Imazhi i Kosovës me pushtetarët e korruptuar ka rënë përtokë

  • 16 July 2018 - 07:46
Imazhi i Kosovës me pushtetarët e korruptuar ka rënë përtokë
Qarri: Tagrin më të lartë të pushtetarëve të dështuar e të korruptuar po e paguajnë shumë shtrenjtë qytetarët
"Kjo klasë politike e korruptuar nuk ka bërë asgjë për të pasur një imazh më pozitiv për vendin. Mungesa e imazhit pozitiv për vendin tonë ka ndikuar që Kosova të jetë vendi i vetëm pa liberalizim të vizave në rajonin e Ballkanit. Andaj deklarata e profesorit Robert Austin është shuplakë për Qeverinë e Kosovës, duke ia përplasur në fytyrë mashtrimet e saj për gjoja 'progres të Kosovës'. Gjithsesi qytetarët e Kosovës janë ata që e prekin çdo ditë me dorë realitetin, aty ku mjerimi ka mbuluar çdo gjë, sepse vepron një shtet i kapur nga krimi dhe grupet kriminale të lidhura me Qeverinë", thotë analisti Faton Mehmeti për gazetën "Kosova Sot" 

Analistët politikë konsiderojnë se për këto gati dy dekada të plota të Kosovës në izolim ndërkombëtar qytetarët e Kosovës janë duke paguar çmimin e klasës politike të inkriminuar dhe të pushtetarëve të korruptuar, sidomos duke mos i liberalizuar vizat. Një fakt të tillë po e përmendin në vazhdimësi edhe ekspertët ndërkombëtarë. Robert Austin, profesor në Qendrën për Studime Evropiane, Ruse dhe Euroaziatike, Universiteti i Torontos, thotë se imazhi i Qeverisë së Kosovës është negativ. Ai thotë se është një qeveri e kriminalizuar, një shtet i korruptuar që nuk është në gjendje të trajtojë çështje serioze të sundimit të ligjit. Ai po ashtu shton se çdo qeveri në Kosovë duhet të pranojë se marrëveshjet e kaluara, si ajo e Brukselit, ajo për fusnotën, e kanë nxjerrë atë si palë humbëse. Këto marrëveshje nuk kanë qenë të parapara me Planin e Ahtisarit, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës. Profesor Austini i këshillon kosovarët se duhen negociatorë më të mirë dhe se duhet të mendojnë për sovranitetin e Kosovës në afat më të gjatë dhe të ndalojnë të bëjnë marrëveshje që minojnë sovranitetin e vendit. Analistët politikë vendorë dhe qytetarët e anketuar theksojnë se qytetarët e zakonshëm padrejtësisht vuajnë rëndë për shkak se shtetin po e udhëheq nëntoka kriminale në bashkë koordinim me tërë klasën politike, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, dhe se me këtë klasë politike tërësisht të inkriminuar dhe me këta pushtetarë Kosova nuk mund të ecën para, pos të përjetojë degradim dhe turpërim para ndërkombëtarëve dhe popullit të vet. Vjedhësit e shtetit Sipas analistit Ali Hertica, është i qëlluar vlerësimi se qytetari i Kosovës çdoherë e ka paguar çmimin e të gjitha kastave politike të kriminalizuara, sepse këto kasta të inkriminuara në vazhdimësi u shndërruan në banda të hajdutëve ordinerë."Kemi të bëjmë me rrjete kriminale të njerëzve të korruptuar deri në majën e shtetit, ku e gjithë kjo tregon se sa kanë qenë këta patriotë apo liderë politikë, për ta nderuar qytetarin dhe shtetin. Është evidente se kjo kastë e politikës së matrapazëve dhe vjedhës së pasurisë së shtetit nuk janë për të drejtuar si duhet një shtet zhvillimor, kur dihet se Kosova është akoma në një geto për shkak të paaftësisë së politikës", theksoi analisti Hertica për "Kosova Sot".

Me shumë të drejtë e vlerëson adresimin kritik të prof. Robert Austin edhe politologu Arsim Haziri. "Vlerësimi i profesorit ndërkombëtar në relacion me qeveritë natyrisht se ka logjikë të drejtë dhe mbi të gjitha ka argumente të mjaftueshme. "Kosova në çdo aspekt ka shënuar regresivitet. Liberalizimi i vizave është proces i cili vjen si rezultat i arritjeve të rëndësishme shtetërore. Kosova në çdo rrafsh çalon, madje edhe në atë negociues, ku Kosova më shumë ka qenë temë sesa palë, ajo më shumë i ka ikur përfaqësimit të drejtë sesa që e ka bërë një gjë të tillë. Qytetarët tanë arrijnë t'i shijojnë disa nga produktet e brendshme dhe të jashtme vetëm nëse në drejtimin e proceseve vitale vjen një politikë më progresive, një politikë e cila organizimin e brendshëm e ka fokus qendror", theksoi analisti Arsim Haziri për "Kosova Sot".

