Zonat ekonomike, karrem për të mashtruar qytetarët

  • 16 July 2018 - 08:02
Zonat ekonomike, karrem për të mashtruar qytetarët
Guraziu: Enklava të interesave të parcializuara politike

Në mungesë të një programi të qëndrueshëm zhvillimor të vendit, partitë politike që po vijnë në pushtet, për të joshur dhe mashtruar qytetarët e zonave ku ato pretendojnë se e kanë shumicën, kanë filluar të shpikin të ashtuquajturin projekt të krijimit të zonave të lira ekonomike, i cili në kushte normale dhe mirë të planifikuara e analizuara do të ishte një segment i rëndësishëm i zhvillimit të ekonomisë, por, sipas ekspertëve të kësaj fushe, në këtë mentalitet qeverisës të Kosovës, kjo politikë zhvillimore po degradon duke u shndërruar në projekt jofunksional politik për vota. Ky konstatim del nga fakti se tanimë pothuajse në çdo komunë të Kosovës po tentohet të krijohen zona të tilla e që sipas ekspertëve të fushës së ekonomisë këto projekte po bëhen gati krejtësisht jofunksionale dhe të panevojshme kur dihet fuqia e tregut ekzistues të Kosovës. Madje, sipas ekspertëve të ekonomisë, për sipërfaqen e territorit të Kosovës dhe numrin e banorëve, maksimumi i zonave të lira ekonomike, të cilat do të kishim efekt pozitiv nuk do të duhej të kalonte tre deri në katër zona, edhe pse realisht Kosova ka mundësi të funksionojë edhe me vetëm një zonë të vetme të lirë ekonomike, të studiuar dhe të analizuar mirë, pasi që dihet mirëfilli se zona e lirë ekonomike konsiderohet një territor që ka një status të veçantë ekonomik dhe zhvillimor.

Artan Haziri: Nga privatizimi nuk lindën degë të reja të biznesit
Eksperti i çështjeve ekonomike, Artan Haziri, thotë për "Kosova Sot" se një qasje e tillë nuk është aspak serioze dhe nuk i kontribuon qasjes së qëndrueshme për zhvillim ekonomik të vendit, për më shumë është një lojë mashtrimi i pushtetarëve të të dyja niveleve, ngase shumica nga këto zona ekonomike janë themeluar pa ndonjë analizë ekonomike në raport me tregun vendor e ndërkombëtar, në raport me investimet e jashtme dhe në raport me liberalizimin tregtar në përgjithësi politike të lëvizjes së lirë të mallrave dhe të shërbimeve. "Pushtetarët e nivelit qendror dhe kryetarët e komunave po tallen me popullin për shumë probleme tjera, por edhe me zonat ekonomike. Populli është i dëshpëruar si me këta të nivelit qendror dhe ata të nivelit lokal. Qeveria po mundohet të mashtrojë popullin se gjoja me këto zona do të kenë përfitime, ajo pjesë e popullit afër zonave ekonomike. Por, tani shtrohet pyetja pse nuk po kanë fitim, nuk po kanë zhvillim ato zona që janë shpallur zona ekonomike? Për këtë ka arsye të shumta ekonomike dhe sociale, pse këto zona po dështojnë. Ajo që më së shumti u mungon këtyre zonave është mungesa e analizave dhe strategjive afatgjate se këto zona janë apo jo në interes të asaj pjese të popullit dhe të asaj strukture ekonomike. Duhet shikuar ajo komunë sa e ka popullsinë, sa merret me biznese dhe me cilin lloj të bizneseve që dominojnë aty, sa ka qasje me vendet që na rrethojnë, a ka ajo komunë ndonjë përparësi specifike, a është e frekuentuar nga kryeqyteti, a kanë traditë të të bërit biznes, etj., etj.", është shprehur për gazetën "Kosova Sot"

