Injorantët me diploma pushtojnë edhe drejtësinë

  • 19 June 2018 - 08:02
Injorantët me diploma pushtojnë edhe drejtësinë

PASOJAT E RËNDA TË ARSIMIT JOCILËSOR NË REPUBLIKËN E KOSOVËS

Miftari: Krimi i organizuar ka gllabëruar drejtësinë, prandaj kemi shtet të kapur nga mafia

"Zyrtarët e lartë u pozicionuan lart pa meritë dhe pa dije. Tani ata po i përcaktojnë kriteret në bazë të nivelit të tyre, nuk u lejohet atyre që përfundojnë shkollim cilësor dhe diploma meritore, të fituara jashtë Kosovës. Ata stopohen, sepse nuk i plotësojnë 'kriteret'. Kriteret po i caktojnë të padijshmit dhe ata që i siguruan diplomat duke mos ditur se ku është as selia e fakulteteve", thotë ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni, për "Kosova Sot" Analistët e politikës dhe të sistemit të drejtësisë, duke parë brishtësinë e funksionimit të drejtësisë në Kosovë, përveç ndikimit të politikës në sistem, një defekt të madh e shohin edhe tek sistemi i arsimit. Sipas tyre, ky sistem i dështuar, i fokusuar pas luftës vetëm në hajni e zhvatje të buxhetit, përmes ndërtimit të shkollave dhe aspak me cilësi, por prodhon kryesisht kuadro të pavlera, ku është një numër i madh i pothuajse gjysmanalfabetëve, të cilët gjysmanalfabetë po vërehen në të gjithë sektorët, e sidomos në fushën e drejtësisë ku përveç problemit madhor të kontrollit të plotë të sistemit të drejtësisë nga politika e inkriminuar dhe nëntoka kriminale, pasi Kosova vuan po ashtu edhe nga problemi tepër serioz i mungesës së cilësisë profesionale tek gjyqtarët dhe prokurorët e dështuar e të korruptuar. Sipas analistëve, përveç kontrollit nga nëntoka, një pjesë e madhe e prokurorëve dhe gjyqtarëve kanë probleme të mëdha, duke filluar nga drejtshkrimi, mosnjohja e ligjeve, sidomos në pjesën administrative dhe civile, por edhe në atë penale, si dhe shumë boshllëqe të tjera profesionale.

Sistemi i kapur

Analisti Azem Osmani, duke parë defektet e mëdha në arsim, beson dhe thekson se faktor me rëndësi në funksion të mungesës së cilësisë në sistemin e drejtësisë është edhe arsimi."Shumë herë kemi hasur në dëshmi letrash të lëshuara nga organet e drejtësisë me një mal gabimesh, qofshin profesionale (të gjetura nga ekspertë të fushës), por edhe gabime elementare në drejtshkrim. Ekspertët e fushës që veprojnë në kuadër të OJQ-ve kanë gjetur po ashtu edhe një mori gabimesh nëpër procedura të këtij sistemi. Kjo tregon se përpos që sistemi i drejtësisë është i kapur nga politika dhe grupet e oligarkëve, ka defekte të mëdha edhe në rrafshin profesional. Ky është një tregues i kthjelltë se sistemi arsimor në Kosovë prodhon shumë pak cilësi profesionistësh", u shpreh ai."Duket qartë se hallka e kapjes së shtetit vërehet edhe në sistemin arsimor. Qeveritë e pasluftës nuk kanë zgjuar asnjëherë interes të rrisin cilësinë e arsimit, por vetëm ngritjen e infrastrukturës arsimore, pasi aty ka pasur mundësi keqpërdorimi nga tenderët për ndërtimin e infrastrukturës shkollore. Rektori, dekanët e fakulteteve, drejtorët e shkollave, drejtuesit e tjerë, si dhe shumica dërmuese e mësimdhënësve, kanë ardhur përmes rekomandimeve politike, duke e lënë anash vlerën profesionale. Në këtë rrafsh duhet të fajësohen partitë politike që drejtojnë qeveritë komunale, të cilat kanë kompetencat e zgjedhjes së drejtorëve të shkollave, drejtuesve të tjerë, si dhe të mësimdhënësve", vijoi më tej Osmani."Shqetësimi më i madh qytetar është se kapja e institucioneve ka arritur nga maja e deri tek pozitat më të ulëta të institucioneve shtetërore", potencoi ai për "Kosova Sot".

PRETENI: KRITERET PO I CAKTOJNË TË PADIJSHMIT!

