Milionerët hajdutë të Fondeve t'i nënshtrohen VETTING-ut

  • 20 July 2018 - 07:56
Milionerët hajdutë të Fondeve t'i nënshtrohen VETTING-ut

ZBARDHJA E HAJNISË SË SHEKULLIT, OBLIGIM I INSTITUCIONEVE KOSOVARE

Miftari: Paratë e Fondit "Vendlindja Thërret" dhe Fondit 3% janë të investuara në biznese nga rrjetet mafioze

"Kjo duhet bërë duke nisur nga ish-qeveria "Bukoshi" në ekzil dhe "komandantët e Rognerit" e deri te qeveria e përkohshme e Hashim Thaçit me shokë në Tiranë e në Prishtinë, në mënyrë që përfundimisht të kuptohet dhe të dalë në dritë se sa shitblerje,privatizime e pazare të dyshimta u bënë pas luftës në Kosovë me paratë e vjedhura nga këto fonde, një pjesë e të cilave dyshohet të jetë huazuar e investuar në bashkëpronësi me kompaninë më të kriminalizuar në vend, si Devollët dhe mafiooligarkët e tjerë, që po ia gërryejnë tokën nën këmbë Kosovës dhe po ia zënë frymën asaj tash e dy dekada me radhë", thotë analisti Gani Qarri për "Kosova Sot

Dy fondet e kohës së luftës, Fondi 3% dhe "Vendlindja Thërret" mbeten akoma të pazbardhura për mënyrën se si u shfrytëzuan dhe si u zhvatën nga përgjegjësit e menaxhimit të asaj kohe, thonë analistët. Kanë kaluar dy dekada dhe askush nuk ka pasur kurajën që këtë çështje ta bëjë temë debati dhe llogaridhënie para Kuvendit të Kosovës. Njohësit e fushës së drejtësisë, analistët politikë dhe qytetarët, konsiderojnë se derisa këto dy fonde kishin për qëllim mbështetjen e luftës për lirinë e Kosovës, ishin krijuar në emër të shtetit të ri të Kosovës, tani drejtësia kosovare do të duhej të merrej me trajtimin dhe hetimin e tyre. Madje, në një shtet ligjor, njohësit e së drejtës, por edhe veprimtarët e kohës mendojnë se do të duhej që përgjegjësit t'i nënshtrohen ligjit të VETTING-ut, nëse ai bëhet ndonjëherë, edhe krahu i luftës si dhe ai i ish-paqes, që ishin e janë në pushtet, dhe që ishin e janë të lidhur në çfarëdo forme me Fondin "VENDLINDJA THËRRET" dhe FONDIN 3%, si fonde të popullit kosovar në diasporë. Nevoja e trajtimit të këtyre fondeve përmes VETTING-ut do të duhej të ishte shumë e domosdoshme, duke e pasur parasysh se ata zhvatësit e fondeve kanë bërë pasuri marramendëse, zotërojnë prona të shtrenjta e kapitale, asete e para e çka jo tjetër, deri edhe qindra milionëshe, prandaj do të duhet një ligj VETTINGu për të gjithë ata që në emër të luftës, si krahu i luftës po ashtu edhe ai i paqes, pjesë manipuluese e fondit "VENDLINDJA THËRRET" dhe atij 3%, zhvaten gjithçka në këtë vend të nëpërkëmbur nga ish-shefat e qeverise oficiele në perëndim dhe nga "kumandantët e luftës" edhe atë , ende pa arritur që Kosova të bëhej shtet i pavarur. Analistët theksojnë se duhet që t'u jepet leksioni të gjithëve atyre që kanë manipuluar e vjedhur paratë e popullit, duke filluar që nga keqpërdorimet dhe vjedhja e parave të popullit nga qeveria "Bukoshi" në perëndim dhe ndaj"komandantëve të Rognerit" e qeveria e përkohshme e Hashim Thaçit me shokë në Tiranë, në Prishtinë, sepse dyshohet që edhe privatizimet e pasluftës në Kosovë u bënë me paratë e vjedhura nga dy fondet, Fondi "Vendlindja Thërret" dhe Fondi 3%, një pjesë e të cilave dyshohet të ishin huazuar e investuar në bashkëpronësi edhe me Devollët, dhe jo vetëm. Edhe përkundër kërkesës së gazetarit për të marrë prononcimet e të apostrofuarve të të dyja fondeve, por edhe vëllezërve Devolli, asnjëri nuk kanë kthyer përgjigje.

