Drejtësia e shantazhit degradon sundimin e ligjit

  • 20 June 2018 - 07:53
Drejtësia e shantazhit degradon sundimin e ligjit

BETEJA E HUMBUR NË LUFTËN KUNDËR KRIMIT TË ORGANIZUAR DHE KORRUPSIONIT

Preteni: Asnjë ligj nuk i ka penguar prokurorët dhe gjyqtarët që të dënojnë mafiozët dhe t'ua konfiskojnë pasurinë

"Kjo gjendje është pasojë e një drejtësie të trashëguar të sistemit të kaluar. Aso kohe, për të qenë i dënuar nga gjyqet e sistemit komunist njëherë është dashur të përjashtohesh nga partia e pastaj të dënohesh. Pra, derisa ke qenë në pozitë nuk ka pasur prokuror që të bëjë aktakuzë apo gjykatës që të dënojë. Tani kjo mendësi është trashëguar edhe sot dhe po ruhet po me atë fanatizëm të saj kohe. Njerëzit në funksione nuk po dënohen, kurse dosja që përgatitet kundër tyre shërben vetëm sa për shantazh", thotë analisti Nexhmedin Spahiu për "Kosova Sot

Duke parë dhe analizuar në vazhdimësi raportet e organizatave të ndryshme joqeveritare në vend dhe ato të institucioneve kredibile ndërkombëtare, që flasin për nivelin akoma të ulët të sundimit të ligjit në Kosovë, ngecjen në luftimin e krimit dhe korrupsionit, njohësit e fushës së sundimit të ligjit dhe analistët e pavarur theksojnë se kjo gjendje tregon më së miri se sa e ka humbur, madje pothuajse tërësisht, kuptimin drejtësia në Kosovë, si shtylla kryesore e funksionimit të shtetit. Sipas analistëve, për këtë pasojë Kosova u shndërrua në një xhungël joligjore, ku të fortët, njerëzit e pushtetshëm, ishin dhe vazhdojnë të jenë dhe të mbeten të pa prekshëm. Sipas tyre, faji nuk mund të jetë jetim, sikur përpiqet politika ta interpretojë këtë gjendje, sepse përgjegjësia kryesore është tek njerëzit që po vazhdojnë ta sundojnë Kosovën që prej vitit 1999, si nga mbi toka e inkriminuar, po ashtu edhe nga nëntoka tepër kriminale, se bashku! Tanimë, sipas analistëve, është krijuar bindja, sipas së cilës fare pak ka rëndësi nëse ishin në opozitë dikur, apo kur erdhën në pushtet, është garnitura e njëjtë që udhëheq herë nga nëntoka, e herë në ekzekutiv në të dyja nivelet e pushtetit, është ajo që drejtësinë dhe të gjitha institucionet e shtetit i vendosi në duart e mafio-oligarkëve dhe nëntokës shkatërruese kriminale. Gjithashtu, sipas analistëve, është krijuar bindja e plotë se në vend të fuqizimit të sistemit të pavarur të drejtësisë, gjërat kanë shkuar mbrapsht, të gjitha segmentet e kësaj shtylle u futën nën kontroll nga nëntoka kriminale e mafio-oligarkëve dhe pushtetarëve të inkriminuar, të gjithë mekanizmat e shtetit, sidomos ata në institucionet e drejtësisë, në polici, hetuesi, prokurori dhe gjykata!

PRETENI: POLITIKA E KA KAPUR "SUNDIMIN E LIGJIT", KTHETRAT E FUQISHME, TË CILAT NUK DO TË LIROHEN EDHE NJË KOHË TË GJATË!

Sipas njohësit të fushës së sundimit të ligjit, ish-kreut të AKK-së, Hasan Preteni, në këtë fushë nuk ka progres, vetëm lavdërohen me ligje të reja, e në fakt nuk ka risi, luhen lojëra me dinjitetin e qytetarëve. "Asnjë ligj nuk u ka penguar prokurorëve dhe gjyqtarëve që të dënojnë mafiozët dhe t'u konfiskojnë pasurinë, ka mungesë vullneti, ka mungesë guximi dhe mungesë patriotizmi ligjor. Politika po na mashtron me ligje, kurse prokurorët dhe gjyqtarët po i ledhaton duke u rritur rrogat dhe siguruar mirëqenie. Politika e ka kapur "sundimin e ligjit", kthetrat e fuqishme, të cilat nuk do të lirohen edhe një kohë të gjatë. Kryeprokuror dhe kryegjyqtar me benifite jetësore, me paga të majme, me shumë vende pune dhe privilegje tjera. Dëshmi të fuqishme janë edhe deklarimet e pasurisë, të hyrat mujore, ku nuk është asnjë nën 2500 euro. Politika ua mundësoi këtë kurse këta politikës po i revanshohen duke i lënë të qetë", u shpreh ai."Nuk ka hetime, nuk aktakuza e për aktgjykime as mos të mendojmë. Ministri flet për ligje për konfiskim, por kush do të flet për dënime? Dënimet mund të jenë morale, penale dhe materiale. Morali është kategori e panjohur për zyrtarët kosovarë, dënime penale - dënime me burg asnjë, e këta tallen me dënime materiale, me konfiskime. Kjo është hipokrizi e llojit të vet. Kryeprokurori i Shqipërisë dhe kryeprokurorët e shteteve në regjion, pas përfundimit të mandateve, kompensohen me gjysmë page vetëm për një periudhë, në Tiranë kjo është për 3 vjet. Në Kosovë janë kompensime të përjetshme, pastaj zyra, pastaj asistente, kerre dhe pensione jetësore. Koha u kalon duke i numëruar ditët deri në përfundim të mandatit, e për punë, si i thonë asaj fjalës 'ku rafsha mos u vrafsha', nuk mendon si duhet askush", tha Preteni për "Kosova Sot".

