Drejtësi pazaresh, trafiqesh, ryshfetesh, ndërhyrjesh e shantazhi

  • 20 July 2018 - 08:00
Drejtësi pazaresh, trafiqesh, ryshfetesh, ndërhyrjesh e shantazhi

POLITIKA DHE OLIGARKIA E MBAJNË TË KAPUR TËRË SISTEMIN LIGJOR NË KOSOVË

Qytetari nuk ka ku të drejtohet e ankohet për të mbrojtur të drejtat e tij në Kosovë

"Tërë shtetin e kanë kapur mafio-politika dhe mafiooligarkia kosovare dhe drejtësinë e kapur e trajtojnë si pronë dhe të drejtë të tyre private, ku ligji funksionon si dëshiron e urdhëron Maliqi, dhe këta Maliqët janë politikanët, pushtetarët, mafio-oligarkët e administratorët dhe gjyqtarët e prokurorët, të cilët sistemin e drejtësisë e kanë kthyer edhe si një agjenci ku shitet, blihet, shkelet, bllokohet e trafikohet e drejta dhe drejtësia, sikur në një agjenci pazaresh e allishverishesh, e cila garantohet dhe ka si avokate ndërhyrëse mafio-politikën, pushtetin, policinë dhe gjyqësinë e korruptuar ", thotë analisti Skënder Kapiti për gazetën "Kosova Sot" 

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit dhe të politikës vazhdojnë të mbajnë alarmin e ndezur dhe të theksojnë se sistemi i drejtësisë në Kosovë është skajshmërisht i manipuluar nga politika e korruptuar dhe kriminalizuar. Ata theksojnë se ky sistem po vazhdon te manipulohet i tëri edhe duke shantazhuar për qëllime politike, klanore, biznesore, kriminale etj., sepse në masë të madhe, sipas tyre, edhe Policia, edhe Gjyqësia e Prokuroria janë shndërruar në leve të mafio- oligarkëve dhe grupeve e familjeve mafioze e kriminale në Kosovë. Ishkreu i AKK-së, Hasan Preteni, thotë për "Kosova Sot" se për manipulimet e mëdha në sistemin e drejtësisë, në të gjitha hallkat, flet mjaftueshëm edhe raporti i fundit i UNDP-së. "Po, tanimë është e ditur që edhe Raporti i fundit i UNDP-se është njeri prej indikatorëve më të rëndësishëm sa i përket besueshmërisë së qytetarëve tek " Gjyqësori", besueshmëri e vogël dhe në rënie e sipër, tendencat që konfliktet dhe veprat penale të sanksionohen me Kanun ose vetëgjyqësi është në rritje. Po në cilin drejtim po shkon shoqëria, drejt Evropës apo drejt mesjetës! Qytetari u drejtohet gjykatave vetëm për t'u pajisur me vërtetime që nuk janë nën hetime. Për të ndarë drejtësi, ai drejtohet tek të besueshmit e lagjes, fshatit apo regjionit. Ata " po janë më efikas" dhe ata po veprojnë shpejt, po vendosin vetëm në shkallë të parë, nuk ka ankesa dhe nuk po kthehen rastet në rigjykim. T'ju drejtohesh gjykatave, të presësh mesatarisht 8-10 vjet dhe të shpenzosh për avokat dhe taksa të tjera, jo nuk ia vlen", theksoi Preteni për "Kosova Sot".

Strategji e "shantazhit"

Sipas analistit Hidajet Ahmeti, dhuna psikologjike ndaj rivalëve e kundërshtarëve politikë është bërë standard për çdo parti politike ekzistuese në Kosovë. "Falë kërcënimit, shantazhit e presionit ka funksionuar dhe ka mbetur gjallë një pjesë e partive politike në Kosovë. Dhuna psikologjike ndaj rivalëve e kundërshtarëve politikë është një "strategji" politike që e përdorin partitë politike në Kosovë, e posaçërisht ato parti politike që kanë qenë pjesë e pushteteve të pasluftës", shpjegoi ai. "Kjo "strategji" politike në njërën anë përdoret për shpërqendrimin e opinionit publik nga problemet reale. Kurse në anën tjetër për amnistimin e përkohshëm të klienteles së tyre politike nga korrupsioni, krimi i organizuar, me një fjalë nga keqpërdorimet e pasluftës me pozitat zyrtare. Kjo "strategji" politike përmes rrugës së shantazhit mban pezull çdo shpifje, e cila konsiderohet pjesë e shantazhit, dhe gjithë opinionin publik orienton kah shpifjet që bëhen, duke shpërqendruar nga problemet reale që i përjetojnë çdo ditë", vijoi më tej Ahmeti. Sipas tij, përmes kësaj metode amorale e të passinqertë partitë politike i fusin në një lojë iluzionare edhe opinionin publik duke ia shpërlarë trurin. "Gjykoj se kjo lojë e shumëfishtë e partive politike, e posaçërisht e politikanëve të inkriminuar, është manipulim i paskrupullt ndaj opinionit publik, me qëllimin e vetëm për marrjen, mbajtjen e ruajtjen e pushtetit me metoda, të cilat nuk përkojnë me frymën demokratike", tha Hidajet Ahmeti për "Kosova Sot".

