Drejtësi e robëruar, pushtet i inkriminuar

  • 23 May 2018 - 07:49
Drejtësi e robëruar, pushtet i inkriminuar

POLITIZIMI I GJYQËSISË DHE PROKURORISË, NË NIVELE ALARMANTE

Krimi dhe korrupsioni dominojnë institucionet e kapura

"Çlirimi i sistemi të drejtësisë nga politika, e me theks të veçantë nga politikanët e fuqishëm të pasluftës, përkthehet në rend, ligj, profesionalizim, ndërtim, konsolidim dhe në instalim të një sistemi të pavarur të drejtësisë së munguar në Kosovë", thotë Hidajet Ahmeti për "Kosova Sot" 

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit dhe analistët politikë vazhdojnë të jenë të bindur se në shtetin e ri të Kosovës, akoma nuk ka shanse që të sillen në bankën e të akuzuarve pushtetarët e inkriminuar, të niveleve të larta, si dhe mafio-oligarkia politiko-financiare, nga prokurorët dhe gjyqtarët aktualë të kapur nga politika e inkriminuar dhe nga nëntoka kriminale e mafiooligarkisë. Ata theksojnë se krimi i organizuar dhe korrupsioni është bërë një fenomen numër një në të gjitha institucionet e shtetit, në të dyja nivelet si dhe në të tre pushtetet, prandaj kjo situatë e rëndë dhe alarmante kërkon që të iniciohet sa më shpejt në Kuvend ligji për VETTING-un në drejtësinë kosovare dhe jo vetëm. Mirëpo, politika po vazhdon të heshtë rreth kësaj çështje. Gazeta u ka dërguar pyetje edhe kryetarëve të grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës, LDK-së, PDK-së , VETËVENDOSJES, AAK-së dhe Nismës, por asnjëri nuk ka kthyer përgjigje në pyetjen se a do të iniciohet nga ana e tyre një nismë ligjore për ligjin VETTING dhe a do ta votojnë të njëjtin në Kuvend, derisa Qeveria e Kosovës nuk e ka në planin legjislativ të këtij viti, madje nuk dihet nëse ligjin e tillë do ta fusë edhe në planin e vitit vijues.

MINISTRI I DREJTËSISË, KUKULL E PRESIDENTIT

Eksperti i fushës së sigurisë, Naim Miftari pohon se mosdënimi i njerëzve të krimit të organizuar, i lidhur me politikën, nuk është i rastësishëm, sikurse nuk është e rastësishme as fshehja dhe rutina e dekonspirimit dhe sabotimi e vjedhja e provave, që, sipas tij, krejt këto janë të koordinuara ndërmjet veti dhe përbëjnë shkeljet më të rënda kundër rendit, ligjit dhe ardhmërisë të popullit tonë. "Është një koordinim kaq i përsosur i nëntokës dhe politikës së korruptuar që tregon qartë se kapja e shtetit dhe trajtimi i pasurive shtetërore-shoqërore si prona private të disa bosëve mafiozë me petk politikani ka sjellë edhe varfërinë, izolimin etiketimin e shtetit tonë si shtet joserioz dhe shtet mafioz, ku secili politikan është milioner, kurse sot popullata është më e varfra në Evropë dhe i vetmi popull i izoluar evropian", theksoi ai. " Dhe, tani në këtë sistem të tejkorruptuar e të kriminalizuar, në vend të një Vetting-u gjithëpërfshirës ministri i 'Drejtësisë' të Kosovës, përndryshe kukull e Hashim Thaçit, bosit të korrupsionit, i ka dhënë zjarr kinse miratimit në Parlament të një pakoje ligjesh të reja dhe planit të rritjes së numrit të prokurorëve. Por, me zyrtarë të korruptuar e servilë në gjyqësi dhe prokurori, dhe me hajna të njëjtë në politikë, rezultati do të jetë i njëjti, vetëm sa do të shtohen akoma më shumë të korruptuarit", potencoi Naim Miftari për "Kosova Sot".

MAFIO-OLIGARKËT EKONOMIKË MUND TË ELIMINOHET VETËM PËRMES VETTING-UT

Analisti politik Florim Zeqa ka pohuar se krimi i organizuar dhe korrupsioni janë bërë fenomen numër një në te gjitha institucionet e shtetit, përkatësisht në të dyja nivelet, si dhe në të tre pushtetet. Ai thotë se një situatë e tillë është produkt i bashkërendimit të politikës me gjyqësorin, prokurorinë dhe mafio-oligarkët ekonomikë dhe mund të eliminohet vetëm përmes Vetting-ut që nuk po e dëshiron tash për tash politika. "Në fakt, kjo është edhe arsyeja pse nuk nxirren në bankën e të akuzuarve pushtetarët dhe politikanët e inkriminuar të niveleve të larta. Situata në fushën e drejtësisë është aq e rëndë dhe alarmante, saqë shtron nevojën imediate të inicimit sa më parë në Kuvend të ligjit për VETTING-un në drejtësinë kosovare dhe politikën në përgjithësi. Pra, kërkohet veprim urgjent i të zgjedhurve të popullit me ndërgjegje të pastër, në të kundërtën të gjithë do të bartin targën e turpit dhe përgjegjësisë për heshtjen përballë krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend, i cili është bërë shqetësim edhe për zyrtarët e Bashkimit Evropian, që po bëjnë të pamundurën për të na ndihmuar në integrimin e plotë në gjirin e saj", theksoi ai për "Kosova Sot". 

