Putin: Mund të dorëhiqem nga posti i Presidentit…por jo nga pushteti

  • 26 May 2018 - 00:00
Putin: Mund të dorëhiqem nga posti i Presidentit…por jo nga pushteti

Vladimir Putin ka deklaruar se në fund të mandatit aktual do të japë dorëheqjen nga posti i presidentit. Kushtetuta ruse i ndalon atij një mandat të tretë rresht në krye të shtetit, por manovrat për të devijuar nuk mungojnë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar të premten se ka ndërmend të respektojë kushtetutën ruse, që i ndalon kujtdo të shërbejë për një mandat të tretë rresht në krye të shtetit.

“Unë gjithmonë kam zbatuar me korrektesë kushtetutën e Federatës Ruse. Në të thuhet qartë se askush nuk mund të shërbejë për më shumë se dy mandate dhe kam ndërmend ta respektoj”, ka thënë Putin.

Kjo do të thotë se ai do të dorëhiqet nga posti në vitin 2024 kur mandati i tij skadon, por jo domosdoshmërisht nga pushteti.

Në vitin 2008, Putin u tërhoq pasi kishte shërbyer për dy mandate rresht në krye të Kremlinit. Asokohe ai bëri një rrokadë duke marrë frenat e postit të kryeministrit, për t’u rikthyer në 2012 me një mandat presidencial të zgjatur nga pasuesi i tij besnik Dmitry Medvedev nga 4 në 6 vjet.

Vladimir Vladimiroviç Putin fitoi me lehtësi zgjedhjet presidenciale të marsit, që i dhanë mundësinë të kthehet në liderin më jetëgjatë të Rusisë që prej diktatorit të epokës sovietike, Josef Stalin. Ndaj, në 2024 nuk i mbetet gjë tjetër veçse të përsërisë manovrën e tij.

 

(Kosova Sot)