Nëse kërcënohesh pas mbarimit të lidhjes, policia do të marrë në mbrojtje

  • 18 July 2018 - 00:09
Nëse kërcënohesh pas mbarimit të lidhjes, policia do të marrë në mbrojtje

Policia e Shtetit do të marrë në mbrojtje të gjithë personat që në përfundim të një lidhjeje intime, dhunohen apo kërcënohen me jetë nga ish-të dashurit e tyre.

Komisioni i Ligjeve ka miratuar ndryshimet në ligjin “Për masat kundër dhunës në marrëdhëniet familjare”, duke përfshirë si një kategori të veçantë që gëzon mbrojtje, edhe personat të cilët janë ose kanë qenë në lidhje intime në çift jo domosdoshmërisht të shoqëruar me bashkëjetesë

Ndryshimet ligjore, sipas deputetes së PS-së, Vasilika Hysi, erdhën si një domosdoshmëri pas dy ngjarjeve të rënda që ndodhën në kryeqytet brenda 1 viti. Gjatë fjalës së saj në Komisionin e Ligjeve, Hysi iu referua rastit të vrasjes në zonën e “Don Boskos” së Xhuljeta Çunit nga ish-i dashuri i saj, Xhafer Mata, dhe vrasjes së ndodhur përpara Fakultetit të Mjekësisë, ku dy të rinj sërish patën një fund tragjik pas një historie të mëparshme që kishin pasur.

Propozimi i ardhur nga Prokuroria e Përgjithshme dhe profesorët e Shkollës së Magjistraturës u pranua nga deputetët, të cilët vendosën të shtojnë një kategori të re në rrethin e familjes, duke u dhënë mundësi denoncuesve të marrin urdhrin e mbrojtjes kur janë të kërcënuar për jetën. Sipas ndryshimeve ligjore, urdhërmbrojtje në rast të dhunës apo kërcënimeve me jetë do të marrin edhe ata bashkëshortë, të cilët dhunohen apo kërcënohen nga kunetërit apo kunatat e tyre.

DEBATI I PLOTË NË KOMISION

Vasilika Hysi: Me propozim të ekspertëve të Shkollës së Magjistraturës dhe të Prokurorisë së Përgjithshme, kemi qartësuar linjën se kush do të quhet pjesëtar i familjes. Ka pasur një debat lidhur me mundësinë e mbrojtjes së personave që nuk janë bashkëjetues, që nuk janë partnerë të lidhur me kurorë, por që janë thjesht të dashur. Këta persona duhen mbrojtur patjetër, siç është rasti i vajzës që u vra në rrugën “Don Bosko” ose e studentes që u vra pranë dyerve të Fakultetit të Mjekësisë, të cilët nuk janë as bashkëjetues, as partnerë, por kanë pasur një lidhje intime në çift.

Propozimi i sjellë nga qeveria është lidhje afektive, por rrjeti i shoqatave për parandalimin e dhunës dhe Prokuroria e Përgjithshme ka ngritur një shqetësim që në praktikë koncepti “afektiv” krijon probleme. Propozimi ynë është që të jenë “personat, të cilët janë ose kanë qenë në lidhje intime në çift, jo domosdoshmërisht të shoqëruar me bashkëjetesë, gëzojnë të njëjtën mbrojtje”.

Pra, me këtë këtë kategori mbrojmë nga dhuna edhe kategorinë e personave, të cilët mund të kenë një afeksion ndaj njëri-tjetrit. Një tjetër ndryshim në këtë ligj është edhe rregullimi që i kemi bërë përcaktimeve për parandalimin e dhunës së vëllezërve dhe motrave të bashkëshortit/ bashkëshortes ose kunetërit dhe kunatat që ne quajmë. Ligji deri më sot nuk e parashikonte, por në shumë pjesë të territorit, në disa familje ku jetojnë veç familjes bërthamë edhe vëllezër dhe motra, dhuna mes kunetërve mund të ekzistojë.

Ulsi Manja: Jeni dakord me propozimin që të përfshihen edhe personat në lidhje intime si “pjesëtarë të familjes”?

Vasilika Hysi: Dakord.

Ulsi Manja: Edhe pse e keni zgjeruar goxha konceptin se kush do të quhen pjesëtarë të familjes? Unë nuk e di se si ka qenë dakord Policia e Shtetit me këtë, sepse kjo çështje duhet të verifikohet rast pas rasti. Sepse i bie që 10.000 forca policie, me të marrë një urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje, t’i japë mbrojtje çdo njeriu që është në një lidhje intime apo afektive, që nuk e di se si do të vërtetohet. Zonja Hysi thotë që do të bëhet me vetëdeklarim, por nuk e di se si do të verifikohet. Absolutisht është shqetësim. Rasti i “Don Boskos” është shqetësim, edhe ai i studentes po ashtu. Problemi është të bëjmë një ligj dhe t’i japim një koncept të zbatueshëm në praktikë, sepse do të krijojmë probleme shumë të mëdha për Policinë e Shtetit.

Rovena Voda(Zv.ministre e Brendshme): Ka pasur diskutime për këtë në tryezat që kemi bërë. Biem dakord që puna e Policisë së Shtetit është shumë voluminoze, por kjo ka ardhur pas analizës që u kemi bërë rasteve që kanë ndodhur. Sepse ndodh që gishti bie te Policia e Shtetit sa herë që ndodh një rast. Sigurisht që do të jetë barrë. Por duke analizuar rastet që kanë ndodhur në praktikë, me këtë ligj ne do përpiqemi t’i vëmë një barrierë për të mos pasur të tilla raste. Do mundohemi ta menaxhojmë situatën.

Alket Hyseni: Duhet të jemi të kujdesshëm. Kërkoj që çdo term të ri që të shtojmë, të ketë definicion të qartë. Vetëm në këtë mënyrë e ndihmojmë praktikën. Se po të merremi me rast pas rasti, ne e çojmë në pamundësi zbatimin. Rastit që po diskutojmë për të futur konceptin “lidhje në çift”, duhet t’i japim një definicion.

Vasilika Hysi: Po për atë punë jemi ne këtu.

Alket Hyseni: Po pra, po t’i japim definicion. Sepse një polic në Kurbin thotë për mua “lidhje intime” është edhe po t’i shkelësh syrin në rrugë dikujt edhe kaq, ndërsa një tjetër do të kërkojë konsumin e intimitetit. Prandaj, si term është shumë evaziv dhe në praktikë do të sjelli probleme. Ndaj, ose ta definojmë, ose hajde të gjejmë një term tjetër.

Ulsi Manja: Jam dakord që duhet të kemi një definicion të qartë për termin që do të përdoret.

Vasilika Hysi: Kjo në fakt ka qenë një nga pikat që kemi diskutuar më shumë. Por nuk ka një përcaktim të qartë. Ne iu referuam raportit shpjegues të Konventës së Stambollit, ku thuhet se shtetet kanë detyrimin të rregullojnë edhe rastet kur dikush përndiqet si një simpati apo diçka tjetër. Rasti i dy studenteve që kishin vajtur në Polici, kishin kërkuar urdhër mbrojtjeje dhe Policia me të drejtë i kishte thënë që nuk jeni subjekt i ligjit, na krijon nevojën për të krijuar një kategori njerëzish për këta njerëz pa mbrojtje. Propozimi ishte për t’u quajtur “lidhje afektive”, pasi nuk ka përcaktime as në Kodin e Familjes. Konventa i mbron, por në shqip nuk ia gjejmë dot fjalën.


(Kosova Sot)