Rritja e pagave, mbi supet e taksapaguesve të varfër - Lajme - Kosova Sot
Rritja e pagave, mbi supet e taksapaguesve të varfër

Rritja e pagave, mbi supet e taksapaguesve të varfër

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar, nga përfaqësues të punëtorëve dhe ligjërues të politikave sociale, po cilësohet diskriminues, skandaloz dhe abuzim me paranë publike.

Sipas tyre, kjo rritje krijon diferencë të madhe të pagave, jo vetëm në raport ndaj sektorit privat, por edhe përbrenda vet sektorit publik.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës është shprehur kundër vendimit për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar, duke rikujtuar Qeverinë se po krijon ndasi të mëdha në paga mes punonjësve.

Avni Ajdini, kryetar i kësaj sindikate tha për Radion Evropa e Lirë, se pagat duhet të rriten si për punonjësit e sektorit publik ashtu edhe atë privat. Ai tha se është shqetësuese diferenca e krijuar mes pagave dhe në këtë mënyrë, punëtorët e sektorëve të tjerë ndihen të diskriminuar.

“Nëse bëhet një seleksionim, atëherë është një degradim dhe nënçmim i pjesës tjetër të punëtorëve, të cilin vendim ne nuk mund ta pranojnë. Por, në tërësi duhet të tërhiqet një paralele e përbashkët dhe pagat të rriten për të gjithë pa e diskriminuar askënd”, thotë Ajdini.

Në anën tjetër, Artan Mustafa kërkues dhe ligjërues i politikave sociale, thotë se këto pagesa dhe privilegjet e zyrtarëve të lartë shtetërorë, po financohen nga buxheti i përgjithshëm.

Kurse rreth 85 për qind e buxhetit të Kosovës, thotë ai, përbëhet prej taksave të konsumit, që i bie se të varfrit kontribuojnë më shumë në buxhetin kombëtar sesa njerëzit që janë në pozitë më të favorshme ekonomike.

Mustafa thotë se në bazë të pasurisë së deklaruar në vitin 2017, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pranon të ardhura mujore rreth 114 herë më të larta sesa vlera e ndihmës sociale. Kurse vetëm paga e kryeministrit është 28 herë më e lartë sesa vlera e asistencës sociale.

“Nëse llogarisim pagën e kryeministrit të Kosovës, do të jetë gjashtë herë më e madhe sesa të ardhurat mesatare mujore të një familjeje në Kosovë. Pra, ky vendim do të rrisë varfërinë dhe pabarazinë në Kosovë nga këndvështrimi relativ”, thotë Mustafa.

Sipas vendimit të marrë në muajin dhjetor, i cili është shfuqizuar të martën, pasi që Gjykata Kushtetuese nuk e cilësoi atë në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi, paga e kryeministrit nga 1,500 euro sa ka qenë, do të rritet në 2,950 euro, kurse e zëvendëskryeministrave nga 1,300 euro, në 2,500 euro.

Paga e një ministri ka qenë rreth 1,200 euro, ndërkaq, sipas këtij vendimi, tani do të jetë 2,000 euro. Kurse, mbi 70 zëvendësministra, të emëruar në Qeverinë Haradinaj, do të pranojnë pagë mujore prej 1,150 euro.


(Kosova Sot)

56 minuta më parë
21/06/18