Thaçi pas përfundimit të takimit me Vuçiqin: Nuk kemi zhvilluar takim më të vështirë që 6 vite!

  • 18 July 2018 - 12:34
Thaçi pas përfundimit të takimit me Vuçiqin: Nuk kemi zhvilluar takim më të vështirë që 6 vite!

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, pas përfundimit të takimit me presidentin e Serbisë Aleksander Vuçiq, të ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Frederika Mogherini ka thënë se ky takim ka qenë më i vështiri që është zhvilluar në gjashtë vitet e fundit të negociatave në Bruksel.

Ai theksoi, se shteti serb ende vazhdon të mendojë se Kosova është pjesë e saj. Presidenti Thaçi, pohoj se Kosova nuk do të heq dorë nga përkushtimi i saj për të arritur një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, nga ky dialog.

“Ka qenë një takim i shkurtër, ka qenë një takim jo i lehtë, do të thoja shumë i vështirë dhe më i rëndi që e kemi zhvilluar në këto gjashtë vitet e fundit. Por përkushtimi ynë është serioz dhe do të punojmë që të arrijmë një marrëveshje ndërkombëtare. Unë ende shoh dritë brenda tunellit, ani pse është jashtëzakonisht vështirë, për arsye se Serbia ende mendon së Kosova është pjesë e saj dhe ende janë me mentalitetin e së kaluares, por mashtrohen dhe gabohen rëndë”, tha Thaçi në një konferencë për media.

Tutje ai ka shtuar se pavarësisht këtyre vështirësive, nuk ka alternativë tjetër përveç negociatave ndërmjet dy vendeve deri në arritjen e një marrëveshje përfundimtare.

“Duhet të arrihet një marrëveshje për të dy vendet sovrane, një marrëveshje kjo që hap përspektivë, për Kosovën dhe Serbinë, një marrëveshje që lehtëson të ardhmën për të dy vendet, që sjell mirëkuptim dhe pajtim dhe kësijsoj nuk pres që procesi të lehtësohet dhe pres vështirësi më të mëdha”, ka shtuar presidenti Thaçi.

(Kosova Sot)