Kardinali gjerman: Emigrimi problem i Shqipërisë, ishit 3.2 u bëtë 2.8 milionë banorë

  • 19 August 2015 - 08:51
Kardinali gjerman: Emigrimi problem i Shqipërisë, ishit 3.2 u bëtë 2.8 milionë banorë

Ai është i mrekulluar nga bukuritë e Shqipërisë dhe mundësitë që ajo ofron, prandaj apeli i tij ndaj Shqiptarëve është ta ndërtojnë të ardhmen këtu dhe jo duke kërkuar azil. Ky është mesazhi që dha nga Shkodra, kardinali i Këlnit, Gjermani, Rainer Maria Woelki, i cili e quan azilin më së shumti problem të Shqipërisë.

“E shikoj si problem të Shqipërisë pasi në 2013-n kanë qenë 3.2 milion banorë dhe ndërkohë janë 2.8 milionë tani. E shoh të rëndësishme për të qëndruar këtu dhe për ta zhvilluar vendin. Dhe mendoj se Shqipëria e ka fuqinë për të ecur përpara. Vetëm strukturat sociale duhet të jenë ato të duhurat, që nuk bën të mundur vetëm mirëqenien e një grupi por të të gjithëve”, tha Kardinali gjatë një vizite në Shkodër.

Kardinali ndalet tek disa prej fushave ku shteti duhet të ketë fokusin e zhvillimit dhe të orientojë politikat e veta, siç është arsimi, shëndetësia apo lufta ndaj korrupsionit. “Duhet çuar përpara arsimi jo vetëm ai shkollor por më shumë profesional. Sistemi shëndetësor le shumë për të përmirësuar, dhe duhet një shërbim që t’i shërbejë të gjithëve. Barazia shoqërore çon në luftimin e korrupsionit, dhe në paqe të mëtejshme.

Është e rëndësishme të investohet në shtresën e mesme, jo vetëm për shkollën por edhe për profesione artizanale. Qëllimi është një shoqëri solide, sepse nëse nuk është solide nuk ecën përpara. Nëpërmjet projekteve që kemi prezantuar qëllimi është formimi i një strukture shoqërore solide”, tha ai.

Ai nga ana tjetër vlerësoi Shqipërinë. “Gëzohem që jam këtu i pranishëm në Shqipëri mes jush. Kam tre ditë këtu dhe kam njohur këtë vend të mrekullueshëm. Jam i mrekulluar nga bukuritë dhe mundësitë e saj. Kam mësuar që ky vend është i begatë në pasuri tokësore dhe ujore, transmeton Oranews.

Kam mësuar që është aq e pasur me ujë sa e gjithë Shqipëria mund të furnizohet me elektricitet”, tha ai. Vizita e Kardinalit gjerman kishte të bënte me ndihmën që karitasi nga ky vend i ka dhënë Shqipërisë. Ai u prit nga Arqipeshkëvi i Shkodrës, imzot Angelo Massafra, i cili tha se:“Presidenti i karitas gjermane ka ardhur për të bërë një vizitë zyrtare këtu në Shqipëri dhe më pas do të shkojë në Kosovë. Deri tani ka vizituar vende ku Karitas ka bërë projekte të mëdha”.