SPAHIU: NË KOSOVË VENDOS MË I FORTI, E JO DREJTËSIA!

Edhe profesori universitar, Nexhmedin Spahiu, thekson se kjo garniturë e tanishme në sistemin e drejtësisë nuk ka sens të kultivuar në frymën patriotike në emër të shtetit të së drejtës, derisa lufta më e madhe bëhet vetëm për sigurimin e privilegjeve grupore e personale."E ka thënë edhe në një rast tjetër se ndonjëherë më krijohet bindja se Kosova nuk ka nevojë fare për sistem gjyqësor. E kam thënë këtë duke u bazuar në atë se nëse ashtu e kështu vendos më i forti, jo drejtësia, atëherë shtrohet pyetja përse të harxhohen para kot për një sistem koti? Mund të thuhet lirisht që janë përjashtimet e rralla të gjykatësve të ndershëm e patriotë, që megjithatë ekzistojnë aty këtu, por ata vetëm sa e ushqejnë pak a shumë, fare minimalisht, shpresën se ndonjëherë mund të bëhet më mirë", theksoi ai. "Kjo gjendje është pasojë e një drejtësie të trashëguar të sistemit të kaluar. Asokohe, për të qenë i dënuar nga gjyqet e sistemit komunist njëherë është dashur të përjashtohesh nga partia e pastaj të dënohesh. Pra, derisa ke qenë në pozitë nuk ka pasur prokuror që të bëjë aktakuzë apo gjykatës që të dënojë. Tani kjo mendësi është trashëguar edhe sot dhe po ruhet po me atë fanatizëm të saj kohe. Njerëzit në funksione nuk po dënohen, kurse dosja që përgatitet kundër tyre shërben vetëm sa për shantazh. D.m.th. kjo i bie ose bëje politikën sipas qejfit tonë ose të hoqëm nga pozita dhe pason burgu", tha Spahiu për Kosova Sot. Ai shton se në këtë vazhdë ka shkuar së fundi edhe realizimi i egos së rritjes së pagave të pa merituara, sikur që ndodhi ditë më parë nga një interpretim që i bëri vendimit të Qeverisë Gjykata Kushtetuese. "Në fakt, ka qenë e pritshme që Gjykata Kushtetuese me marrë një vendim të tillë, pasi duke miratuar rritjen e rrogave qeveritare kanë miratuar rrogat e tyre personale", potencoi Spahiu për "Kosova Sot".

Vendi po vendnumëron

Sipas analistit Hidajet Ahmeti, pushtetet e inkriminuara e zhvendosën shtetin nga funksioni i trupit publik në funksion të interesave të ngushta politike, nepotike e klanore. "Të gjithë mekanizmat e shtetit i transformuan në funksion të tyre, duke konsideruar shtetin si pronë private. Drejtësia si koncept e parim ka mbetur vetëm në letër, pasi drejtësia si vlerë e parim e ka marrë epitetin e një gardiani për të mbrojtur e amnistuar një pakicë njerëzish të pushtetshëm, e duke i bërë edhe të paprekshëm", u shpreh ai. "Kjo vlerë universale në aspektin e një shtylle pushteti, ku balancon të mirën publike e private, ku zhvendos anarkinë në shtet për të gjithë etnitetet që jetojnë brenda shtetit, brenda një rregulli e norme për të gjithë, në Kosovën e pasluftës i ka shërbyer nëntokës kriminale të ndihmuar nga mbitoka kriminale, e duke qenë në funksion të të dyjave", theksoi Ahmeti për "Kosova Sot". Ndërsa analisti dhe publicisti Naim Kelmendi pohon se për këtë mosfunksionim të shtetit të së drejtës e gjithë përgjegjësia bie te vetë kasta politike që e drejton vendin, madje pa amnistuar nëpër kohë asnjë nga subjektet politike që janë pozicionuar, sa në pozitë e sa në opozitë, as në nivelin lokal dhe as në atë qendror."Sistemi i drejtësisë në Kosovë, ky sistem i tejkapur dhe tejpolitizuar për t'u bërë jofunksional, është pasqyra e gjithë kësaj skene politike që ka qeverisur dhe akoma po e qeveris vendin, tash e gati dy dekada, duke përshirë edhe fazën transitore të bashkëqeverisjes me faktorin ndërkombëtar, UNMIK dhe EULEX", vlerëson ai. "Klasa politike e Kosovës, me ndikimin e vet të drejtpërdrejtë në drejtësi, është një kastë politike që e ka krijuar krejt këtë imazh të zi për vendin, prandaj në të gjitha raportet ndërkombëtare vlerësimet po vazhdojnë ta nxjerrin vendin tonë akoma si shumë të korruptuar dhe të kriminalizuar, kurse liderët politikë dhe institucionalë po vazhdojnë të etiketohen si të involvuar në krim të organizuar. Krime ekonomike dhe tenderomani, prandaj edhe kemi një ngecje në fuqizimin e shtetit të së drejtës sipas standardeve të BE-së, e me këtë ngecje kemi vendnumërim, apo vonesa tepër të gjata edhe në proceset integruese në BE. Për fat të keq", vijoi më tutje Kelmendi për "Kosova Sot". Sipas tij, në vend që politika dhe të zgjedhurit në institucione të punojnë më seriozisht në drejtim të fuqizimit të shtetit të së drejtës, kemi vetëm një garë të fortë se kush më shumë do të bëjë shkelje ligjore për përfitime individuale e grupore. 

(Kosova Sot)