Djallëzitë e Thaçit, thotë se e ka mbështetjen e pesë ambasadave për të shkuar në dialog

  • 19 June 2018 - 17:46
Djallëzitë e Thaçit, thotë se e ka mbështetjen e pesë ambasadave për të shkuar në dialog

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se sot i ka pritur ambasadorët e vendeve të Kuintit, ambasadorin Delawie të SHBA-së, ambasadorin O’Connell të Britanisë së Madhe, ambasadorin Chabert të Francës, ambasadorin Sardi të Italisë, zëvendësambasadorin Voss të Gjermanisë dhe shefen e Zyrës së BE-së, Natalyia Apostolova. Takimet me këta ambasadorë, Presidenti thekson se i bëri për ta kërkuar mbështetjen e tyre për dialogun. Thotë se atë edhe e ka siguruar.

Në njoftimin e presidencës, thuhet se Presidenti Thaçi i njoftoi ambasadorët se e ka pranuar ftesën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, për takimin e ri në Bruksel, të dielën më 24 qershor.

Përfaqësuesit e shteteve të Kuintit rikonfirmuan përkrahjen e tyre për fillimin e fazës përfundimtare të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve.

“Kosova është e gatshme për dialog dhe për normalizim të marrëdhënieve”, u shpreh presidenti Thaçi, duke theksuar nevojën e një përfshirjeje sa më të gjerë të partive politike, shoqërisë civile dhe mediave.


(Kosova Sot)