Trump ia jep një ultimatum Gjermanisë dhe Evropës

  • 11 July 2018 - 19:55
Trump ia jep një ultimatum Gjermanisë dhe Evropës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka tronditur pjesëmarrësit në një samit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), të mërkurën.

Ai iu ka dhënë një ultimatum aleatëve të Amerikës përtej Atlantikut që të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtjen për 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP) të vendeve të tyre.

Kjo shifër, e kërkuar nga Trump, përbën dyfishin e asaj që aleatët tashmë janë zotëruar ta realizojnë deri më 2024 – një zotim që në masë të madhe s’është realizuar dhe për të cilin presidenti amerikan i ka kritikuar aleatët në NATO.

Trump ka kërkuar që vendet e NATO’s jo vetëm të përmbushin obligimet e tyre për shpenzime në mbrojtje prej 2 për qind të GDP’së së tyre, por që ato të rrisin shpenzimet në katër për qind”, ka thënë zëdhënësja e tij, Sarah Sanders.

Pak pas një komunikate nga Shtëpia e Bardhë, Trump ka përsëritur kritikat e tij ndaj shpenzimeve për mbrojtje nga vendet e NATO’s, dhe ndaj furnizimit të Gjermanisë me gaz nga Rusia.

“Ç’duhet NATO’ja nëse Gjermania i paguan Rusisë miliarda dollarë për gaz dhe energji?”, ka shkruar i pari i Amerikës në llogarinë e tij në Twitter.

“Pse janë vetëm 5 nga 29 vende që i kanë përmbushur obligimet e tyre? SHBA’ja po paguan për mbrojtjen e Evropës, e më pas humb miliarda në tregti. Duhet të paguajnë 2 për qind të GDP’së MENJËHERË, jo deri më 2025”, ka deklaruar Trump.


 

 

(Kosova Sot)