Gashi: Mbështetja e shtetit gjerman, jetike për Kosovën

  • 17 July 2018 - 23:08
Gashi: Mbështetja e shtetit gjerman, jetike për Kosovën

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim Kestrin Zielosko-Labonte, zyrtare e lartë në Ministrinë për Kulturë dhe Sport të Republikës së Baden-Württembergut të Gjermanisë, njëherësh edhe koordinatore e projekteve për fushën e arsimit Gjermani-Kosovë e zëvendëspresidentit evropian, Reiner Welan.

Ministri Gashi falënderoi zyrtaren dhe përmes saj, qeverinë gjermane, për mbështetjen e vazhdueshme që qeveria dhe populli gjerman kanë dhënë dhe po japin për shtetin e Kosovës në të gjitha fazat shtetndërtuese.

Ndër të tjera ministri Gashi e njoftoi zyrtaren gjermane për punët dhe angazhimet e tij në fushën e zhvillimit të kulturës, si dhe hapat që janë ndërmarrë nga ana e MKRS-së, për realizimin e shumë projekteve kapitale, me theks të veçantë për ndërtimin e ndërtesës së Operës dhe Baletit si një nevojë e kahmotshme e komunitetit artistik në Republikën e Kosovës.

Ministri Gashi shprehu gatishmërinë e tij që të intensifikohen marrëdhëniet me dikastere të veçanta brenda Bundestagut Gjerman në rrafshin kulturor dhe në fushën e trashëgimisë kulturore.

Zyrtarja gjermane falënderoi ministrin Gashi për pritjen, duke vlerësuar lartë të arriturat që ka shënuar Republika e Kosovës në fushën e kulturës, veçanërisht në arritjen e nënshkrimit të marrëveshjes në programin “Evropa Kreative”.

Ajo u shpreh se bashkëpunimi bilateral do të intensifikohet.


 

 

(Kosova Sot)