Ish-kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, thotë për 'Kosova Sot' se problemet e pasluftës janë të shumta dhe serioze, në veçanti kanë degraduar arsimi dhe shëndetësia. "Arsimi është themeli më i fuqishëm i një shteti, tek ne ka rrënuar gjithçka, në vend të dijes dhe shkencës kemi inflacion të diturisë dhe hiper-prodhim të diplomave. Është përgjegjësi e "politikës" dhe bartësve kryesorë të institucioneve qendrore që kjo gjendje të jetë e pashpresë. Zyrtarët e lartë u pozicionuan lart pa meritë dhe pa dije, tani ata po i përcaktojnë kriteret në bazë të nivelit të tyre, nuk u lejohet atyre që përfundojnë shkollim cilësor dhe diploma meritore të fituara jashtë Kosovës, ata stopohen, sepse nuk i plotësojnë "kriteret". Kriteret po i caktojnë të padijshmit dhe ata që i siguruan diplomat, duke mos ditur se ku është as selia e fakulteteve", theksoi ai."Kemi suficit diplomash e deficit diturie. Një analizë e shkurtë i vërteton të gjitha pohimet e cekura më lart. Cili zyrtar cilën diplomë dhe në cilin fakultet e mbaroi. Oratoria e tyre dhe avancimi profesional ishte dashur të reflektojë, kjo nuk ndodh, progresi nuk shihet. Nuk është mjerimi që ata nuk po përparojnë në praktikë, por problemi është se ata po bëhen pengesë e përparimit të atyre që me të vërtetë kanë përfunduar shkollime cilësore. Çdo qytet i Kosovës e ka universitetin e vet, në secilën prej qendrave të Kosovës ka fakultete-universitete private. Te regjistrosh një fakultet e të mos e përfundosh kjo mund të ndodhë vetëm nëse të shkel tramvaji, e pasi që Kosova nuk ka tramvaj, atëherë të gjithë i përfundojnë ato. Kjo krizë do të zgjasë shumë, sepse tani të diplomuarit fals nuk po ndalen me fitimin e një diplome, po ata po bëhen edhe profesorë. Në një fakultet në Universitetin e Prishtinës është një profesor që tani udhëheq një katedër të një lënde, të cilën sa ishte student nuk e ka kaluar kurrë, e ka falsifikuar notën, e raste të tilla ka gjithandej", potencoi Preteni për "Kosova Sot".

MIFTARI: KRIMI I ORGANIZUAR KA GLLABËRUAR DREJTËSINË

Ndërsa eksperti i fushës së sigurisë, Naim Miftari, mendon se shkatërrimi i sistemit të arsimit dhe i drejtësisë ka qenë i qëllimshëm dhe me këtë kanë dashtë ta devalvojnë drejtësinë dhe arsimin, me qëllim që të mos ketë drejtësi, e që do të thotë të mos ketë as ndëshkim për krimin ordiner dhe korrupsionin."Për politikanët e korruptuar që e dështuan shtetin dhe popullin dhe devalvimi i arsimit, pos biznesit me ndërtim shkollash dhe licenca, qëllimi ishte ta devalvojnë nivelin intelektual, që pastaj politikanët e pashkolluar të marrin tituj universitarë, tituj të doktorëve dhe magjistrave, edhe pse nuk dinë mirë as shkrim dhe as lexim, dhe shumë sish as shkollat e mesme dhe universitetet nuk i kanë kryer kurrë me rregull. Pra, kemi politikanë të profilit të lartë, që nga kryetari i shtetit e teposhtë, që janë të pashkolluar, të paedukuar dhe kanë mbetur po ashtu të pakulturuar. Kemi doktorë që vendosin jetën e pacientit në rrezik, pasi vjen në vend të punës me njohësi, me ndikime politike, por mbi gjitha atë vjen në atë vend të punës me anë të mitës dhe korrupsionit", theksoi Miftari për "Kosova Sot". Ai të njëjtën gjendje e sheh edhe në drejtësi."Prandaj krimi i organizuar ka gllabëruar drejtësinë, ka uzurpuar prokurorin me gjyqësi, policinë, inteligjencën dhe arsimin e financat, prandaj edhe sot kemi shtet të kapur nga mafia dhe shtet jofunksional... shtet të dështuar", tha ai për "Kosova Sot".

ZEQA: PUSHTETARËT E PASLUFTËS JANË FOKUSUAR NË PRODHIMIN E "KUADROVE" ME DIPLOMA TË FABRIKUARA!

Analisti politik Florim Zeqa thotë se sidomos pushtetarët e pasluftës, e në veçanti pas 17 shkurtit 2008 janë fokusuar në prodhimin e "kuadrove" me diploma të fabrikuara, të gjysmë analfabetëve e jo profesionistëve! "Një pjesë e madhe e prokurorëve dhe gjyqtarëve kanë probleme të mëdha, duke filluar nga drejtshkrimi, përdorimi i gjuhës shqipe, mosnjohja e ligjeve, sidomos në pjesën administrative dhe civile, por edhe në atë penale, si dhe të shumë mangësive të tjera profesionale. Kontrolli i drejtësisë nga politika e inkriminuar dhe nëntoka kriminale vjen edhe si produkt i injorancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, e ardhur si pasojë e sistemit të deformuar dhe degraduar të arsimit kosovar që po vazhdon të nxjerrë në "tregun e punës" juristë të "diplomuar" dhe jo vetëm, por me deficite të mëdha të njohurive profesionale", vlerësoi ai për "Kosova Sot". "Me këto gjenerata të prodhuara nga një sistem i dështuar dhe i inkriminuar i arsimit nëpër universitetet publike (politike) dhe private të nëntokës politike, drejtësia kosovare nuk ka shanse të arrijë as standardet mesatare të një sistemi modern të vendosjes së drejtësisë, si në vendet e zhvilluara dhe demokratike", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot"

Shtetarët e pashkolluar instalojnë analfabetizmin

Sipas analistit Blerim Burjani, edhe fusha e arsimit është bërë pjesë e interesit përfitues nga tenderomania, prandaj nuk mund të flitet për kualitet në arsim, vetëm ndërtim shkollash për të abuzuar me tenderët."Ndërtimet mbeten e vetmja rrugë për përfitime nga njerëz analfabetë që as shkollë të mirëfilltë nuk kanë kryer në mënyrë normale. Kjo situatë po vazhdon të shqetësojë me të madhe qytetarët, sepse është e qartë pse po ndodh kjo situatë, është vetëm zhvatja, e ngjashme me atë që po bëhet me numër enorm të ministrive, ministrave dhe zëvendësministrave dhe të këshilltarëve të papërvojë dhe të padijshëm", tha Burjani për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)