Numër rekord votuesish në diasporë për zgjedhjet presidenciale turke

  • 20 June 2018 - 23:22
Numër rekord votuesish në diasporë për zgjedhjet presidenciale turke

Komisioni i Lartë Zgjedhor i Turqisë (YSK), bëri të ditur se është shënuar një dalje rekord e votuesve në diasporë për zgjedhjet e parakohshme presidenciale dhe parlamentare, të cilat do të zhvillohen të dielën.

Zgjedhjet e parakohshme presidenciale dhe parlamentare në Turqi do të mbahen më 24 qershor ndërkohë që shtetasit turq që jetojnë jashtë vendit kanë votuar më 7 qershor në qendrat e votimit në zyrat diplomatike të vendeve ku jetojnë.

YSK theksoi dje se është mbyllur votimi në 51 shtete dhe se dalja e votuesve ka qenë 48,78%.

Ky është një numër rekord i votuesve turq në diasporë.

Sipas të dhënave të cilat i publikoi Komisioni Zgjedhor, në diasporë kanë votuar gjithsej 1 486 408 votues, nga tre milionë të regjistruar.

Votuesit turq në diasporë do të mund të votojnë deri më 24 qershor në ora 17:00, në të gjitha qendrat e hapura në vendkalimet kufitare turke.

Më 16 prill të vitit 2017, Turqia mbajti një referendum që kërkoi nga votuesit të vendosin për ndryshime kushtetuese në 18 nene për të kaluar nga sistemi parlamentar në sistem presidencial, p;rcjell Atsh.

Sipas ndryshimeve të reja kushtetuese, zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare mbahen në të njëjtën datë në çdo pesë vite.

Gjithsej 59 391 328 votues të regjistruar do të kenë të drejtën e votës, prej të cilëve 56 342 263 ndodhen brenda Turqisë dhe 3 049 065 jashtë saj.

 

(Kosova Sot)