Qytetarët, të zhgënjyer me kastën e papërgjegjshme dhe të korruptuar politike Konstatimet dhe vlerësimet kritike që vijnë për politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar të Kosovës, nga analistët politikë vendorë, por edhe ata ndërkombëtarë, cilësohen si shumë të bazuara edhe nga qytetarët e anketuar nga gazeta. Sipas tyre, është vetë populli që po e pëson nga të bëmat e qeveritarëve të korruptuar. Një gjë të tillë e pranon edhe qytetari Avdullah Saraçi."Është turp se çfarë politike po udhëhiqet në Kosovë. Politikanët tanë i kemi po kaq të papërgjegjshëm, sepse është në pikëpyetje mos funksionimi i ligjit dhe mostransparenca karshi shumë proceseve e standardeve që i kërkon nga ne BE-ja, por që personat përkatës, si persona eminentë që janë, të thirrur kinse për këtë çështje, nuk janë të gatshëm të ballafaqohen me ato kërkesa për arsye se ata ndër të parët do të dalin se janë njerëzit më të korruptuar. Politika që po udhëhiqet në Kosovë, por edhe në Shqipëri, në raport me BE-në, është e turpshme. Unë kam jetuar 9 vite në Perëndim dhe ka tash një kohë të gjatë që jam kthyer në Kosovë, por kjo është e turpshme se si po manipulohet, keqpërdoret dhe po abuzohet populli për interesat e një klani të ngushtë. Derisa në Shqipëri ka shpresa, pasi ka filluar VETTING-u, konsideroj se pa vonesë duhet të fillojë edhe te ne VETTING-u, sepse është një periudhë e tranzicionit prej komunizmit dhe prej pasluftës, ku shumë gjëra janë të mjegulluara", theksoi Avdullah Saraçi për "Kosova Sot". Mendim identik ndan edhe qytetari Hisen Bajgora. "Se situata është kaq e mbrapshtë dhe shteti kaq i kapur dhe i udhëhequr nga njerëzit jokompetentë këtë e dinë besoj edhe analfabetët që janë pa asnjë ditë shkollë, e të cilët kurrë nuk do të kishin besuar në të kaluarën që vjen kjo ditë që të hiqet armiku, serbi prej këtu dhe ta keqpërdorin e ta shfrytëzojnë shtetin dhe pasurinë, buxhetin e shtetit tonë, njerëzit tonë që kanë lindur e janë rritur në Kosovë dhe kinse kanë luftuar për këtë shtet të Kosovës. Dhe, po shihet ashiqare që kanë harruar se nuk ka asnjë vepër e zezë që mund të ekziston në botë që e ka bërë njeriu në njeri, e që nuk e ka bërë edhe serbi kundër neve shqiptarëve. Mirëpo, tani këta njerëz që janë në pushtet në pushtet po duan të hyjnë në pushtet vetëm për ta vjedhur Kosovën. Nuk është këtu aspak faji i Perëndimit, sepse Perëndimi do njerëz të kulturuar, të edukuar, njerëz që punojnë për vend dhe popull të vetin, kurse këta po punojnë vetëm për xhep të vetin. Unë kam punuar inspektor i financave mbi 30 vjet dhe e di gjendjen në Kosovë krejt qysh është e qysh ka qenë, kush janë dhe çka kanë këta, e çka kanë mundur të bëjnë. Hiq nuk po them më shumë, por vetëm një helikopter për ndihmën e shpejtë do të mund ta kishin bërë, blerë me pasurinë që ka secili prej tyre dhe po të duan tash mund ta bëjnë edhe Ramushi, Thaçi, Kadria e Fatmiri, e këtu krejt shteti nuk po mund ta bëjë një helikopter për të reaguar në ndihma të shpejta", është shprehur Hisen Bajgora për "Kosova Sot".