ZEQA: KRIMI I ORGANIZUAR EKONOMIK DATON NGA BARTËSIT E FONDIT TË KRAHUT TË LUFTËS "VENDLINDJA THËRRET" DHE AI I ISH- PAQES "FONDI I 3 %"!

Sipas analistit Florim Zeqa, krimi i organizuar ekonomik daton nga periudha e luftës çlirimtare, përkatësisht nga bartësit e fondit të krahut të luftës "Vendlindja Thërret" dhe ai i ish- paqes "Fondi i 3 %", fonde të popullatës kosovare në diasporë. "Bartësit e këtyre dy fondeve famoze që ishin dhe janë në pushtet janë shpërdoruesit e mundit dhe djersës së mërgimtarëve, duke bërë pasuri marramendëse, zotërojnë prona të shtrenjta e kapitale qindra-milionëshe, asete publike e çka jo tjetër. Do të ishte jetike për shtetin dhe fondamentale për kthimin e besimit tek mërgimtarët Ligji i VETTING-ut për të gjithë ata, që në emër të luftës, si krahu i luftës po ashtu edhe ai i paqes, pjesë manipuluese e fondit "VENDLINDJA THËRRET" dhe atij 3%, e të cilët zhvaten gjithçka në këtë vend të nëpërkëmbur nga ish-shefat e qeverisë oficiele në perëndim dhe nga "kumandantët e luftës" edhe atë , ende pa arritur që Kosova të bëhej shtet i pavarur", u shpreh ai. "Nëse duam të kemi shtet ligjor e demokratik, paraprakisht duhet që t'u jepet leksion ligjor e popullor me ndëshkimin e të gjithëve atyre që kanë manipuluar e vjedhur paratë e popullit, duke filluar që nga keqpërdorimet dhe vjedhja e parave të mërgimtarëve nga "Mega Aksioni" i qeverisë "Bukoshi", Fondi "Vendlindja Thërret" që mbushen thasët me paratë e mërgatës sonë si dhe ndaj "komandantëve të Rognerit" e qeveria e përkohshme e Hashim Thaçit me shokë në Tiranë, në Prishtinë, duke instaluar të ashtuquajturit "sekretar permanent" në të gjitha institucionet e shtetit", vijoi më tej ai. "Privatizimet e pasluftës në Kosovë u bënë me paratë e vjedhura nga dy fondet , Fondi "Vendlindja Thërret" dhe Fondi 3%, një pjesë e të cilave dyshohet të ishin huazuar e investuar në bashkëpronësi me Devollët, dhe kompanitë e tjera të inkriminuara të pasluftës në Kosovë. Andaj, procesi i VETTING-ut në Kosovë, pikënisje duhet të ketë dy fondet e sipërpërmendura për të kaluar në privatizimin e egër dhe kriminal të pasurive publike në Kosovë, tenderomania, homologimi, asfaltimi i rrugëve, ndërtimi e rindërtimi i shkollave e deri të emërimet e stafit diplomatik në shtetet euro-perëndimore, përkatësisht biznesin e pushtetarëve me konsullatat e Republikës së Kosovës në shtetet perëndimore", tha Zeqa për "Kosova Sot".

