Të korruptuarit ia bëjnë bllok VETTING-ut

  • 27 May 2018 - 09:15
Të korruptuarit ia bëjnë bllok VETTING-ut

MILIONAT E HAJNISË SË MADHE NUK KA KUSH T'I VERIFIKOJË

Zeqa: Prokurorët e gjyqtarët u bënë milionerë me ndihmën e politikës dhe mafio-oligarkisë kriminale

Derisa në Shqipëri zbatimi i Ligjit të Vetting-ut dhe Ligjit Antimafia po nxjerr në sipërfaqe milionerët prokurorë, gjyqtarë e policë, ndërsa më shumë se gjysma e prokurorëve të të gjitha shkallëve dështuan në testin e justifikimit të pasurisë, në Kosovë akoma politika po heziton ta zbatojë një model të tillë. Në Shqipëri dështuan edhe më shumë se 57 për qind e gjyqtarëve të shkallës së parë, 79 për qind të gjyqtarëve të Apelit dhe 58 për qind të anëtarëve të Gjykatës së Lartë që të justifikojnë milionat, prandaj frika nga një zbulim i tillë po e bën politikën kosovare që t'i frikësohet hapjes së kësaj teme. Sipas analistëve dhe ekspertëve, të pasurit e politikës dhe të drejtësisë, në mënyrë të kundërligjshme, përbëjnë një lokomotivë të gjatë, e cila do të shkëputej që në fazën e parë të zbatimit të Ligjit Antimafia dhe Ligjit Vetting. Analistët dhe ekspertët e kësaj fushe konsiderojnë se frenues të idesë së hartimit dhe zbatimit të Ligjit Antimafia dhe Ligjit Vetting mund të jenë edhe vetë prokurorët e gjyqtarët e Kosovës, të cilët nuk kanë se si e shpjegojnë faktin se si u bënë milionerë dhe duke qenë kështu të lidhur me politikën, pastaj kinse politike është ajo që heziton të nisë VETTING-un edhe në Kosovë, ku do të dëshmohej se situata është edhe më keq dhe edhe më kriminale se në Shqipëri dhe se si pasuria e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët kinse jetojnë me paga nga buxheti i shtetit, mirëpo pasuritë e tyre janë dhjetë deri të pesëdhjetëfishuara.

ZEQA:DREJTËSIA TRAFIKOHET NGA NJËRI NIVEL NË TJETRIN!

Ndërsa sipas analistit politik Florim Zeqa, përderisa të mos e fillojë punën procesi i VETTING-ut edhe në Kosovë, është e vështirë të konstatohet saktësisht, por bazuar në gjendjen aktuale në sistemin e drejtësisë kosovare, situata mund të dalë akoma më keq se në Shqipëri, ku dështuan më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve."Për dallim nga Shqipëria, në Kosovë prokurorët e gjyqtarët u bënë milionerë më shpejt e më lehtë, me ndihmën e politikës dhe mafio-oligarkisë kriminale. Kështu, pra, shkaku i kapjes së sistemit të drejtësisë nga klanet mafioze dhe nëntoka kriminale, drejtësia trafikohet nga njëri nivel në tjetrin", ka vlerësuar ai."Si rezultat i përfitimit marramendës nga trafikimi i lëndëve të veprave të rënda kriminale, pasuria e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët kinse jetojnë me paga nga buxheti i shtetit, është shumëfish më e madhe se pasuria e gjyqtarëve në Shqipëri dhe në rajon", vijoi më tej Zeqa. "Mënyra e vetme për pastrimin e sistemit të drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar që bashkëveprojnë me krimin e organizuar, me mafio-politikën dhe mafio-oligarkinë, është VETTING -u real dhe nën mbikëqyrjen e mekanizmave ndërkombëtarë", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot".

PRETENI: VETTING-U NË SHËNJESTËR TË PARË TË GODITJES DO T`I KISHTE NJERËZIT E POLITIKËS DHE DREJTËSISË

Ish-kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, thotë se arsyeja e politikës për të mos e bërë Vetting-un dhe Ligjin Antimafia është shumë e madhe, sepse në shënjestër të parë të goditjes do të ishin njerëzit e politikës dhe drejtësia e lidhur me ta."Vetting-u në Tiranë e tronditi edhe Gjykatën Kushtetuese, e gjithë kjo që po ndodh atje është rezultat i shpërthimit vullkanik - Vetting-ut, përgjimet e paautorizuara, hapja e dosjeve, dekonspirimi masovik, kërcënimet, shantazhet e deri te vrasjet janë "pasoja" të Vetting-ut. Nuk ishte vullneti politik ai që e nisi këtë. Fatbardhësisht ishte politika ndërkombëtare ajo që e vendosi në listën e prioriteteve", u shpreh ai."Edhe në Kosovë shumica absolute e qytetarëve do të dëshironin këtë, do të dëshironin "pastrimin gjeneral" të kësaj nomenklature që nuk e shfrytëzoi rastin historik të të bërit shtet. Fatkeqësisht, e keqpërdorën luftën heroike për çlirim, nuk e menaxhuan situatën, "i befasoi liria", e harruan sakrificën, tani kur flasim për dëshmorët shtrohet vetëm një pyetje, nëse ata u sakrifikuan për liri, pse ju nuk po sakrifikoheni për shtet?! Hero nuk bëhesh duke i vizituar varrezat e dëshmorëve, por duke vepruar drejt rrugëtimit të trasuar nga ata!", tha Preteni për "Kosova Sot".

