"Gruevskët" e Kosovës kanë VONIM, POR JO SHPËTIM!

  • 25 May 2018 - 08:02

HEZITIMI I ORGANEVE TË LIGJIT PËRBALLË KOKAVE TË KORRUPSIONIT

Miftari: Pushtetarët e korruptuar i kanë kontrollet e shtetit dhe organet e ligjit nën kontroll 

"Sado që i bëjnë lak, një ditë edhe 'Gruevskët' e Kosovës do të bien në grepin e drejtësisë vendore. Edhe pse sot po heziton, nuk do të jetë e largët dita kur edhe drejtësia kosovare, përkatësisht prokurorët do të ngritin raste, ndërsa gjykatat do t'i dënojnë krerët e pushtetit, si në nivelin qendror ashtu edhe atë lokal, që janë të korruptuar dhe dirigjojnë mafinë politike dhe ekonomike në vendin tonë", thotë analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot" 

S ikur që u raportua gjatë ditës së mërkurë, Gjykata Penale e Shkupit e gjykoi dhe e shpalli fajtor për rastin "Tanku" ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, të cilit ju shqiptua dënimi prej 2 vjet heqje lirie dhe ndihmësministrit Gjoko Popovski me 6 vjet e 6 muaj burgim. Ky është vetëm një rast që ia vlen të çmohet në një shtet ku, sipas analistëve politikë, pavarësisht problemeve që ka, sundimi i ligjit është në një nivel relativ më funksional dhe më i pandikuar nga politika. Tani me të drejtë shtrohet një pyetje e madhe për Kosovën: Kur dhe a do te dënohen "Gruevskët" e Kosovës... pse ata po amnistohen? Pse drejtësia heziton të hetojë e të dënojë krerët e pushtetit, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, e që shumë nga ta dihet botërisht që janë të korruptuar dhe dirigjojnë mafinë politike e ekonomike? Analistët dhe njohësit e fushës së sundimit të ligjit nuk kanë shpresë që së shpejti mund të reflektojë edhe drejtësia kosovare që të ndjekë modelin maqedonas e kroat që guxuan të vënë në bankën e të akuzuarve politikanët e nivelit të lartë,siç ndodhi me ish-kryeministrin e korruptuar Gruevski

MIFTARI: PËR SA KOHË T'I KENË POLITIKANËT E KORRUPTUAR APO MAFIA POLITIKE ORGANET E DREJTËSISË NË DORË TË VET, ATA NUK E KANË FRIKËN SE DO TË MUND T'I DËNOJË KUSH PËR KRIMET E BËRA!

Ndërsa eksperti i fushës së sigurisë, Naim Miftari, konsideron se edhe pse dënimi i Nikolla Gruevskit është vetëm simbolik, ka rëndësi, sepse është një ishkryeministër që po dënohet për korrupsion."Kurse sa i përket 'Gruevskëve tanë' në Kosovë duhet pritur edhe shumë kohë, pasi funksionarët politikë, por edhe pushtetarët e korruptuar i kanë kontrollet e shtetit dhe organet e ligjit nën kontroll dhe ndikim të thellë të tyre, dhe për sa kohë t'i kenë politikanët e korruptuar apo mafia politike organet e shtetit, të drejtësisë, organet e ndjekjes dhe inteligjencën në dorë të vet, ata nuk e kanë frikën se do të mund t'i dënojë kush për krimet e bëra, sidomos korruptimi dhe keqpërdorimi i pozitave zyrtare politike të lidhura këto ngushtë me mafinë. Duke i njohur edhe vetë personalisht shumë politikanë të korruptuar, e di që uria e tyre për para dhe fuqi nuk njeh kufi, sepse janë shumë kriminelë me petk të politikanit që nuk lejojnë dhe nuk do ta arrestojnë vetveten kurrë, pos nëse nuk i arreston dikush tjetër që do vinte në pushtet ose në organet e ruajtjes të ligjit", u shpreh ai për "Kosova Sot". Sipas tij, problemi është edhe më kompleks, pasi krimi i organizuar politik është i përforcuar edhe me një rrjet zyrtarësh ndërkombëtarë po ashtu të korruptuar

ZEQA: MODELI KROAT DHE MAQEDONAS I DREJTËSISË DUHET TË REFLEKTOJË EDHE NË DREJTËSINË KOSOVARE

Analisti politik Florim Zeqa thotë se lajmi për dënimin me burg të ish-kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski është një lajm i mirë për tërë rajonin e Ballkanit."Edhe pse në dukje të parë, dënimi për heqje lirie prej vetëm dy vitesh për një 'peshk të madh' të rajonit është pak, megjithatë është mesazh i mirë edhe për qeveritarët e Kosovës,... sado që i bëjnë lak, një ditë edhe 'Gruevskët' e Kosovës do të bien në grepin e drejtësisë vendore. Edhe pse sot po heziton, nuk do të jetë e largët dita kur edhe drejtësia kosovare, përkatësisht prokurorët do të ngritin raste, ndërsa gjykatat do t'i dënojnë krerët e pushtetit, si në nivelin qendror ashtu edhe atë lokal, që janë të korruptuar dhe dirigjojnë mafinë politike dhe ekonomike në vendin tonë", u shpreh ai."Patjetër duhet të reflektojë modeli kroat dhe maqedonas i drejtësisë edhe në drejtësinë kosovare për t'i vënë në bankën e të akuzuarave politikanët e nivelit të lartë, siç ndodhi vitin e kaluar me kryeministrin kroat Ivo Sanader, i cili u dënua me 4.5 vjet heqje lirie për marrje ryshfeti dhe së fundmi me kryeministrin e korruptuar maqedonas Nikolla Gruevski në rastin 'Tanku'. Drejtësia kosovare nuk guxon të qëndrojë indiferente ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit që ka pllakosur vendin tonë. Ngase vetëm me burgosje dhe dënim të 'peshqve të mëdhenj' mund ta bindim BE-në për liberalizim të vizave dhe jo vetëm kaq, Kosovës do t'i hapej rruga edhe për anëtarësim në këtë organizatë, në UNESCO, INTERPOL, NATO, OKB dhe organizata të tjera prestigjioze në botë", vijoi më tutje Zeqa për "Kosova Sot".