MIFTARI:ME PARATË E FONDEVE TË LUFTËS, MAFIA POLITIKE DHE E KOMANDANTËVE PËRMES AKM-SË BLEU TOKA

Ndërsa, sipas Naim Miftarit, ish- luftëtar dhe ish- pjesëtar i SHIK-ut, nga Vetting-u nuk do të duhej anashkaluar askush nga aktorët e menaxhimit të këtyre fondeve. "Veting-ut do duheshin t'i shtroheshin edhe fondet e luftës dhe emergjencave si 3% i Bujar Bukoshit e Isa Mustafës, po ashtu edhe Fondi "Vendlindja Thërret" i Hashim Thaçit e Xhavit Halitit (shtabi i Rognerit), por gjasat që të hetohen dhe të dënohet ndokush për vjedhjet gjigante janë zero,edhe pse u masakruan këto fonde ku mbi 80% përfunduan nëpër xhepat privatë të zyrtarëve që ishin përgjegjës për këto para të mbledhura nga mërgimtarët, atdhetarët tanë", tha Miftari për "Kosova Sot". Sipas tij, paratë e këtyre fondeve janë të investuara në biznese nga rrjetet mafioze. "Me këto para pastaj mafia politike dhe e komandantëve përmes AKM-së bleu toka, u morën edhe me uzurpime e shantazhe, blenë apo morën, edhe pasuritë kryesore të Kosovës, pronë e popullit, pronë shoqërore për përfitime të vetat. Gjasat janë të vogla apo nuk ekzistojnë fare, pasi pikërisht këta hajna janë në pushtet sot dhe e kanë shtetin dhe i kanë edhe partitë politike shumicën nën kontrollin e tyre, edhe vjedhjet e 3%, kriminelët e fondit janë përkujdesur të mos lënë gjurmë, sidomos është kallja e qëllimshme me benzinë e Dardania Bankës në Tiranë edhe vrasja e Ahmet Krasniqit, ku pastaj krerët e krimit i arsyetuan dhjetëra miliona marka kinse i kanë dhënë për luftë. Kjo vlen shumë edhe për Fondin "Vendlindja Thërret", ku shumica e parave kanë përfundua në xhepin e Hashim Thaçit ,Xhavit Halitit,Azem Sylës,Adem Grabovcit dhe Kadri Veselit, por ka edhe keqbërës të tjerë që i kanë keqpërdorur paratë e luftës",theksoi më tej Miftari. "Ju jap një shembull, kur një armë 'Gulinov' është blerë 100 DM, ose është falur, dhe është arsyetuar me mbi 5000 DM. Kjo ka qenë hajni e kulluar",tha Naim Miftari për "Kosova Sot".

QARRI: SA SHITBLERJE,PRIVATIZIME E PAZARE TË DYSHIMTA, U BËNË PAS LUFTËS NË KOSOVË,ME PARATË E VJEDHURA NGA FONDET E LUFTËS?!

Analisti Gani Qarri, po ashtu thotë se duke e pasur parasysh faktin se zhvatësit kryesorë të të dy fondeve popullore, si ata të 3% ashtu edhe të atij "Vendlindja Thërret", pas lufte kanë bërë pasuri marramendëse, zotërojnë prona të shtrenjta, asete të pafund, para e çka jo tjetër deri tek kapitalet qindramilionëshe, ligjit të VETTING-ut, ndër të parët,medoemos duhet t'u nënshtrohen të gjithë ata që mblidhnin para nga krahu i luftës si dhe ata të ish-paqes, të cilët ishin e janë në pushtet dhe pa të drejtë gëzojnë benificione edhe sot nga shteti ynë i ri, i vogël dhe i brishtë. "Cilido nga emrat e dyshuar për manipulime, që ishin e janë të lidhur në çfarëdo forme me Fondin "VENDLINDJA THËRRET" dhe FONDIN 3% si fonde të popullit dhe mërgimtarëve të Kosovës në diasporë,që në emër të luftës keqpërdorën paratë e grumbulluara nga populli, janë dëshmuar si pjese manipuluese e këtyre fondeve dhe zhvaten gjithçka në këtë vend të nëpërkëmbur duke filluar nga ish-shefat e qeverise oficiele në perëndim dhe nga "komandantët e luftës" edhe atë , ende pa arritur që Kosova të çlirohej nga Serbia dhe bëhej shtet i pavarur, duhet që sa më parë t'u jepet leksioni i duhur nga drejtësia vendore", u shpreh ai. "Kjo duhet bërë duke nisur nga ish qeveria "Bukoshi" në ekzil dhe "komandantët e Rognerit" e deri te qeveria e përkohshme e Hashim Thaçit me shokë në Tiranë e në Prishtinë, në mënyrë që përfundimisht të kuptohet dhe dalë në dritë se sa shitblerje,privatizime e pazare të dyshimta, u bënë pas luftës në Kosovë,me paratë e vjedhura nga këto fonde, një pjesë e të cilave dyshohet të jetë huazuar e investuar në bashkëpronësi me kompaninë më të kriminalizuar në vend, si Devollët dhe mafio-oligarkët e tjerë që po ia gërryejnë tokën nën këmbë Kosovës dhe po ia zënë frymën asaj, tash e dy dekada me radhë", tha Gani Qarri për "Kosova Sot".

