Kelmendi: Kosova e ka humbur shansin për ta bërë ushtrinë e vet para dy mandateve të kaluara

  • 18 July 2018 - 12:09
Kelmendi: Kosova e ka humbur shansin për ta bërë ushtrinë e vet para dy mandateve të kaluara
Analisti Jeton Kelmendi thotë se është shumë e sigurt që të gjitha premtimet e deritanishme kanë qenë mashtrime, ndërsa Kosova e ka humbur shansin për ta bërë ushtrinë e vet, që para dy mandatave të kaluara, kur në Parlament dhe në Qeveri ishin subjektet politike serbe autoktone kosovare dhe jo të instrumentalizuara nga Beogradi, sikur tani që është Lista Serbe në dy mandatet e fundit. "Mendoj që çështja e Ushtrisë është bërë një telenovelë shumë e mërzitshme dhe e bezdisshme për qytetarin e Kosovës, dhe kjo lojë bëhet nga eksponentët e politikës së sotme vendore, të cilët duke tentuar për t'i mbuluar dështimet e tyre, kthehen dhe merren me tema të mëdha, sikur që është bërja e Ushtrisë, dhe në fakt punojnë kundër bërjes së Ushtrisë. Ka kohë, që disa vjet më parë ishte shansi për ta formuar Ushtrinë, pas përfundimit të mandatit të FSK-s sipas pakos së Ahtisarit, por mendoj se fajtori kryesor i ngecjes në këtë proces ishte dhe mbetet njeriu kryesor, më antishqiptar që është Hashim Thaçi, për shkakun se ky njeri ishte dhe vazhdon të sillet me papërgjegjësinë më të madhe, madje ai shkoi dhe e krijoi Listën Serbe në bashkëpunim me eksponentët e caktuar politikë serbë në Serbi dhe me këtë gjithçka në Kosovë e bëri të varur direkt nga qeveria e Beogradit", u shpreh ai. "Mendoj që kjo është një vepër shumë antishqiptare dhe sot mbetet si kategori kushtetuese që duhet të merren dy të tretat e votave, edhe të minoriteteve, të serbëve. Mendoj që në kohën kur serbët kishin në Kosovë disa parti politike dhe nuk ishin ashtu të homogjenizuar për kundërshtimin e institucioneve të shtetit të Kosovës, sikur që janë në një Listë të dirigjuar nga Beogradi, do të ishte shumë më lehtë që në ato vite të bëheshin edhe ndryshimet kushtetuese ku do të bëhej Ushtria, por do të futej si kategori edhe referendumi me shumicë nga populli, që parashihet edhe sipas konventave ndërkombëtare, dhe kësisoj asnjë vendim në Kuvend nuk do të mundë të bllokohej nga pakicat etnike", vijoi më tej Kelmendi. "Tani, vetëm po tallen kur po e përmendin çështjen e Ushtrisë, duke deklaruar se do ta bëjnë herë me ligj e herë me Kushtetutë, dhe nuk janë gati ta bëjnë as më njërën, as me formën tjetër, sepse këta politikanë janë të interesuar të bëjnë vetëm para për vete dhe bëjnë keq për Kosovën, dhe kjo gjendje do të jetë kështu pezull përderisa do ta kemi president Hashim Thaçin, kryeministër Ramush Haradinajn dhe kryetar Kuvendi Kadri Veselin, dhe me këta Kosova kurrë nuk do të shohë ditë të bardha", tha Jeton Kelmendi për "Kosova Sot".