MIFTARI: KOSOVA NUK E KA NJË AMBASADOR AMERIKAN SI DONALD LU

Analisti i fushës së sigurisë, Naim Miftari, po ashtu vlerëson se është mirë që Vetting-u në Shqipëri dalëngadalë po korr rezultate, e ku shumica e prokurorëve, gjyqtarëve dhe anëtarëve të komisioneve nuk po mund ta justifikojnë se nga janë kaq të pasur. Edhe sipas Miftarit ky model, ndonëse po vonohet, duhet aplikuar edhe në Kosovë, së bashku me Ligjin Antimafia. "Dështimi i pothuajse 60 deri 80% i justifikimit të pasurive nga këta zyrtarë të drejtësisë tregon se sa ka qenë drejtësia shqiptare në duar të krimit të organizuar. Fatkeqësisht në Kosovë po të ndodhte një Vetting i fuqishëm dhe i pavarur, jam shumë i bindur se mbi 90 % e prokurorëve, gjyqtarëve, hetuesve dhe anëtarëve në KGJK dhe KPK do të dilnin të korruptuar dhe të pasuruar në mënyrë të paligjshme, prandaj edhe janë të kuptueshme rezistenca dhe kundërshtimi politik që po bëhen nevojë e domosdoshme për vënien e një Vetting-u në Kosovë", theksoi ai."Arsyeja e vërtetë e kundërshtimit politik të Vetting-ut është se krimi i organizuar, i instaluar në politikë, e di shumë mirë se po të pastroheshin gjyqësia, policia dhe inteligjenca nga duart e tyre të korruptuara, ata do të përfundonin në burg, duke filluar që nga presidenti Thaçi, kryeministri Haradinaj, por edhe kryeparlamentari Veseli. Ata do të përfundonin në burg së paku për disponim të pasurisë së paligjshme, të fituar nga korrupsioni dhe nga bashkëpunimi me krimin e organizuar", tha Miftari për "Kosova Sot". Sipas tij, ata do të dënoheshin së paku për hajni dhe për përvetësim të paligjshëm të pasurisë shoqërore e shtetërore. "Fatkeqësisht Kosova nuk e ka një ambasador amerikan si Donald Lu, i cili ndoshta jo sot, por pas disa vjetësh kur t'i korrë përfundimisht ato rezultate, kur të ndihen e të preken ato rezultate të së drejtës pas Vetting-ut të tij, do të nderohet jo si ambasador i huaj, por si hero i Shqipërisë", tha Naim Miftari për "Kosova Sot".

Ndërkombëtarët ta mbikëqyrin verifikimin

Analisti dhe publicisti Naim Kelmendi thotë se vetëm një Vetting dhe Ligji Antimafia do të pastronin dhe vendosnin në binar politikën dhe sistemin e drejtë- sisë."Nëse bëjmë një krahasim me Vetting-un në Shqipëri, atëherë lirisht mund të konstatojmë se në sistemin e drejtësisë në Kosovë aspak më mirë nuk do të dalë gjendja, madje ndoshta edhe më keq. Janë të shumtë prokurorët e gjyqtarët në sistemin e drejtësisë në Kosovë që tashmë dy dekada pas lufte kanë arritur të pasurohen e të bëjnë pasuri të paligjshme e kriminale do të thoshim dhe sigurisht para një Vetting-u realisht nuk do të mund të justifikohej pasuria e tyre në proporcion me pagat e tyre, kështu që në këtë drejtim nuk do të mund të dilnin të pastër", vlerësoi ai."Edhe nëse bëhet verifikimi i aftësive profesionale dhe i figurës së tyre, para një Vetting-u me mbikëqyrje rigoroze ndërkombëtare, do të dilnin të dështuar. Kjo gjendje flet mjaftueshëm dhe tregon për nevojën imanente të Ligjit për Vetting-un dhe Ligjin Antimafia për drejtësinë, administratën dhe po ashtu edhe për Policinë e Kosovës. Vetëm kështu do të arrihet të shërohen nga infektimi i krimit dhe korrupsionit të gjitha shtyllat e shtetit", tha Naim Kelmendi për "Kosova Sot". Edhe njohësi i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, konstaton se sidomos politika i frikësohet një pakoje të tillë ligjore."Ka të ashtuquajtur politikanë që thonë se Kosova ka legjislacion evropian dhe vetvetiu kjo duhet të nënkuptojë sipas tyre se zbatohen edhe rregullat e Vettingut. Pra, për këtë arsye ata politikisht e pengojnë Ligjin për Vetting. Sidoqoftë, Kosova ka nevojë për një Vetting të përgjithshëm edhe në politikë, jo vetëm në drejtësi, sepse ky sistem si tërësi është i kapur e i degraduar. Vetëm le të ndalemi e të shohim se e kush dhe si bëhet në këtë shtet deputet.. se si njerëzit janë bërë edhe profesorë , se si dhe kush punon në gjyqësi dhe prokurori", potencoi Burjani për "Kosova Sot". 

 

(Kosova Sot)