Zhvatja dhe hajni e madhe

Prof. i së drejtës dhe një nga themeluesit e LPK-së, Muhamet Kelmendi i ka thënë gazetës se çështja e dhënies së llogarisë është një detyrë elementare për të shëruar të kaluarën, mbi të cilën ndërtohet e tashmja dhe e ardhshmja e Republikës. "Po kështu kërkohet të zhvillohet një diferencim dhe një përgjegjësi penale, të futet në veprim ndaj ish-shërbëtorëve dhe të tradhtarëve të vendit. E kësi elemente kemi kudo. Kemi në pushtet, në Kuvend, në partitë politike, në administrate, në polici, në gjykata, në prokurori. E tërë kjo e ka marr kulmin me mediet elektronike, me TV dhe me mafinë tradhtare e kriminale në fushën ekonomike. Pa i luftuar këto dukuri dhe veprimtari të dëmshme dhe tejet të rrezikshme nuk kemi mundësi të ndërtojmë shtetin e së drejtës", u shpreh ai. Sipas Kelmendit, janë disa masa që duhen ndërmarrë: " 1. Zhvillimin e një VETTING kudo në organet e pushtetit, në të gjitha nivelet, 2. Shqyrtimin dhe analizimi, dhënie të përgjegjësisë së subjekteve që kanë keqpërdorur dhe vjedhur fondet e popullit tonë dhe 3. Kapjen dhe dënimin e ush-bashkëpunëtorëve të regjimit shoveno- serbomadh në Kosovë. Janë këto tri masa që flasin kryesisht për të kaluarën dhe të tashmen, në mënyre që një herë e mirë të çrrënjoset e keqja nga Kosova", tha prof. Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot". Kelmendi: "Shtabi i Rognerit" duhet t'i kenë tjetërsuar rreth 60 % të mjeteve të Fondit "Vendlindja Thërret"! Sipas veprimtarit të lëvizjes kombëtare në diasporë Ibrahim Kelmendi, kjo çështje shihet si shumë problematike, për trajtim dhe verifikim, edhe nëse një ligj Vetting-u, verifikimi bëhet në Kosovë. "Nuk jam jurist që të komentoj ligjin i cili, nëse nuk gabohem, nuk ekziston ende. Përndryshe, Kuvendi i Kosovës nuk mund të miratojë ligj për të verifikuar fondet që kanë ekzistuar jashtë Kosove. Për ato fonde janë kompetente vetëm ato shtete, ku ato kanë ekzistuar. Kurse verifikim moral do të mund të bënte një komision i Kuvendit, që mund të formohet", shprehet ai. "Rëndom, Fondi "Vendlindja Thërret" nuk ishte fond publik, as shtetëror, i "shtetit paralel" të Kosovës, por ishte i Lëvizjes dhe Lëvizja e kontrollonte. Në Gjermani e kanë verifikuar edhe institucionet e hetuesisë, me urdhër të Prokurorisë federative. Është mbyllur hetimi pas 4 viteve pa ngritur asnjë aktakuzë. Vërtet njerëzore do të kishte qenë të ndodhte verifikimi, ose hetimi", ka vlerësuar Kelmendi. " Përherë vazhdoj të zhgënjehem, si nuk u brengos asnjë institucion, as të me pyet. Cili funksionar gjerman më pati thënë se Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa kanë transferuar në Beograd 500 milionë (po, pesëqind milionë) DM, respektivisht 250 milionë euro! Kjo ka ndodhur gjatë lufte. As për transferin pre 8 milionë DM që i kam bërë unë në fillim të qershorit 1999 dhe i kanë pranuar nga 4 milionë Gani Thaçi dhe Fatmir Zymeri! Kam bindjen, krahu i Luftës nuk ka vjedhur e shpërdoruar, por "krahu i luftës", respektivisht "shtabi i Rognerit", që e përbënin kumandantët Xhavit Halit, Azem Syla dhe Hashim Thaçi, duhet t'i kenë tjetërsuar rreth 60 % të mjeteve të Fondit "Vendlindja Thërret". Nuk kam informacion, me cilat mjete financiare janë privatizuar pronat "shoqërore" e shtetërore", potencoi Kelmendi për "Kosova Sot". Analisti Shefik Shkodra thotë se po të kishte shtet serioz ligjor, të gjithë të involvuarit me keqpërdorime në këto fonde to të nxirreshin para drejtësisë. "Gjithqysh do të ketë nevojë për një Vetting që të shkarkohen të gjithë ata që janë abuzues të pronave shoqërore të këtij vendi. Këto janë dy grupet më të spikatura në këtë mes: ata të 3% - shit dhe "Vendlindja Thërret". Që të dy palët sikur kanë bërë gara, kush po plaçkit me uzurpime, më parë siç po flitet, parat e gatshme nga diaspora, të cilët i kanë përvetësuar pa një therë në këmbën e tyre. Njësoj, ata të "Vendlindja Thërret", qytetarët e shqetësuar e të shtrënguar kanë dhënë para për nevojat e kohës së luftës, e këta të nderuarit i kanë përvetësuar. Ata që plaçkitën gjatë luftës, që të palët, të luftës dhe ata të 'paqes' do të duhej të jepnin llogari", u shpreh ai. "Pas luftës dolën grupe komandantësh shumë të pasur, po si ata të Qeverisë së Përkohshme. Vunë dorë në çdo vend, pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme. I takon e s'i takon, e bën plaçkën në mënyrë shumë primitive. Plaçka e tyre vijoi pamëdyshje e pa frikë në gjithë sektorët. U keqpërdorën mjetet e dedikuara për mëkëmbjen e shtetit. Për ringjallje të qytetarëve. Edhe donacionet nuk janë parë asnjëherë se ku kanë shkuar", ka thënë Shkodra për "Kosova Sot".

