Piramida korruptuese në drejtësi NUK I PREK BOSËT E KRIMIT

  • 16 July 2018 - 07:56
Piramida korruptuese në drejtësi NUK I PREK BOSËT E KRIMIT
Burjani: Nepotizmi, klanizimi e klani "Pronto" nuk lejojnë reformë në drejtësi

"Ashtu sikurse në Shqipëri, pa ndërhyrjen e SHBA-së nuk do të ketë në Kosovë as ndërtim të shtetit ligjor, as funksionim të ligjit dhe as integrim në BE. Krimi i organizuar dhe korrupsioni i përmasave të mëdha dhe në të gjitha institucionet, që kanë kapur Kosovën, janë penguesit dhe sabotatorët më të mëdhenj që sabotojnë ndërtimin dhe funksionimin e shtetit kosovar, pasi ata nuk munden dhe kurrë nuk duan ta luftojnë veten e tyre. Tashmë publiku, populli dhe votuesi kosovar, i kanë kuptuar të gjitha pazaret amorale, korrupsionin dhe të gjitha tradhtitë e pabesitë e politikës", thotë analisti Skënder Kapiti për gazetën "Kosova Sot"

Stepja e sistemit të drejtësisë në vend përballë krimit dhe korrupsionit tashmë është evidente dhe e qartë edhe për faktorët ndërkombëtarë, të cilat kanë bërë dhe po bëjnë shumë për shtetndërtimin e Kosovës,thonë analistët. Në çdo takim që organizohet në vend, qoftë nga vendorët apo ndërkombëtarët, e që ka në fokus luftimin e krimit dhe korrupsionit, përfaqësuesit e vendeve mike thërrasin autoritetet që të jenë të pakompromis me krimin dhe korrupsion. Megjithatë, asnjë BOSS i nivelit të lartë, qoftë nga politika apo nga mafio-oligarkia kriminale, nuk është arrestuar e lëre më të dalë para drejtësisë e të dënohet nga strukturat aktuale të sistemit të drejtësisë.

Sipas analistëve, kjo situatë po e vë në pikëpyetje jo vetën funksionimin e drejtësisë, por edhe të gjitha hallkave të shtetit, duke dhënë porosinë se vetëm të 'kamurit' janë ata që nuk e çajnë kokën për drejtësinë dhe shtetin, prandaj edhe janë të paprekur. Analisti Hidajet Ahmeti, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se piramida kriminale e ndërtuar për më shumë se një dekadë ka funksionalizuar falë hierarkisë institucionale, e cila është instrumentalizuar nga politika. Politika e saktësisht pushtet e pasluftës, shton ai, kanë instrumentalizuar çdo institucion publik të pavarur, duke transformuar në shërbim klientelës, nepotizmit e klientelizmit. "Kjo logjikë e instrumentalizimit politik përmes pushteteve të pasluftës ka prodhuar një gjendje të rëndë socio-ekonomike, e mbi të gjitha një anarki totale në institucionet publike. Nga ky kaos i funksionimit të institucioneve publike është prodhuar një realitet i pajetueshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës, i cili realitet çdo ditë e më shumë po e ngufat jetën institucionale, ekonomike e sociale. Prandaj, pushteti me çdo kusht, duke zgjedhur metoda, korrespondon me lirinë dhe vazhdimin e rrugës së krimit, kurse humbja e pushtetit për ta korrespondon me humbjen e lirisë, pasurisë paligjshme dhe përfundimin e rrugës së krimit", theksoi analisti Ahmeti. Sipas tij, sistemi i drejtësisë në vend se të jetë objekt i luftimit të krimit, korrupsionit e kontrabandës, është bërë vatër e keqpërdorimeve më të mëdha në vend."Sistemi i drejtësisë në Kosovë është ndërtuar brenda skemës piramidale të krimit e korrupsionit, duke instaluar njerëz të tyre përmes politikës së mbrapshtë, e duke përdoruar ata për qëllime të ngushta personale, politike e klienteliste", ka thënë Ahmeti.

Vetëm me presion ndërkombëtar bëhet Vetting-u Njohësi i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, thotë për "Kosova Sot" se është më së e qartë se askush në Kosovë deri më tash nga njerëz keqbërës nuk është dënuar me aktgjykim të formës së prerë."Të gjithë fshihen pas politikës, gjoja se merren me politikë e realiteti është tjetër, është zhvatja e buxhetit, plaçkitja e pasurive publike e gjithçka tjetër. Nepotizmi, klanizimi, klani 'Pronto' dhe kjo qeverisje problematike nuk ka gjasa të lejojë reformë në drejtësi", ka thënë Burjani, duke shtuar se gjasat për rend e ligj nuk ekzistojnë fare.

 Drejtësia selektive dhe e dirigjuar nga politika ka krijuar një gjendje anarkie,e cila çdo ditë më shumë po e ngulfat jetën institucionale,politike e sociale.Vazhdimi i degradimit të sistemit të drejtësisë dhe veprimi i tyre brenda skemës piramidale të krimit e korrupsionit,e jo brenda mandatit kushtetues e ligjor po e shkatërron Kosovën.Ndryshimi i qasjes dhe funksionimit të sistemit të drejtësisë është një proces i obligueshëm për institucionet e Kosovës",ka potencuar për gazetën "Kosova Sot" analisti Hidajet Ahmeti 


