Hapja e dosjeve mund TA TRONDITË REPUBLIKËN (Video)

  • 19 June 2018 - 10:44
Hapja e dosjeve mund TA TRONDITË REPUBLIKËN (Video)

Aliu: Shumë spiunë dhe familjarë të tyre u sistemuan dhe u shantazhuan me lehtësi dhe pa meritë në pozita kyçe

"Zbardhja e dosjeve do të zbulonte detajet në imtësi se sa ka njerëz e spiunë të UDB-së dhe familjarë të tyre qëllimshëm të instaluar në të tri shtyllat e pushtetit dhe në të dy nivelet e pushtetit aktualisht dhe jo vetëm. Por, sidomos kush janë ata të instaluar jashtëligjshëm e të mbështetur nga pushteti edhe në medie dhe cilët spiunë dhe familjarë të tyre u sistemuan e u shantazhuan me lehtësi dhe pa meritë në pozita kyçe, bile edhe të larta, në të gjitha fushat dhe segmentet më vitale të pushtetit të shtetit kudo, në Qeveri e administratë publike, në legjislativ dhe rreth tij, dhe sidomos në drejtësinë kosovare -në gjyqësor, prokurori dhe në polici, prandaj edhe nuk e merr askush guximin që ta iniciojë një temë të tillë", thotë analisti Ragip Guraziu për "Kosova Sot" 

Shteti i Kosovës po kalon në dekadën e dytë të funksionimit si realitet i ri politik, i shkëputur nga ish-Jugosllavia dhe Serbia e regjimit totalitar social-komunist, një dekadë e plotë si shtet i pavarur i shpallur nga të zgjedhurit e popullit, por sipas analistëve, akoma asnjë nga legjislaturat e deritanishme, veçmas këto të paspavarësisë, nuk e kanë vullnetin, kurajën e guximin, që më në fund të kërkojnë hapjen e dosjeve dhe që përfundimisht të dihet se kush kanë qenë bashkëpunëtorët e UDB-së së Serbisë në Kosovë. Këtë çështje e shohin me shumë shqetësim analistët politikë dhe qytetarët, të cilët pyesin se pse duhet që edhe më tutje të mos dihen se kush kanë qenë ata që kanë raportuar për shërbimin sekret serb dhe në favor të kujt po shkon fshehja e emrave dhe veprave kriminale e tradhtare të tyre? Opinionistët dhe qytetarët mendojnë se duhet të zbardhen ato dosje dhe duhet të dihet saktësisht se sa ka njerëz e spiunë të UDB-së dhe familjarë të tyre qëllimshëm të instaluar në të tri shtyllat e pushtetit dhe në të dy nivelet e pushtetit aktualisht dhe jo vetëm, por sidomos kush janë ata të instaluar jashtëligjshëm e të mbështetur nga pushteti edhe në media. Pavarësisht kësaj nevoje, analistët nuk besojnë që tema e tillë të hapet me këtë kastë politike, e cila dyshohet me bazë se bazamentin e themelimit e ka mbi ato mbeturina të regjimit të kaluar totalitar dhe me plot njerëz aktivë të UDBsë në radhët e veta.

