Zeqa:Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë bërë fenomen numër një

  • 23 May 2018 - 17:09
Zeqa:Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë bërë fenomen numër një

Analisti politik Florim Zeqa ka pohuar se krimi i organizuar dhe korrupsioni janë bërë fenomen numër një në te gjitha institucionet e shtetit, përkatësisht në të dyja nivelet, si dhe në të tre pushtetet. Ai thotë se një situatë e tillë është produkt i bashkërendimit të politikës me gjyqësorin, prokurorinë dhe mafio-oligarkët ekonomikë dhe mund të eliminohet vetëm përmes Vetting-ut që nuk po e dëshiron tash për tash politika. "Në fakt, kjo është edhe arsyeja pse nuk nxirren në bankën e të akuzuarve pushtetarët dhe politikanët e inkriminuar të niveleve të larta. Situata në fushën e drejtësisë është aq e rëndë dhe alarmante, saqë shtron nevojën imediate të inicimit sa më parë në Kuvend të ligjit për VETTING-un në drejtësinë kosovare dhe politikën në përgjithësi. Pra, kërkohet veprim urgjent i të zgjedhurve të popullit me ndërgjegje të pastër, në të kundërtën të gjithë do të bartin targën e turpit dhe përgjegjësisë për heshtjen përballë krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend, i cili është bërë shqetësim edhe për zyrtarët e Bashkimit Evropian, që po bëjnë të pamundurën për të na ndihmuar në integrimin e plotë në gjirin e saj", theksoi ai për "Kosova Sot".

 

(Koosva Sot)