Korriku i kobshëm për kosovarët

  • 16 July 2018 - 10:23
Korriku i kobshëm për kosovarët

Shtatë persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku vetëm në dy javët e para të këtij muaji. Ndërsa që nga janari deri më tani në Kosovë në aksidente trafiku kanë gjetur vdekjen rreth 60 persona e mbi pesë mijë të tjerë janë lënduar. 

Gjatë kësaj periudhe kohore Policia e Kosovës ka shpërndarë afër 190 mijë tiketa, ekspertët e sigurisë kanë konsideruar se duhet të merren masa të tjera për parandalimin e “vrasjeve në komunikacion”, shkruan sot Gazeta "Zëri"

D. F., 43 vjeç nga Ferizaj, ditën e djeshme ka humbur jetën në një aksident komunikacioni në afërsi të udhëkryqit të magjistrales Ferizaj - Gjilan, duke u bërë kështu edhe viktima e shtatë që vetëm në muajin korrik ka gjetur vdekjen në komunikacion.

Ky muaj ka qenë fatal edhe për pesë anëtarë të një familjeje me banim në Zvicër, të cilët më 8 korrik aksidentalisht u përplasën me një autobus në rrugën Duhël - Suharekë. 

Po atë ditë viktimë trafiku ishte edhe një këmbësore femër në Shtime.    

                                       
Sipas statistikave që Policia e Kosovës ia ka dërguar “Zërit”, që nga janari deri në qershor të këtij viti 52 persona kanë humbur jetën në aksidente komunikacioni, ndërsa 5.629 janë lënduar. 

Po ashtu vetëm gjatë kësaj periudhe kohore Policia e Kosovës ka shqiptuar 184.801 gjoba. 

Por pavarësisht rritjes së gjobave për kundërvajtësit në trafik numri i aksidenteve vazhdon të jetë i madh. 

Kështu së paku ka thënë eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi   për  gazetën “Zëri”. 
Sipas tij, duhet të studiohen statistikat e aksidenteve dhe pastaj të shihet se çfarë masash duhet të ndërmerren për parandalimin e tyre


(Kosova Sot)