Spiunët të shpërndarë ngado

Analisti politik Shefik Shkodra mendon se sa herë që hapet kjo temë rrahet gjoks me emocione patriotike, por askush nuk po merr veprime praktike që gjërat të marrin rrugë të mbarë dhe të dilet me zbardhjen e së vërtetës. "Ata nuk përtojnë që të lavdërohen për "të bëmat" e tyre. Ata ndodhen në të gjitha nivelet: në legjislacion, në qeveri, në gjyqësi (të njëjtin janë zgjedhur edhe tash). Qofshin pasardhësit e bashkëpunëtorëve, qofshin edhe ndonjëri prej tyre vetë, duke vijuar karrierën nga e kaluara. Ata gjenden edhe nënivelin horizontal, nëpër komuna: në administratë, në gjyqësi dhe në të gjitha vendet publike. Madje ndonjëri edhe në ndonjë post shumë të rëndësishëm. Deputetët e kësaj e as të atyre të kaluarve nuk bëjnë gjë lidhur me këtë, sepse nuk e dinë ku prekin, diku ndoshta përbri tyre. Kjo do të ishte shumë me rëndësi që të pastrohet. Këta zotërinj e zonja ndoshta ka kush i mbron. Na vjen habi e madhe, sepse këta i shkaktojnë problem shoqërisë në hapat e një shteti të ri", thekso Shkodra për "Kosova Sot". Analisti Reshat Badallaj mendon se është fakt që këta deputetë nuk kanë vullnet dhe as guxim të kërkojnë hapjen e dosjeve të atyre që kanë qenë bashkëpunëtorë të UDB-së famëkeqe të serbosllavisë edhe në Kosovë, sepse shumë deputetë dhe familjarë të tyre kanë qenë langonj dhe zagarë të pushtuesit."Po në këtë gazetë kam shkruar se në regjistraturën e kaluar deputeti jo vetëm që ka qenë argati më i besueshëm i UDB-së serbiane, po ky këlysh i UDB-së, pra deputeti, ishte dekoruar me medalje nga kryetari i ish-Jugosllavisë së asaj kohe dhe pikërisht në maj të vitit 1989, për maltretime, burgosje, vrasje të shqiptarëve dhe merrte rrogë nga djersa jonë. Pra, edhe sot ky ish-deputet dhe udbashi më i suksesshëm kundër shqiptarëve ishte udbash i rrezikshëm dhe ishte deputet për të cilin e kisha lajmëruar përmes kësaj gazete Kadri Topuzin se këtë vrasës e solli Isa Mustafa, dhe puthadori i tij, Ismet Beqiri", tha Badallaj për "Kosova Sot". Ai shton se arsenalin më të madh që e ka përgatitur UDB-ja serbe me rrjet spiunazhi e ka pasur të instaluar në Kosovës."Serbia në Ballkan kishte zbarkuar 2200 spiunë, ndërkaq 720 spiunët më të rrezikshëm në Kosovë dua të them se këta spiunë të rrezikshëm që kanë qenë argatë të serbosllavise janë të shpërndarë si vaji në lakra, si në Qeverinë kuislinge, në Kuvendin rrugaçësh me plot banditë dhe gjysmë analfabetë dhe në bandat politike a e di populli se sa udbashi është në sistemin e drejtësisë së kalbur në Kosovë... Pra, këtyre banditëve nuk u shkon për shtati të zbardhin dosjet e UDB-së, sepse këta janë në organet shtetërore dhe këto hafije e kanë në dorë shtetin", tha Badallaj për "Kosova Sot".

GURAZIU: NUK KA KUPTIM PSE DUHET QË EDHE MË TUTJE TË MOS DIHEN SE KUSH KANË QENË ATA QË KANË RAPORTUAR PËR SHËRBIMIN SEKRET SERB

Rruga deri të hapja e dosjeve të UDB-së do të jetë akoma e gjatë edhe sipas Ragip Guraziut.Ai thotë se janë vetë mbeturinat e shqipfolësve, bashkëpunëtorët e UDB-së së Serbisë në Kosovë, e që të tilla ka ende në poste të larta, që e pengojnë këtë proces. "Kjo është arsyeja e vetme pse edhe ligjvënësit e tanishëm nuk e kanë vullnetin, kurajën e guximin që kjo legjislaturë e Kuvendit të veprojë, që më në fund të kërkojnë hapjen e dosjeve dhe kjo lë të kuptojmë se veç ata i njohin që bashkëpunojnë me ta se nuk është kollaj të zhduken, sepse mu ata shqipfolës kanë praktikë manipulimi që nga komunizmi dhe është shumë lehtë të zbulohen.Janë mu ata që bëjnë bizneset me Serbinë dhe vend të miellit qytetarëve u afrojnë ushqim bagëtish dhe shumë bizneseve të tjera.Dhe, këtu pikërisht del e dihet se cili ishte edhe roli i SHIK-ut në mbështetje të fuqishme të spiunëve të UDB-së të vendosur e fuqizuar nëpër medie, në televizione, në gazeta, në portale etj.Këto do të ishin faktet, prandaj edhe nuk po fillohet ky proces", vijoi më tej Guraziu."Përfundimisht më duhet të them se ata që nuk e kanë vullnetin, kurajën e guximin, as deputetët e kësaj legjislature të Kuvendit, që më në fund të kërkojnë hapjen e dosjeve dhe që përfundimisht të dihet se kush kanë qenë bashkëpunëtorët e UDB-së së Serbisë në Kosovë, vazhdojnë t'i bëjnë shërbim atij shërbimi sekret serb, sepse ndryshe nuk ka kuptim pse duhet që edhe më tutje të mos dihen se kush kanë qenë ata që kanë raportuar për shërbimin sekret serb", vlerësoi ai për "Kosova Sot".Duhet të dihet se në favor të kujt po shkon fshehja e emrave dhe veprave kriminale e tradhtare të tyre, ndonëse ata veç janë të zbuluar dhe dihen parimisht dhe faktikisht, por ata falë asaj që askush nuk po merret me ta janë akoma në pushtet, janë mu ata që kanë kapur institucionet tona dhe çdo gjë po ngulfatet në Kosovë, e sidomos sektori ekonomik që për zhvillimin e Kosovës është njëshi", tha Guraziu për "Kosova Sot".