PRETENI: LUFTËS KUNDËR KRIMIT DHE KORRUPSIONIT NUK MUND T'U PRIJNË TË KORRUPTUARIT!

Analisti i fushës së sundimit të ligjit, ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni, konsideron se pa një ndryshim të madh në kokën e politikës së qeverisjes së vendit, pavarësimin e plotë të drejtësisë nga politika, modeli i Maqedonisë dhe Kroacisë nuk pritet të ndodhë edhe për të korruptuarit e Kosovës. "Për të filluar me modelin 'Gruevski' duhet të kemi një 'Zaev' modern të pakorruptuar me ide të qarta euroatlantike. Luftës kundër krimit dhe korrupsionit nuk mund t'u prijnë të korruptuarit. Institucionet që kanë për mision luftën kundër krimit, gjithashtu duhet të udhëhiqen nga ata që nuk e kanë barrë hipotekën e së kaluarës. Sinonim i luftës kundër korrupsionit janë Hong-Kongu dhe Singapuri, fillimin e kishin të njëjtë: Ardhja në pushtet e njerëzve me duar të pastra, nomenklaturë qeverisëse profesionale dhe kompetente. Ky është fillimi e këta pastaj me kriteret e njëjta do të zgjidhnin të gjithë udhëheqësit e tjerë, të tillë do të zgjidhen edhe titullarët e institucioneve përgjegjëse për zbatimin e ligjit. Qëndrueshmëria e titullarëve do të varet nga rezultatet e punës", tha Preteni për "Kosova Sot".

"Vetëm kur të sillemi në këtë mënyrë, vetëm atëherë lirisht mund të themi se s'mund të flasim për një drejtësi të pavarur dhe për rend e ligj sipas standardeve të shteteve ligjore në Evropë", tha Naim Kelmendi për "Kosova Sot"

Rehabilitimi i korrupsionit Prof. universitar, sociologu Fadil Maloku konsideron se në shtetin brishtë të Kosovës korrupsioni po amnistohet si tërësi, prandaj pa një përmbysje të madhe politike, nuk do të ketë përballje me këtë fenomen negativ, që në njëfarë mënyre po rrezikon edhe themelet e shtetit. "Ne edhe korrupsionin e kemi rehabilituar!? Kroacia e dënoi ish- kryeministrin Sanader për korrupsion, Maqedonia po ashtu e dënoi ish- kryeministrin Gruevski dhe ish- ministrin Popovski për favorizim në aferën 'Tanku', ndërkaq, Kosova e Shqipëria që po monitorohen e menaxhohen nga miqtë tanë as kriminelët lokalë nuk po arrijnë t'i qesin para drejtësisë!", ka pohuar ai për "Kosova Sot". 

Politizimi i skajshëm i drejtësisë

Analisti dhe publicisti Naim Kelmendi thotë se askush nuk mund ta mohojë se edhe në Kosovë kemi "Gruevskët" tanë që kanë abuzuar me pozitat politike dhe kanë kryer vepra të shpërdorimit me detyrën zyrtare, por fatkeqësisht në drejtësinë kosovare nuk gjendet ndonjë prokuror i guximshëm e kredibil që do të niste hetimet ndaj krerëve politikë të inkriminuar. Mjerisht, sipas Kelmendit, nuk gjenden as gjyqtarë të paanshëm me etikë profesionale dhe që zbatojnë ligjin edhe ndaj zyrtarëve të lartë të pushtetit, qoftë kryeministër, ministër apo pozita të tjera institucionale, atëherë kur ka bazë ligjore për vepra të tilla. "Prandaj, edhe për sa kohë kjo nuk do të ndodhë në drejtësinë kosovare, që drejtësia të pavarësohet nga politika,dhe të funksionojë si drejtësi profesionale dhe e pavarur plotësisht, ku secili që ka kryer vepër penale të abuzimit me pozitën apo vepër të shpërdorimit të detyrës etj.,të përgjigjet para ligjit, pavarësisht pozitës në pushtet, nuk mund të themi se jemi shtet serioz", theksoi ai. "Sado që trumbetohet nga institucionet e drejtësisë kosovare për progres në këtë drejtim, faktet dhe rezultatet mund të vërtetohen vetëm atëherë kur të përgjigjen para drejtësisë dhe të dënohen për veprat e kryera me prova të vërtetuara,zyrtarë të politikës e bartës të pozitave të larta në pushtet, vetëm atëherë mund të flasim për një drejtësi të pavarur e për një shtet ligjor të fuqishëm e sundim të plot të ligjeve e Kushtetutës për të gjithë qytetarët e Kosovës në mënyrë të barabartë", tha analisti dhe publicist Naim Kelmendi për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)