Diaspora të kërkojë llogari nga hajnat e mjeteve

Edhe veprimtari në diasporë dhe analisti politik Reshat Badallaj thotë se nëse bëhet një Vetting në Kosovë, pjesë e trajtimit të tij duhet të jenë edhe bartësit e fondeve. "Kushdo qofshin ata, krahu i luftës ose ai që thuhet krahu i paqes, thënë ndryshe ata të Fondit "Vendlindja Thërret" apo i 3 %, domosdoshmërish duhet të vihen në sitën e Vetting-ut. Dhe, pa fije dyshim që e them me bindje të plotë se këtu janë të strehuar një koshere hajnash dhe atë hajnat më të mëdhenj që nuk njeh historia shqiptare. Këtu nuk bëhet fjalë për hajna që kanë vjedhur pak miliona, këtu ka hajna që mrizojnë, që kanë plaçkitur me qindra miliona", potencon ai. "Nuk do të ishte keq që ne diaspora të kërkojmë llogari që të vihen para drejtësisë këta banditë, shkuar banditëve, këta hajna shkuar hajnave, dhe përpos këtyre janë edhe kriminelë që kanë plaçkitur diasporën në emër të luftës dhe në emër të vendit. Këta kriminelë dhe banditë kanë plaçkitur djersën e bashkatdhetarëve që kanë ndarë kafshatën e gojës dhe ia kanë dhënë vendit dhe luftës dhe në fund doli që këta banditë dhe hajna u pasuruan pa luftuar fare dhe kanë jetuar në "Rogner" dhe në hotelet më të shtrenjta të Evropës dhe bile deri në Amerikën e largët dhe janë pasuruar me hajni dhe kanë siguruar pasuri për dhjetë breza dhe jo më pak", tha Badallaj për "Kosova Sot". Pro trajtimit me ligjin e Vetting-ut edhe të çështjes së fondeve është edhe analisti Ali Hertica. "Konsideroj se kurdo që do të hartohet ligji VETTING, nga i njëjti duhet të trajtohen dhe verifikohen edhe fatura e fondeve të luftës, duhet të japë llogari para një ligji të tillë edhe krahu i luftës si dhe ai i paqes, që ishin e janë në pushtet dhe që janë të lidhur në çfarëdo forme me Fondin "Vendlindja Thërret" si e dhe Fondin e 3- përqindëshit. Mendoj se e vetmja forcë, e cila do ta hapë këtë kuti të pandorës është ligj i VETTING-ut për të gjithë ata që në emër të luftës, si krahu i luftës po ashtu edhe ai i paqes abuzuan me këto fonde, dikush si pjesë e Fondit "Vendlindja Thërret" dhe dikush atij 3- përqindëshit, e të cilët zhvatën gjithçka në këtë vend të nëpërkëmbur", ka theksuar ai. "Duhet që t'u jepet leksioni të gjithëve atyre që kanë manipuluar e vjedhur paratë e popullit, duke filluar që nga keqpërdorimet dhe vjedhja e parave të popullit, nga qeveria "Bukoshi-Mustafa", në perëndim dhe ndaj komandantëve të "Rognerit" në Tiranë", tha Hertica për "Kosova Sot".

