky krim i rëndë ekonomik pritet që të vazhdojë edhe në vite të tjera, derisa prokuroria dhe gjykatat të dalin nga ujërat e turbullta", tha Ragip Guraziu për "Kosova Sot" 

"Pasi Autoriteti i Konkurrencës ka deklaruar se homologimi është monopol i pastër, atëherë kjo duhet të ndërmarrë të gjitha masat për kontestimin e kësaj kontrate dhe të lejojnë edhe në këtë fushë liberalizim të tregut", tha Xhevdet Neziraj për "Kosova Sot" 

Fakulteti Teknik kërkon anulimin e shkresës së MI-së

Dekani i Fakultetit Teknik, Ahmet Shala, në përgjigjen për gazetën "Kosova Sot", tha se UP/FIM ka bërë ankesë dhe kërkon anulimin e shkresës së ministrit të MI-së dhe të UA 02/2018, përmes të cilit veprimtaria hulumtuese e homologimeve individuale (atestimeve) i ndalet FIM-së dhe i dhurohet subjektit privat që asnjëherë nuk e ka kryer këtë veprimtari profesionale. "Gjithashtu, përveç tjerash, me këtë ankesë e kemi njoftuar edhe Autoritetin e Konkurrencës, por nga deklarimet publike të tyre le të kuptohet se ata angazhohen vetëm për ndryshim të UA 02/2018 në ato pika ku ata vlerësojnë se atakohet konkurrenca e lirë, por jo edhe sqarimi i çështjes se homologimi individual (atestimi) i mjeteve që kanë pësuar ndryshime pas prodhimit (vënies në përdorim) është veprimtari hulumtuese profesionale e nivelit të lartë, pra që mund të inspektohet dhe certifikohet vetëm nga institucionet që kanë staf me përgatitje të lartë shkencore dhe profesionale, siç është FIM. Dikush mund të prodhojë vetë një automjet apo të kombinojë një prodhim të cilin në Kosovë vetëm FIM aktualisht mund ta inspektojë dhe të certifikojë ashtu që të lejohet përdorimi, përkatësisht të jepet leja e përdorimit të sigurt në komunikacion", theksoi ai. Dekani Ahmet Shala është i habitur se përse po hesht prokuroria, por beson në shtet ligjor, ku secili e kryen punën e vet konform ligjeve në fuqi. Ndërsa duke folur për MI-në ai tha se ata ende mendojnë se "nuk kanë bërë shkelje ligjore" përderisa nuk reflektojnë.

Elita politike kundër ekonomisë së tregut

Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për gazetën "Kosova Sot" tha se jemi dëshmitarë që për dhjetë vjet një biznes fiton tenderin për homologim të automjeteve, pra këtu kemi një monopol të pastër, po ashtu edhe standardizimi i çmimeve në shumë biznese, siç janë kompanitë e derivateve dhe qendrat tregtare, po ashtu edhe kompanitë e sigurimeve."Me këtë elitë politike Kosova nuk mund të sillet si një vend që operon sipas ligjeve të ekonomisë së tregut, kështu që çdo ditë e më shumë Kosova po kthehet në dekadencën ekonomike, pra në një ekonomi të dirigjuar nga politika që vetëm ekonomi e tregut nuk mund të jetë", potencoi ai. Ndërsa ish-deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për "Kosova Sot" tha se me Kushtetutën e vendit tonë ekonomia është përcaktuar që të jetë një ekonomi e tregut të lirë, e hapur dhe kundër monopoleve."Prandaj, edhe në këtë rast duhet të zbatohen ligjet që derivojnë nga Kushtetuta e vendit, pra nuk duhet që të ketë në asnjë lëmi monopole, sepse kjo është në dëm të qytetarëve të vendit dhe antikushtetuese", u shpreh ai. Analisti Reshat Badallaj-Zhuriani për "Kosova Sot" tha se monopoli kriminal i homologimit të Shkëlqim Devollit nuk ndalet, se vendi është në duart e mafiooligarkëve të nëntokës kriminale. "Këtu është Ligji i mafisë, ligji i xhunglës, ku aspak nuk respektohet Kushtetuta e vendit, sepse janë të gjithë me një valle të krimit të organizuar nga bandat më të rrezikshme në Ballkan. Jemi dëshmitarë të kohës se para se të vinte në pushtet kjo qeveri thoshin se do të veprojnë kundër bandës Devolli dhe shih tani ata nuk po guxojnë që të hapin gojën, ngase Ministrisë së Infrastrukturës nuk i është dëgjuar ndonjëherë zëri", vlerësoi ai për "Kosova Sot". Ndërsa analisti Ragip Guraziu tha për "Kosova Sot" se kjo është edhe një dëshmi e radhës me fakte të fuqishme se Devollët qeverinë dhe institucionet e Kosovës i kanë përvetësuar dhe i kanë shkelur me dy këmbët. "Prandaj, si është e mundur që Autoriteti i Konkurrencës të mbyllë sytë dhe nuk po e dërgon rastin urgjentisht në Gjykatën Kushtetuese dhe përse i janë dashur këtij autoriteti, me përbërje tjetër, pothuajse 10 vjet për të konstatuar se homologimi është monopol dhe është kundërkushtetues dhe joligjor", pyeti ai.

Krijimi i oligarkisë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga tabori opozitar, Naser Rugova (LDK), për gazetën "Kosova Sot", tha se ekonomia e tregut nënkupton konkurrencën e lirë dhe lojale. Sipas tij, ajo nënkupton krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë aktorët dhe çdo tendencë për monopole, të çfarëdo lloji qofshin, e dëmtojnë së pari zhvillimin ekonomik dhe janë kundër parimeve të ekonomisë së lirë të tregut, ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. "Logjika e një ekonomie të tillë krijon oligarkë dhe oligarkët nuk i duhen Kosovës, nuk janë të pranueshme as për proceset integruese, sepse është e ditur se ku ka oligarkë, ata janë në shtetet komuniste në Rusi e Ukrainë. Andaj, ne si Kosovë duhet t'i përcjellim trendët e zhvillimeve ekonomike dhe ligjet e konkurrencës së lirë në treg", u shpreh ai. Edhe deputeti tjetër nga tabori opozitar, Faton Topalli (i pavarur), për gazetën "Kosova Sot" tha se Qeveria, përkatësisht Ministria e Infrastrukturës, nuk duhet që të lejojnë të krijojmë monopole të reja në Kosovë, por duhet që të angazhohet të mos ketë monopole të reja."Në Kosovë ka disa fusha ku ka monopole, sikurse që janë Policat e Kartonëve të Gjelbër të mërgimtarëve, që është monopol dhe në kundërshtim me ligjin. Veç saj, kemi edhe monopolin në homologim makinash që tash pas këtij vendimi të Ministrisë së Infrastrukturës për shkëputjen e kontratës për atestim makinash me Fakultetin Teknik, vetëm sa është trashur ky monopol i makinave", theksoi ai. Topalli i bën thirrje qeverisë t'u japë fund monopoleve. 

(Kosova Sot)