REFORMA NË DUART E NDËRKOMBËTARËVE

Ish- kreu i Agjencisë Antikorrupsion, Hasan Preteni thotë për "Kosova Sot" se për këtë temë nuk ka vullnet nga asnjëra palë, sepse edhe ligjet ekzistuese nuk zbatohen për aq sa do të duhej të kishin efektin e tyre. "Ligjet po kalojnë pa asnjë analizë. E kam potencuar në vazhdimësi se Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit ka kaluar pa analizë, është shënuar regres i fuqishëm ne trajtimin e konfliktit të interesit. Ashtu u trajtua edhe Kodi Penal. Kërkesa për ligjin Antimafia është zbehur dukshëm,Vetting-un nuk e përmend askush. Jam i bindur se nuk ka vullnet politik për të avancuar në këtë drejtim", u shpreh ai. "Vetting-u mund dhe do të realizohet vetëm nëse iniciohet nga ndërkombëtarët, si zakonisht. Me kërkesat e mekanizmave ndërkombëtare kinse po rritet numri i aktakuzave, kinse po avancohet me legjislacion, por vazaliteti nuk ka të ndalur. Uroj që kjo kërkesë e mekanizmave ndërkombëtarë të vijë në rend dite sa më shpejt, sepse sa për kosovarët kjo nuk do të ndodhë në asnjë variant", tha Preteni për "Kosova Sot".

"Është mirë që legjislatura e re e Kuvendit të miratojë ligjin për Vetting-un dhe ligjin për konfiskimin dhe justifikimin e pasurisë, dhe ky ligj të mos amnistojë keqpërdoruesit e taksave të qytetarëve dhe ata të cilët kanë keqpërdorur me pozitat zyrtare ", tha Hidajet Ahmeti për "Kosova Sot"

Inkriminimi i sistemit

Sipas njohësit të kësaj fushe Hidajet Ahmeti, mbajtja e sistemit të drejtë- sisë nën kthetrat e politikës ka krijuar një gjendje anarkie, e cila po reflekton në vazhdimësi në moszhvillim ekonomik, pasiguri të investimeve nga jashtë, pasi në vazhdimësi janë selektuar rastet penale dhe duke amnistuar politikanët milionerë të pasluftës apo siç po quhen "peshqit e mëdhenj". "Përmes kësaj lidhje kriminale të gjyqësorit dhe ekzekutivit është ndërtuar një kategori shoqërore që përbehet nga një grusht njerëzish milionerë, kurse një pjesë tjetër i takon shtresës së mesme dhe tjetra shtresës së ulët. Ky kurorëzim i jashtëligjshëm në mes pushtetit ekzekutiv dhe gjyqësor ka sjellë vendin në një 'vdekje klinike' dhe është shndërruar në mjerim socioekonomik, duke prodhuar një vend të pajtueshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës", u shpreh ai. "Duhet të ketë vullnet politik për t'i çuar proceset përpara, por jo ekzekutivi dhe legjislativi të fusin hundët në sistemin drejtësisë. Nuk ka diskutim se përmes mekanizmave, pushteti ekzekutiv dhe legjislativ duhet të bashkëpunojë në mënyrë institucionale me sistemin gjyqësor, në mënyrë që të avancohet pushteti gjyqësorë, por jo këta mekanizma të përdoren për ndërhyrje në këtë sistem", tha Ahmeti për "Kosova Sot". Ai pohon dhe vlerëson se që nga pas lufta, kemi një anarki të pashembullt në sistemin e drejtësisë, fillimisht nga misionet ndërkombëtare për rend dhe ligj, e mbi të gjitha nga logjika e mbrapshtë e instaluar në sistemin e drejtësisë, e pikërisht nga njerëzit e pushtetshëm të pasluftës që kanë dizajnuar hierarkinë kriminale në institucionet publike, e mbitë gjitha kanë dizajnuar klientelën servile në sistemin e drejtësisë. "Si mund të luftohet krimi, korrupsioni e kontrabanda nga mekanizmi i instaluar nga këta njerëz në sistemin e drejtësisë? Logjikisht i bie se këta njerëz nuk mund ta luftojnë veten, pasi një pjesë e prokurorëve dhe gjyqtarëve janë të instaluar nga njerëzit e sojit Grabovci, Veseli, Thaçi, Mustafa, Beqiri e Hamiti. Posaçërisht lufta e pakompromis e tyre për pushtet nuk është pse e duan aq shumë pushtetin, por në momentin kur sistemi i drejtësisë çlirohet nga ndërhyrjet politike dhe transformohet në një drejtësi të pavarur dhe profesionale, një pjesë njerëzve të fuqishëm të politikës, që kanë qenë në pozitat kyçe dhe kanë udhëhequr më institucione të rëndë- sishme, përfundojnë prapa grilave", vijoi më tutje ai. "Është imperativ i kohës që të shkatërrohet kjo perandori kriminale, i cili çlirim do të përkthehet në dobi të qytetarëve dhe në interes të shtetit", tha Hidajet Ahmeti.

(Kosova Sot)