ALIU: KA SHUMË SPIUNË TË INSTALUAR NË TRI SHTYLLAT E PUSHTETIT DHE NË TË DY NIVELET E PUSHTETIT AKTUAL

Mision të pamundur e sheh zbardhjen e dosjeve të UDB-së nga kjo kastë e tanishme politike edhe analisti Bislim Aliu,pasi edhe ai mendon që pjesë e madhe e njerëzve të sotëm në këtë politikë janë mbeturina të atij sistemi të kaluar që mbajnë mbi vete hipotekat e shërbimit besnik ndaj UDB-së."Deputetët e kësaj legjislature të Kuvendit nuk e kanë as interesimin më të vogël,që më në fund të kërkojnë hapjen e dosjeve dhe që përfundimisht të dihet se kush kanë qenë bashkëpunëtorët e UDB-së së Serbisë në Kosovë.Andaj,ata edhe më tej interesohen që më mos të dihen se kush kanë qenë ata që kanë raportuar për shërbimin sekret serb dhe për këtë nuk duan që të zbardhen tradhtarët! Ndaj në këtë tradhti ka bukur shumë njerëz e spiunë të instaluar në tri shtyllat e pushtetit dhe në të dy nivelet e pushtetit aktual",potencoi Aliu për "Kosova Sot". 

Hertica: Të mos fshihen emrat konkretë, të mos fshihen as krimet e kryera nga tradhtarët e shqiptarëve

Sipas analistit Ali Hertica, derisa politika nuk merr hapa dhe nuk e bën ligjin e hapjes së dosjeve, atëherë me të drejtë lind dyshimi për përfshirjen e shumë figurave politike në ato dosje si shërbëtorë të ish-regjimit dhe vetë organeve të UDB-së."Hapja e dosjeve është një domosdoshmëri, sepse ato, së pari, janë pjesë e historisë sonë të përbashkët, kanë dëmtuar jetën tonë të përbashkët, janë një pengesë për të ardhmen tonë të përbashkët të UDB-së dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Për këtë arsye ato duhet të bëhen transparente për njerëz që kërkojnë të dinë të shkuarën e tyre, të sqarohen për atë që kanë pësuar nga sistemi sekret serb dhe në favor të kujt janë kryer këto shërbime dhe të mos fshihen emrat konkretë, të mos fshihen as krimet e kryera nga tradhtarët e shqiptarëve", u shpreh Hertica për "Kosova Sot".

KELMENDI: NGA KLANET E NDRYSHME U VENDOSËN DHE U PËRKRAHËN ISH-SHËRBËTORËT E REGJIMIT SERBOMADH

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thotë se është shumë e qartë pse as në këtë legjislaturë nuk do të kemi ndonjë veprim juridik në drejtim të luftimit të ishbashkëpunëtorëve të UDB-së dhe të regjimit okupues serbomadh, derisa akoma ka shërbëtorë të atij shërbimi aktiv në politikën dhe institucionet e Kosovës. "Dihet se vetëm në këta njerëz dhe në familjet e besuara të regjimit serbo-jugosllav është bazuar UNMIK-u që nga viti 1999 e tutje në vendosjen e njerëzve në kuluaret e ndryshme të pushtetit. Kudo janë marrë shërbëtorët e ish-regjimit dhe janë vendosur në administratën e Kosovës, sikundër edhe në polici, në prokurori dhe nëpër gjykata. Në këto vende kemi njerëz që kanë dënuar shqiptarë dhe që kanë dhunuar gjatë regjimit serbomadh qytetarët tanë. Madje janë marrë vetëm shërbëtorët e regjimit", u shpreh ai. "Po kjo formë vazhdoi njësoj edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Nga klanet e ndryshme u vendosën dhe u përkrahën dhe aktualisht përkrahen ish- shërbëtorët e regjimit serbomadh. Këso kemi kudo. Ata janë të shantazhuar dhe shumë lehtë vihen në kontrollin e pushtetit shtetëror. Këtu është edhe fakti pse nuk luftohen krimi dhe korrupsioni, pse lejohet klani i PDK-së dhe i LDK-së në pushtet dhe pse pa asnjë kërcënim vazhdohet aktiviteti i dëmshëm dhe antiligjor. Këtu është edhe baza pse duhet me u përpjekur për të bërë spastrime në pushtet", vijoi më tej Kelmendi për "Kosova Sot".