QARRI:SHKAKU I UDHËHEQJES SË INKRIMINUAR,QYTETARËT JANË VËNË TËRËSISHT NË "GETO"! Sipas analistit Gani Qarri, kriza e gjithanshme që tash e sa vite ka mbërthyer Kosovën vjen pikërisht si shkak i papërgjegjësisë totale të klasës aktuale politike, ndërsa tagrin më të lartë të udhëheqjes tërësisht të dështuar të pushtetarëve të korruptuar dhe të inkriminuar vendorë po e paguajnë shumë shtrenjtë qytetarët e pafajshëm të Kosovës. "Madje, ata shkaku i udhëheqjes së inkriminuar janë vënë tërësisht në "geto", izoluar nga bota dhe bllokuar në të gjitha anët, por nëse nuk bëhet shkarkimi dhe vënia para drejtësisë, ashtu siç kërkon BE, të mbi 42 pushtetarëve të lartë të korruptuar e inkriminuar deri në fyt, shihet qartë se, derisa të zgjatë kjo gjendje, as që do të ketë liberalizim të vizave për Kosovën. Robert Austin, profesor i njohur në Qendrën për Studime Evropiane, Ruse dhe Euroaziatike, në Universitetin e Torontos, thotë me të drejtë se imazhi i Qeverisë së Kosovës është tejet negativ, se ajo është një qeveri e kriminalizuar, e cila e ka kthyer vendin në një shtet të tillë të korruptuar, saqë nuk është në gjendje të trajtojë asnjë çështje serioze të sundimit të ligjit"! Pra, ngërçi i përgjithshëm në të cilin ka rënë Kosova po ndodh pikërisht për shkak të papërgjegjësisë së klasës politike kosovare e cila, po ashtu, sipas profesorit Robert Austin, në bisedimet me palën serbe, jo vetëm se ka bërë marrëveshje që nuk ishin të parapara me Planin e Ahtisarit, në bazë të të cilit është shpallur Pavarësia e Kosovës, por duhet ta pranojë se edhe marrëveshjet e kaluara në Bruksel dhe ajo për fusnotën e nxorën Kosovën palë humbëse", është shprehur Qarri për gazetën "Kosova Sot". Fatkeqësisht politikanët e shantazhuar, sipas tij, po tregohen aq të papërgjegjshëm në raport me interesat e vendit, saqë shtetndërtimit dhe kuptimit të demokracisë në Kosovë po i vjen fundi. "Ndaj, duke parë gjendjen në të cilën e ka sjellë kasta e dështuar politike vendin, profesor Austin këshillon shqiptarët për emërimin e negociatorëve më të mirë vendorë, të cilët duhet dhe dinë të mendojnë për sovranitetin e Kosovës në afat më të gjatë dhe parandalojnë marrëveshjet që minojnë sovranitetin e shtetit tonë", theksoi Qarri për "Kosova Sot".

ZEQA:ASNJË HAP SERIOZ NË LUFTIMIN E KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR! Sipas analistit politik Florim Zeqa, sado që pushtetarët e kanë gojën plot 'suksese' në rrugëtimin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike, Qendrat për Studime Evropiane, DASH-i dhe ato Euroaziatike, po ua thonë të kundërtën! "Përveç aspektit deklarativ, institucionet e shtetit nuk e kanë bërë asnjë hap serioz në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si kusht kryesor për liberalizimin e vizave. Edhe rastet e "rënda" siç po u thonë të shenjëzuara (39 sosh) për liberalizim, nuk janë raste që plotësojnë kriterin bazik për liberalizim. Për shkak se, në mesin e 39 rasteve të shenjëzuar nuk ndodhet asnjëri prej të ashtuquajturve "peshq të mëdhenj" të krimit të organizuar dhe korrupsionit endemik në vend. Arsyet pse nuk luftohen krimi i organizuar dhe korrupsioni janë sa të thjeshta, po aq të komplikuara. Arsye e thjeshtë është sepse askush nuk e lufton vetveten! Çështja është e komplikuar për faktin e kapjes së tmerrshme të sistemit të drejtësisë nga politika dhe nëntoka e saj kriminale. Ngase nuk ka prokuror që e merr guximin të ngre padi ndaj "BOSSËVE" të krimit të organizuar. Kur kësaj i shtohen edhe bashkërendimi i politikës me prokurorët dhe gjykatësit, policinë hetimore dhe avokatinë, atëherë situata komplikohet akoma më tepër", është shprehur analisti Florim Zeqa për gazetën "Kosova Sot". Sipas tij, profesori i Universitetit të Torontos e vlerëson me nota tejet negative punën e Qeverisë së Kosovës."Profesori Robert Austin me të drejtë e thotë se është një qeveri e kriminalizuar, një shtet i korruptuar që nuk është në gjendje të trajtojë çështje serioze të sundimit të ligjit", për të shtuar tutje se çdo qeveri në Kosovë duhet të pranojë se marrëveshjet e kaluara, si ajo e Brukselit, ajo për fusnotën, e kanë nxjerrë Kosovën palë humbëse në bisedime. Pasi asnjëra nga marrëveshjet e nënshkruara nga liderët e korruptuar kosovarë në Bruksel nuk kanë qenë të parapara me Planin e Ahtisarit, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës", theksoi Zeqa për "Kosova Sot". Sipas analistit Zeqa, jo vetëm profesori Austini, por edhe diplomatë e politikanë serioz ua kanë tërhequr vërejtjen negociatorëve kosovarë për rrezikun nga dialogu me Serbinë, siç ishte deklarata e Hillary Clintonit gjashtë vjet më parë në Prishtinë, në prag të fillimit të dialogut,... duke e quajtur "rrezik politik gatishmërinë e Thaçit për hyrje në dialog me Serbinë".