Haziri. Sipas tij, edhe nëse krijohet infrastruktura, duhet shteti me politika fiskale t'i përkrahë këto zona e jo vetëm t'i hapë sa për numra dhe fushatë. "Politikat fiskale deri tani ishin shpeshherë edhe pengesë për zhvillimin ekonomik, ndërsa shumë herë shtetet e tjera i morën investitorët tanë potencialë. Pra, nuk po shikohet asnjë element, i cili është element garantues afatgjatë, e i cili i sjell popullit të ardhme më të mirë e të qëndrueshme zhvillimore, gjenerim edhe të vendeve të reja të punës. Shikohet vetëm aspekti afatshkurtër, shikohet mashtrimi i popullit vetëm për zgjedhjet e ardhshme, e asgjë më shumë. Prandaj edhe me të drejtë shumëkush po e shtron pyetjen se deri kur ky popull do të vuajë në këtë mënyrë. Mendoj që absolutisht Kosova nuk ka nevojë për shume zona, ajo mund të jetë vetëm një zonë, por të punohet me një strategji ku secili e kryen detyrën e vet. Ka shumë shtete që janë të interesuara për të hapur zona të tyre në shtetin tonë, por qeveria duhet të shohë edhe interesin tonë, se asnjëherë nuk po shikojmë me vendime nga të cilat fiton populli, por vetëm një grupim i caktuar", është shprehur ai. Tutje ka shtuar se edhe pse Kosova i ka deri tash disa zona, prapë mbetemi vendi më i pazhvilluar i rajonit. Zonat, sipas interesave dhe tekeve politike Edhe profesori universitar, Muhamet Kelmendi, thotë për "Kosova Sot" se për dallim nga shtetet me traditë ekonomike dhe të zhvilluara, që përfitojnë shumë nga zonat e lira ekonomike, në Kosovë ato po bëhen sipas tekeve dhe interesave politike, andaj dhe nuk po japin rezultatet si ato të modelit të shteteve tjera."Ndërtimi në vendin tonë nuk ka kritere. Kudo gjen subjekte të ndryshme ekonomike që fare aty apo këtu nuk e kanë vendin. Nëpër vendbanime, në tokat e bukës dhe buzë rrugëve. Ky projekt ndërtimor është shkatërrimtar dhe shumë i dëmshëm. Në njërën anë, është i dëmshëm sepse vetëm i pengon banorët në jetë dhe në anën tjetër e shkatërron ambientin dhe tokën bujqësore. Me këtë logjikë të moskujdesit ndaj tokës, pa një plan të mirëfilltë hapësinor dhe me përkujdesje të tokës bujqësore, kemi deri me 50 mijë hektarë tokë bujqësore që në Kosovë po degradohet e po dëmtohet, humbet për çdo vit. Ndërsa, çështja se a duhet në çdo qytet të ketë zonë ekonomike. Mendoj se është pozitive vetëm nëse ndalohen tërësisht ndërtimet pa leje dhe të paplanifikuara pa vend e pa vlerësim. Po, kjo nuk po ndodh te ne. Duke vepruar kështu po dalin e po ngrihen gjithandej këto "zona" që kanë vetëm karakter politik. Ato po shërbejnë vetëm për reklamime dhe për përfitime të grupeve të caktuara të interesit, nuk kemi ndonjë përfitim tjetër.

Pa plan zhvillimor të tërë vendit, të komunave etj., pa plan të detajuar të zhvillimit hapësinor e industrial, nuk ka mundësi të kemi zona të lira ekonomike funksionale dhe profitabile, qoftë për gjenerim të vendeve të reja të punës, qoftë edhe për aspektet e tjera zhvillimore", theksoi prof. Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot". Shembuj negativë të krijimit të këtyre zonave ekonomike përmend edhe njohësi tjetër i fushës së ekonomisë, Mustafë Kadriaj."Që nga paslufta, qytetarët janë tallur, nënçmuar dhe mashtruar me premtimet astronomike e me keqqeverisjen. Termi zonë ekonomike është një karrem i mirë për të mashtruar dhe për t'ia marrë besimin qytetarit, kështu që liderët politikë edhe në zgjedhjet e ardhshme do të bombardojnë me premtimet për zonat ekonomike dhe për punësimet astronomike që do të punësohen në ato zona. Pra, këto zona do të jenë zona të liderëve, pra në Mitrovicë zona ekonomike e Pacollit ose e Bahtirit, parku në Drenas, parku i PDK-së, në Malishevë zona ekonomike LIMAJ dhe në Gjakovë zona ekonomike HARADINAJ, kështu që këto zona do të ndërtohen në emër të qytetarëve dhe të punësimit, por vjelja e interesit do të ndodhë pikërisht nga këta liderë. Po të kthehemi në retrospektivën e fushatave dhe mospunën dhe keq qeverisjen e tyre do të shohë qytetari talljen, nënçmimin dhe mashtrimin që i është bërë me premtime për liberalizim të vizave, me shifra të punësimit, me rritje dhe zhvillim ekonomik, duke krahasuar Kosovën me vendet më të zhvilluara. Në fakt Kosova ka potencial për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik duke i marrë për bazë resurset ekonomike, si ato nëntokësore dhe mbi tokësore, por më këtë elitë politike dhe me këtë nivel të lart të korrupsionit ekonomik investitorët e huaj ende nuk e shohin Kosovën si një vend për investime", theksoi Kadriaj për "Kosova Sot". Kosova nuk mori asnjë infuzion të shëndetshëm zhvillimor .