MIFTARI:GJYQTARËT DHE PROKURORËT JANË SERVILË TË PARTIVE POLITIKE, E SIDOMOS SERVILË DHE SEKSERË TË PARASISTEMEVE POLITIKE!
Analisti Naim Miftari ka potencuar për "Kosova Sot" se problemi i dështimit të drejtësisë në Kosovë, para bosëve të krimit të organizuar, ka edhe elementët e vetë ndihmës. Sipas tij, së pari në 1999 Kosova ka dalë nga një luftë e përgjakshme nga një shoqëri e dalë nga pushtimi, ku pastaj erdhi UNMIK-u, i cili dështoi komplet në ndërtimin e një themeli të pastër juridik në Kosovë, duke shtuar se si masë lehtësuese e mafisë, pastaj u bënë prokurorët dhe gjyqtarët vendorë që i instaloi UNMIK-u, të cilët i kishin shërbyer regjimit të të Milosheviqit e të Titos. "Dhe këta prokurorë ishkomunistë u lidhën me krimin e organizuar të dalë nga lufta, sidomos partinë e PDK, por ishin të lidhur ngushtë edhe me LDK-në e pasluftës. Duhet cekur se qasje të fortë dhe shumë prezentë të këta ish-prokurorë të ish shtetit serb kishte qasje edhe sigurimi armiqësor serb", ka potencuar ai, duke shtuar se pas UNMIK-ut u instalua edhe misioni i sundimit ligji i bashkimit Evropian, por fatkeqësisht edhe ky mision dështoi duke rënë pre e korrupsionit."Gjyqtarët dhe prokurorët së pari duhej të ishin servilë të partive politike e sidomos servilë dhe sekserë të parasistemeve politike, ku prapë sidomos PDK-ja dhe deri diku edhe LDK-ja, por edhe me AAK-në kishin qasje direkte në organet e drejtësisë, të cilët kishin mbushur organet e drejtësisë me militantë, servilë, e pakurrizorë, të cilët mbrojnë interesin e para sistemeve politike e që janë vetë dora e mafisë", ka pohuar analisti Miftari në një prononcim për "Kosova Sot". 

KAPITI: POLITIKANËT NË KOSOVË, PËR NGA MATRAPAZLLËKU DHE HIPOKRIZIA DHE POLITIKA, UA KANË KALUAR EDHE ATYRE TË SHQIPËRISË!
Kurse analisti Skënder Kapiti ka thënë për "Kosova Sot" se drejtësia kosovare, ashtu si dhe ajo në Shqipëri, tashmë është bërë jo vetëm problem kombëtar, por edhe ndërkombëtar, sidomos në Evropë, ku pretendojnë të shkojnë shqiptarët."Këtë orientim euroatlantik të shqiptarëve e mbështesin edhe SHBA-të, aleati më i madh strategjik i shqiptarëve. Duke parë se ngritja dhe funksionimi i shtetit ligjor dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ishin kushtet kryesore të BE-së për Shqipërinë, për integrimin e saj në BE, në funksion të realizimit të këtyre standardeve, SHBA-ja ndërhyn fuqishëm dhe me forcë demokratike e detyruan politikën dhe drejtësinë e kriminalizuar dhe të korruptuar në Shqipëri që të miratojë nën presion të SHBA-së dhe të BE-së Ligjin e VETTING-ut", ka pohuar Kapiti. Ai shtoi se jo vetëm shoqëria dhe populli shqiptar, por edhe faktori demokratik perëndimor e di shumë mirë realitetin katastrofik të gjendjes së ligjit dhe të drejtësisë edhe në Kosovë. "Ashtu sikurse edhe në Shqipëri, pa ndërhyrjen e SHBA-ve nuk do të ketë në Kosovë as ndërtim të shtetit ligjor, as funksionim të ligjit dhe as integrim në BE. Krimi i organizuar dhe korrupsioni gjithëpërmasor dhe gjithinstitucional që kanë kapur Kosovën janë penguesit dhe sabotatorët më të mëdhenj që sabotojnë ndërtimin dhe funksionimin e shtetit kosovar, pasi ata nuk mundet dhe kurrë nuk duan ta luftojnë veten e tyre. Tashmë publiku, populli dhe votuesi kosovar i ka kuptuar të gjitha pazaret amorale, korrupsionin dhe të gjitha tradhtitë e pabesitë e politikës e të politikanëve të vet, të cilët e kanë organizimin e mirë dhe konsensusin e pashpallur ndër vete për krimin, korrupsionin dhe hajduterinë. Politikanët në Kosovë për nga matrapazllëku dhe hipokrizia dhe politika ua kanë kaluar edhe atyre të Shqipërisë", ka thënë Kapiti për "Kosova Sot". Ai ka shtuar se edhe opozitarët paraqiten ndryshe kur janë në opozitë, por kur hyjnë në pushtet bëjnë vetëm ndërrimin dhe zëvendësimin e korrupsionit, të papërgjegjshmërisë dhe të hajdutërisë. "Politikat që alternohen në pushtet gjithashtu vetëm sa ndërrojnë edhe pronësinë e gjyqësorit, ku gjyqtarët e prokurorët tashmë bëhen shërbëtorë të politikës së 're' të pushtetarëve të 'rinj', të cilët kanë dhe vazhdojnë avazin e vjetër, atë të paraardhësve të tyre dhe në koordinim mes vetes së tyre. Dhe kjo është arsyeja se përse e gjithë politika dhe politikanët në Kosovë nuk e duan një ligj VETTING si ai në Shqipëri, sepse një ligj i tillë do ta dekriminalizonte si politikën ashtu edhe drejtësinë politike të sistemit pseudodemokratik, i cili keqfunksionon në Kosovë", ka pohuar analisti Skënder Kapiti për gazetën "Kosova Sot".

(Kosova Sot)