MEHMETI: NJË SHTET I KAPUR NGA KRIMI DHE GRUPET KRIMINALE Analisti politik Faton Mehmeti theksoi për "Kosova Sot" se e thonë të gjithë njerëzit më të rëndësishëm, në sferat e ndryshme të botës, se imazhi i Kosovës në sy të e botës nuk është pozitiv. "Kjo për shkak të klasës politike të korruptuar, e cila nuk ka bërë asgjë për të pasur një imazh më pozitiv për vendin. Mungesa e imazhit pozitiv për vendin tonë ka ndikuar që Kosova të jetë vendi i vetëm pa liberalizim të vizave. Andaj deklarata e profesorit Robert Austin është shuplakë për Qeverinë e Kosovës, duke ai përplasur në fytyrë mashtrimet e saja për gjoja "progres të Kosovës". Gjithsesi qytetarët e Kosovës janë ata që e prekin çdo ditë me dorë realitetin, aty ku mjerimi ka mbuluar çdo gjë, një shtet i kapur nga krimi dhe grupet kriminale të lidhura me qeverinë. S'ka asnjë dyshim se një deklarate e profesor Austinit përkon me realitetin, i cili realitet duhet të ndryshojë. Por, edhe faktori ndërkombëtar duhet hapur të bëjë thirrje që kjo qeveri të largohet nga pushteti, se pari duke ndalur çdo bashkëpunim me ta", është shprehur analisti Faton Mehmeti për gazetën "Kosova Sot". Ai shton se duhet një ndryshim radikal i gjendjes, e cila në dorën e qytetarit të Kosovës dhe syrin e një ndërkombëtari është e rëndë, e papërballueshme.

BADALLAJ:KOSOVA NUK E KA MERITUAR TË UDHËHIQET NGA BANDAT MAFIOZE TË KANALEVE TË NËNTOKËS KRIMINALE! Një konstatim të ngjashëm e ka edhe analisti Reshat Badallaj. Ai thotë se është shumë e vërtetë dhe ka shumë të drejtë kur profesori thotë se në Kosovë është një qeveri e korruptuar dhe e kriminalizuar."Dhe, se mjerisht me veprimet e kësaj bande banditësh po vuan populli i Kosovës. Kosova nuk e ka merituar dhe nuk e meriton të udhëhiqet nga bandat mafioze të kanaleve të nëntokës kriminale dhe se vërtet është kështu. Asnjë qeveri deri më sot që nga paslufta nuk e ka përfunduar mandatin deri në fund. Kosova është e kapur fuqishëm nga rrjeti i mafio-oligarkësh dhe që kanë punuar shumë vetëm për interesat e tyre personale, klanore mafioze dhe assesi për të mirën e qytetarëve dhe vendit. Këta banditë shkuar banditëve nuk kanë respektuar as Kushtetutën e vendit, nuk kanë respektuar as ligje, ky grup mafioz-kriminal e ka blerë shtetin dhe se kanë qenë mbi shtetin", theksoi Badallaj për "Kosova Sot". Sipas Badallajt, kjo gjendje është e tillë pasi që deri më tani pushteti është ndërtuar vetëm me vjedhje votash, sepse, sipas tij, asnjë qeveri nuk ka dalë me votën e lirë të popullit, por kanë dalë me manipulime, me vjedhje dhe blerje votash dhe me anë të pazareve të nëntokës kriminale. "Prandaj, Kosova po vuan me këtë bandë mafioze që po e udhëheq shtetin, pa meritueshëm, njerëz të paditur, që para lufte nuk e kishin as shkollën tetëvjeçare e tani janë bërë edhe prof. dr..., duke i blerë diplomat, por nuk mund ta blejnë fiqirin sepse në kokë janë bosh, prandaj me të tillët Kosova nuk ka mundësi të ecën përpara, është krejt e pamundur. Kosova është në momentin kritik kur duhet për t'u shkundur nga banda mafioze që nga majat e shtetit dhe bandave politike, duhet urgjentisht disa të shkojnë në theqafje e shumica e tyre duhet burgosur, sepse pa më të voglin dyshim këtu ka hajni që me hajni janë bërë supermilionerë, sepse me një rrogë nuk ka mundësi fare ta bësh atë pasuri. Kosova ka po ashtu edhe negociatorë shumë të dobët, prandaj popullin me shumë të drejtë e ka kapluar frika se këta do të shkelin sovranitetin e vendit", ka pohuar analisti Reshat Badallaj për gazetën "Kosova Sot".

(Kosova Sot)