Mbytja e tragetit me mbi 190 pasagjerë, arrestohet kapiteni

  • 21 June 2018 - 18:19
Mbytja e tragetit me mbi 190 pasagjerë, arrestohet kapiteni

Policia indoneziane ka arrestuar kapitenin e tragetit që u mbyt të hënë në liqenin Toba në ishullin Sumatra të Indonezisë, duke lënë tre vetë të vdekur dhe më shumë se 190 persona të zhdukur.

Vetëm 17 persona u shpëtuan përveç kapitenit Tua Sagala.

Trageti i licensuar për transportin e vetëm 60 pasagjerëve ishte mbushur mbi kapacitet. Autoritetet thonë se operatorët e anijeve nuk dorëzuan bileta kështu që nuk ka të dhëna se kush mund të ishte në bord.

Policia thotë se ende nuk e kanë marrë në  pyetje kapitenin, i cili raportohet gjithashtu se është pronar i tragetit, pasi ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike pas ngjarjes.
Liqeni Toba, liqeni më i madh vullkanik në botë, ishte i mbushur me turistë që festonin Bajramin kur trageti u mbyt në mot të keq. Shumë viktima mendohet të jenë bllokuar brenda anijes, tha policia.

Deri në 193 persona, përfshirë fëmijët, figurojnë të zhdukur, thotë policia. Autoritetet janë mbështetur në raportet e të mbijetuarve dhe familjeve të të afërmve të zhdukur.
Shumë viktima mendohet të jenë bllokuar brenda anijes.

Të mërkurën, zhytësit dhe një nëndetëse iu bashkuan përpjekjeve të kërkimit. Skuadrat ende kanë nevojë për të gjetur tragetin prej druri i cili ndodhet në një thellësi prej 450 metrash.
 

(Kosova Sot)