Ligjvënësit republikanë diskutojnë një projektligj për imigracionin

  • 25 June 2018 - 19:57
Ligjvënësit republikanë diskutojnë një projektligj për imigracionin

Republikanët kryesorë në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan po diskutojnë rreth një projektligji që synon kufizimin e praktikës së ndarjes së familjeve imigrante në kufi.

Përpjekja në Kongres shihet si përgjigje ndaj polemikave që shkaktoi kjo praktikë e administratës së Presidentit Donald Trump dhe vjen në një vit zgjedhjesh për Kongresin amerikan.

Projektligji shihet gjithashtu si një alternativë ndaj një pakete më të gjerë masash për emigracionin, e cila duket se po shkon drejt dështimit në votimin që pritet këtë javë.

Sot, Presidenti Trump bëri përsëri thirrje që t’i jepet fund proceseve gjyqësore me të cilat përballen aktualisht emigrantët e paautorizuar që hyjnë në vend. Ai gjithashtu kritikoi idenë e punësimit të gjyqtarëve shtesë të imigracionit për të trajtuar rastet e shumta që e kanë mbingarkuar sistemin, edhe pse kjo është propozuar nga vetë republikanët e Kongresit.

“Punësimi i mijëra gjyqtarëve dhe kalimi nëpër një proces të gjatë dhe të ndërlikuar ligjor, nuk është rruga e duhur,” tha Trump. Njerëzit thjesht duhen ndalur në kufi dhe t’u thuhet se ata nuk mund të hyjnë në SHBA në mënyrë të paligjshme,” shkruante Presidenti në një koment në Twitter.

Ai bëri thirrje përsëri për ndërtimin e një muri me Meksikën. Kjo është e vetmja zgjidhje e vërtetë, - tha ai.

(Kosova Sot)