Politika e korruptuar është antishtetërore dhe antiqytetare

Njohësi i kësaj fushe Skënder Kapiti tha për "Kosova Sot" se kur sistemi i drejtësisë korruptohet, kriminalizohet dhe kur ai manipulon dhe shantazhon politikën, të drejtat e qytetarëve dhe ato shtetërore aty shteti ka rënë dhe ligjin e bën, e urdhëron dhe e zbaton antiligji, jomorali dhe korrupsioni i mafio-oligarkisë. "Kjo gjendje është dhe vjen si meritë e politikës së papërgjegjshme, antipublike, shpirtligë dhe sidomos vjen prej politikës injorante dhe kundërpublike, politikë, e cila nuk di se çfarë të bëjë me pushtetin, përveçse të bëjë vetë gjyqësinë, korrupsionin, tradhtinë dhe hajdutërinë. Shteti që në fillesat e tij të lashta është formuar vetëm për drejtësinë e shenjtë", theksoi ai. "Pa drejtësi nuk ka shtet, dhe jo më të bëhet fjalë sot në epokën moderne, ku bota dhe civilizimi qytetar dhe shtetëror identifikohen me shtetin ligjor, ndërtuar me standarde moderne, ku Kosova është shumë... shumë larg ndërtimit dhe funksionimit të tij", vijoi më tej analisti Kapiti. "Shtetin politika kosovare dhe drejtësia e kanë kapur dhe e trajtojnë si pronë dhe të drejtë private të tyre, ku ligji funksionon si dëshiron Maliqi, dhe këta Maliqët janë kryesisht politikanët, pushtetarët, administratorët dhe gjyqtarët e prokurorët të cilët sistemin e drejtësisë e kanë kthyer edhe si një agjenci ku shitet, blihet e trafikohet e drejta dhe drejtësia, si një agjenci pazaresh e allishverishesh, e cila garantohet dhe ka si avokate ndërhyrëse politikën, pushtetin, policinë e gjyqësinë", thotë analisti Skënder Kapiti për gazetën "Kosova Sot".

Matrapazët, pengesë për normalitet

Profesori i së drejtës Blerim Burjani ka thënë për "Kosova Sot" se në mungesë të shtetit ligjor është gjithçka e mundshme, prandaj Kosova është në një anarki. "Këtu funksionojnë rregullat dhe qëllimet anarkiste, parimet dhe infrastruktura është funksionale vetëm për përfitime, dhe forma negative. Këta anarkistë bëjnë përpjekje të gjejnë sa më shumë kohë dhe hapësirë për të përmbushur qëllime kriminale. Është koha që Kosova duhet të lirohet nga njerëz që thonë se merren me politikë e të cilët janë matrapazë të ndyrë, dhe shume problematikë për shtetin", theksoi ai. "Të gjitha gjërat vendosen në ekuilibër, nëse do të funksionojë demokracia e jo sistemi totalitar anarkik. Tani, realiteti po shihet, nuk ka drejtësi në anarki edhe ky pushtet gjyqësor në këtë shtet është sistem anarkik dhe i kontrollueshëm përmes ndërhyrjeve nga politika e oligarkia ", potencoi analisti Burjani për gazetën "Kosova Sot". Politologu Arsim Haziri ka thënë për "Kosova Sot" se nuk ka asnjë dyshim që sistemi i sundimit të ligjit, këmbë e krye është i kapur nga politika dhe ajo me rrjetet e veta kriminale e teledirigjon atë përmes ndërhyrjeve të ndyra. "Sistemi i drejtësisë në Kosovë është fatkeqësisht një dorë e zgjatur e politikës dhe duke qenë nën ndikim e saj e ka të pamundur të shprehë paanshmërinë, etiken e profesionalizmin dhe të mbrojë në mënyrë të drejtë qytetarët ne zbatim të ligjit. Kosovën fatkeqësisht e qeverisin mafio-oligarkët, kjo klikë individësh të stërkequr që gjithnjë e më shumë janë munduar e organizuar vetëm për rrethin e tyre të ngushtë , e jo edhe për atë nacional e shtetëror", u shpreh ai. "Pikërisht kjo qasje ka bërë që Kosova të stagnojë në aspekt të përgjithshëm dhe duke vazhduar kjo linjë e të bërit politikë shoqëria jonë asnjëherë nuk mund të prekë rregull demokratik", vijoi më tej Haziri për "Kosova Sot". Sipas tij, Kosova për të ndryshuar qasjen ndaj proceseve pozitive duhet domosdoshmërisht të ketë mentalitet tjetër në kuptimin e të bërit politikë.

(Kosova Sot)