Edhe sipas Dardan Grapcit, përkundër numrit të madh të Zonave të lira ekonomike që po dalin si kërpudhat pas shiut, duke u shtrirë në çdo komunë, Kosova nuk mori asnjë infuzion të shëndetshëm zhvillimor."Pushtetarët e nivelit qendror me kryetarët e komunave e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje që është. Të ashtuquajturat ZONA EKONOMIKE, të cilat janë krijuar kinse për ta ndihmuar në njëfarë mënyre popullin, deri diku kanë pasur sukses, por vetëm nëse je partiak i atyre partive të cilat janë në pushtet komunal. Pra, zona ekonomike pa prapavijë politike është dashur të krijohet gradualisht, apo siç është ajo thënia 'ndrysho hap pas hapi e jo duke u ngutur turr e vrap e për interesa të caktuara'. Mendoj që nga komunat e Kosovës së pari është dashur të analizohen qyteti, problemi financiar dhe i punësimit, ku në fund të dilnin edhe me një përfundim se nëse krijohet kjo apo ajo ZONË EKONOMIKE në komunat përkatëse do ta kishin ditur deri diku a do të kishte pasur sukses apo jo, por jo kështu kuturu e me eufori garuese, duke kopjuar njëri-tjetrin, që fundi të vijë pa efekt zhvillimor", është shprehur ai. Sipas Grapcit, kështu si po veprohet, edhe pse këto ZONA EKONOMIKE janë krijuar, Kosova është dhe do të mbetet një ndër shtetet e rajonit me ekonominë më të dobët dhe pa efekte pozitive financiare.

"Këto zona të lira ekonomike do të jenë zona të liderëve. Pra, në Mitrovicë zona ekonomike e Pacollit ose e Bahtirit. Parku në Drenas, parku i PDK-së, në Malishevë zona ekonomike LIMAJ dhe në Gjakovë zona ekonomike HARADINAJ. Kështu që këto zona do të ndërtohen në emër të qytetarëve dhe të punësimit, por vjelja e interesit do të ndodhë pikërisht nga këta liderë. Po të kthehemi në retrospektivën e fushatave dhe mospunën dhe keqqeverisjen e tyre, do të shohë qytetari talljen, nënçmimin dhe mashtrimin që i është bërë me premtime", është shprehur për gazetën "Kosova Sot" eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj.


Të gabuar e sheh këtë qasje edhe analisti Bislim Aliu. "Me të vërtetë pushtetarët në nivel qendror, bashkë me kryetarët e komunave, po tallen duke krijuar pothuajse në çdo komunë të Kosovës të ashtuquajtura ZONA EKONOMIKE, të cilat mund të jenë çdo gjë tjetër, përveç zona ekonomike në kuptimin e plotë të fjalës. Mendoj se nuk janë të nevojshme zonat ekonomike pothuajse në çdo komunë të Kosovës! Dhe, shih edhe absurditetin e madh, meqë të gjitha këto të ashtuquajtura zona ekonomike janë themeluar pa ndonjë analizë ekonomike, në raport me tregun ndërkombëtar, në raport me investimet e jashtme dhe në raport me liberalizimin tregtar. Ndaj, pavarësisht krijimit të këtyre zonave të lira ekonomike, Kosova gjithnjë vazhdon të mbetet një nga ekonomitë më të pazhvilluara në rajon", theksoi Aliu për "Kosova Sot".

Një projekt për tallje me qytetarë konsiderohen zonat e lira ekonomike edhe për analistin Ragip Guraziu."Është e vërtetë e pamohueshme që pushtetarët po tallen me qytetarin, edhe ata në nivelin qendror, por edhe ata në nivelin lokal, pra bashkë me kryetarët e komunave, duke bërë fushatë për vota me të ashtuquajturat zonat ekonomike të tyre. Si është e mundur të themelohen të ashtuquajturat zona ekonomike në çdo qytet, që i bie në çdo komunë", është shprehur ai. 

(Kosova Sot)