Qytetarët, skeptikë se do të dalë në shesh e vërteta

Edhe qytetarët e anketuar nga gazeta, ndonëse hezitojnë shumë të flasin për këtë temë e cila tashmë ka dy dekada që nuk trajtohet nga institucionet e shtetit, sidomos nga Kuvendi, janë pro trajtimit meritor ligjor. Qytetari Bejtë Murtezi tha për "Kosova Sot" se nuk prêt se do të bëjnë ligj Vetting-u, i cili do ta prekë edhe zbardhjen e çështjes së fondeve. "Pushtetarët nuk duan të japin llogari, sepse secili e mbron njërin apo tjetrin. Ju shikojeni për shembull këtë rastin e Bujar Bukoshit që u sëmur, e që pikërisht është ai që krejt atë 3% e ka pasur në disponim, e ka marrë atje, e tash çohet Qeveria e Kosovës e ndanë për të tre herë rresht para. Fukaraja jeton me 75 euro në muaj, kurse unë marr një pension prej 170 euro dhe me atë për një muaj duhet të paguaj rrymë, mbeturina, ujin e të gjitha këto, kurse këta po shihet çfarë po bëjnë për vete. Mendoj që do të duhej të kishte një ligj VETTING edhe për këta, por nuk ka se kush e formon atë ligj, nuk ka njerëz që e bëjnë këtë. Unë kam pasur shumë besim në këtë kryeministrin Ramush Haradinaj, por po më duket që edhe ky është kapur, është lidhur me ta dhe nuk ka kurrgjë as prej tij", shprehet ai. Qytetari tjetër Behram Ismaili i ka thënë gazetës se derisa në Kuvend po këmbehen akuza e kundër akuza ndaj oponentëve të asaj kohe, shpërdorues të fondeve 3% dhe "Vendlindja Thërret", dhe nuk vepron Prokuroria e Shtetit, është absurd të mendohet që po këta njerëz do bëjnë ligj VETTING-u dhe këtë çështja ta trajtojnë me të. "Është e vërtetë që në një shtet serioz ligji VETTING, i cili po zbatohet në Shqipëri, do të duhej të bëhet edhe ne shtetin tonë, dhe me të njëjtin të trajtohet edhe abuzimi me fondet e luftës, qoftë për krahun e luftës apo të paqes, por kjo nuk është e pritshme të ndodhë. Unë nga këta nuk pres asgjë të mirë, as për zbardhjen e hajnisë me fondet, qoftë ai "Vendlindja Thërret" apo atë 3 %- shit", tha Behram Ismaili.

(Kosova Sot)