KELMENDI: RRETH 50% E TË RINJVE MENDOJNË TA LËSHOJNË KOSOVËN!

  • 26 May 2018 - 15:21
KELMENDI: RRETH 50% E TË RINJVE MENDOJNË TA LËSHOJNË KOSOVËN!

 Sipas prof. Muhamet Kelmendi, në Kosovën e pasluftës ka pasur, në disa drejtime, edhe përparime, por edhe vështirësi të theksuara, sidomos në fushën ekonomike, sociale, të arsimit dhe të shëndetësisë. Ai thotë se probleme të veçanta ka vendi edhe në fushën e rendit dhe të sigurisë, të luftimit të krimit dhe të korrupsionit, si dhe të mafisë ekonomike private.

"Dukuritë e tilla e kanë keqësuar shumë gjendjen e masave në Republikën e Kosovës. Kjo ka krijuar papunësi, skllavëri të theksuar, si dhe një gjendje pa perspektivë. Të rinjtë e të rejat nuk kanë të ardhme. Nga analizat e Fridrich Elbert Stiftung, të bëra në Kosovë, si rezultat i perspektivës së errët, rreth 50% e të rinjve mendojnë ta lëshojnë Kosovën. Nga ky 50% rreth 70% nuk dëshirojnë të kthehen fare më në Kosovë dhe vetëm 30% dëshirojnë të punojnë pa e lëshuar përfundimisht Kosovën. Ky fakt i këtij hulumtimi tregon se gjendja është në pikën e vëllimit popullor dhe është shumë çudi pse populli nuk ngrihet në protesta të përgjithshme", u shpreh ai.

"Mafia ekonomike private e ka kapur tërë shtetin. Kjo mafi sundon në komuna, edhe në pasurinë e tundshme dhe në nivel qendror. Kudo i ka njerëzit e vet, që i shërbejnë kësaj mafie kriminale. Pushteti është në shërbim të mafisë dhe të krimit. Pushtetarët janë pasuruar shumë dhe çdokush shikon vetëm vjedhjen", potencoi Kelmendi."Në këtë gjendje duhen masa radikale penale. E kjo duhet duke filluar nga Presidenti i vendit e deri te më i vogli", tha ai për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)