Burrat kthehen nga Brukseli, marrin merita për rekomandimin e KE'së për vizat (Video)

  • 18 July 2018 - 21:54
Burrat kthehen nga Brukseli, marrin merita për rekomandimin e KE'së për vizat (Video)

Një delegacion i madh i zyrtarëve më të lartë kosovarë, i përbërë vetëm prej burrave, përfshirë presidentin Hashim Thaçi, kryekuvendarin Kadri Veseli, dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, është rikthyer në Kosovë, në natën e së mërkurës, pas qëndrimit gjatë ditës në Bruksel, për takime me zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian.

Gjatë një konference për media, të mbajtur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, burrat kanë marrë meritat për rekomandimin e Komisionit Evropian që qytetarëve të Kosovës t’u hiqen vizat për lëvizje nëpër vendet e BE’së.

I pari ka folur presidenti Thaçi, për t’ia lëshuar më pas rendin për të thënë diçka kryetarit të Kuvendit, Veseli, kryeministrit Haradinaj, zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj, zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli dhe zëvendëskryeministrit Dardan Gashi.

Thaçi ka thënë se rekomandimi për liberalizimin e vizave është një lajm i shumë pritur për Kosovën, duke shtuar se për këtë kanë meritë të gjithë që janë angazhuar në këtë proces.

“Gjithë ne që jemi këtu dhe të tjerët do të angazhohemi me përgjegjësinë më të lartë, sepse ky proces i takon të gjithëve dhe është meritë e të gjithëve”, është shprehur ai.

“Përfituesit më të mëdha janë qytetarët e Kosovës. Falënderoj të gjithë që na kanë ndihmuar në këtë proces dhe na kanë qëndruar afër”, ka shtuar Thaçi.

Ndërkaq, Veseli ka porositur se institucionet duhet të vazhdojnë të në vazhdimësi, duke theksuar sidomos nevojën për punë të vazhdueshme për reforma në drejtësi.

“Jam i sigurt që Parlamenti Evropian do të votojë pro liberalizimit të vizave. Sot ka qenë një ditë e jashtëzakonshme e cila duhet të gëzojë të gjithë, mirëpo është edhe një obligim, që në dhjetor të kemi liberalizimin e vizave”, ka deklaruar ai.

E, Haradinaj ka theksuar se Kosova duhet të vazhdojë të jetë serioze dhe t’i përfundojë detyrat.

“Sot kemi korrë suksesin e merituar të punës së mundimshme. Dhe jemi të vetëdijshëm që vetëm kështu duke qenë serioz në detrat tona të gjitha punët do ti kryjmë”, ka thënë Haradinaj.

Pas tij, Limaj ka thënë se rekomandimi i KE'së për vizat përbën lajm të mirë sidomos për të rinjtë e Kosovës.

“Lajm i jashtëzakonshëm për Evropën, se shumë shpejt po u hiqet izolimi kosovarëve. Është lajm i mirë për të rinjtë e Kosovës, për të gjithë ne", është shprehur ai.

"Duhet t’i gëzohemi këtij lajmi dhe shfrytzoj rastin t'u shpreh mirënjohje të gjithë atyre që kanë punuar të vijmë deri te kjo ditë. Përkushtimi ynë për intresin e vendit do të vazhdojë, do ta shfrytëzojmë këtë momentum që të jemi më të bashkuar”, ka thënë ka thënë Limaj. 


(Kosova Sot)