Qytetarët kërkojnë zbardhjen e së vërtetës

Rreth kësaj teme gazeta ka anketuar edhe qytetarë rasti. Edhe ata ndajnë pothuajse të njëjtin mëndim me opinionistët e gazetës. Sipas gjykimit qytetar, kjo kastë e tanishme politike, në pozitë dhe opozitë, nuk ka vullnet ta hapë temën e dosjeve të UDB-së pasi shumë figura kyçe nëpër parti politike kanë qenë ose vazhdojnë të jenë akoma të lidhur me një shërbim të tillë. Këtë dyshim e ka edhe qytetari Musli Musliu nga Prishtina."Patjetër që edhe Kosova duhet t'i hapë dosjet e njerëzve të UDB-së, mirëpo kjo kastë politike po heziton t'i hapë ato pasi që shumë prej tyre janë që edhe vetë janë të kyçur aty, prandaj mundohen t'u ikin këtyre gjërave. Kjo duhet të ndodhë, koha ka qenë edhe më herët, bile është vonuar, por më mirë vonë se kurrë. Mirë është që të hapen ato doje, edhe të UDB-së, edhe të SHIK-ut, të gjitha, pse të mos hapen, le të dihet se ku jemi, derisa nuk zbulohen këto gjëra ne nuk mund të shkojmë përpara kurrqysh. Mirëpo, unë nuk e besoj që këtë do ta bëjnë këta deputetë, sepse një shumicë prej tyre, jo të gjithë, janë bijat e atyre udbashëve. E ata mundohen t'i ikin asaj, derisa të vjen një gjeneratë, e cila është kryekëput e pastër dhe vetëm ata besoj që mund dhe do ta hapin një kapitull të tillë. Pra, po them se kurdo që bëhet kjo, nuk do të bëhet vonë", tha Musli Musliu nga Prishtina. Këtë opinion ndan edhe qytetari tjetër Islam Visoka."Unë mendoj që kjo kastë politike, e cila është e njëjta pothuajse që nga paslufta, me pak ndryshime të vogla, sipas të gjitha gjasave janë vetë të involvuar apo të ngatërruar në shumë gjëra jo të mira, gjë që po dëshmohet në këtë kohë dhe ata nuk duan që vetveten ta qesin. Ka shumë figura të cilat e udhëheqin sot Kosovën dhe mendoj që janë të involvuar në gjëra shumë të këqija, unë mendoj kështu dhe mbase për këtë edhe hezitojnë t'i hapin ato dosje, sepse kush i hapë dosje vetvetes që të bije në pus. Unë mendoj se këta nuk e bëjnë atë punë, sepse pikërisht aty është ai qëllimi dhe ai hezitimi, shkaku i të gjitha këtyre. Madje, kjo çështje konsideroj se është shumë delikate, sepse pa bashkëpunim me Beogradin nuk mund të hapen ato dosje kur dihet mirë se sa kohë kemi qenë nën sundimin e tyre dhe të gjitha ato dosje nuk mund të merren e të hapen edhe pa ndonjë presion të madh edhe të bashkësisë ndërkombëtare", theksoi Visoka. Sipas tij, pa këtë presion nuk besoj që do të jepen ato dosje, të cilat janë të grumbulluara për shumë persona, sepse këta persona që i kemi edhe sot, që qeverisin Kosovën në institucionet me të larta, edhe këta janë që e pengojnë atë punë dhe kjo veç po shihet.

(Kosova Sot)