Ky është i arrestuari për falsifikim të invalidëve të luftës

  • 13 July 2018 - 16:46
Ky është i arrestuari për falsifikim të invalidëve të luftës

Driton Gashi nga Podujeva është personi që me urdhër të Prokurorisë Themelore të Prishtinës është dërguar në mbajtje për falsifikim të statusit të veteranëve të UÇK-së.

Sipas Prokurorisë në  Prishtinë, Gashi që nga muaji tetor i vitit 2015 e deri në mars të këtij viti ka falsifikuar vendimet e invalidëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë i dyshuari si agjent i njërës prej kompanive të sigurimeve “ka falsifikuar vendimet e invalidëve të UÇK-së, dhe ka vënë në lajthim personat e autorizuar në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, për të vërtetuar një çështje të pavërtetë e paraparë të shërbej si provë për regjistrimin e automjetit”.

Gashi si personave të autorizuar të kësaj qendre ia ka prezantuar vendimin kinse personat kanë qenë invalid të Luftës së UÇK-së, edhe pse këta nuk e kanë pasur këtë status.

“Me këto veprime i pandehuri D.G. ka kryer veprën penale ‘legalizimi i përmbajtjes së rreme’ nga neni 403 paragrafi 1 të KPK-së. Prokurori i rastit ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.G. pasi që ekziston mundësia e rrezikut të ikjes, si dhe, rreziku i ndikimit tek të dëmtuarat dhe dëshmitarët”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.


(Kosova Sot)